"Bechtelit t’i kërkohet llogari që po e vonon autostradën Prishtinë – Shkup"


26/02/2019

Autostrada që lidh kryeqytetet Prishtinën dhe Shkupin, ishte paraparë të përfundonte në fund të këtij viti, por, në bazë të punëve në terren, lëshimi në qarkullim i kësaj autostrade mund të shkojë përtej këtij afati.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se nevojiten edhe 21 ditë punë për asfaltimin e Urës së Kaçanikut, por që për realizimin e këtij procesi duhet të pritet ngritja e temperaturave mbi 5 gradë celsius.

“Autostrada Prishtinë-Shkup do të përfundojë me përmirësimin e kushteve atmosferike. Kanë mbetur vetëm 21 ditë në shtrimin e asfaltit në urën 407”, tha Kadriu.

Ura e Kaçanikut llogaritet ura më e gjatë në rajon, gjatësia e se cilës është 5733 metra.

Ambasadori Amerikan në Kosovë, Philip Kossnet dhe zonja Kossnet vizituan punimet në autostradën Prishtinë – Hani i Elezit, duke e vlerësuar atë si rrugë me cilësi botërore.

“Rruga e re është çelës për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe integrimin rajonal. Presim me padurim përfundimin e rrugës!”, thuhet në një njoftim të Ambasadës Amerikane në Kosovë.

Por, me arsyetimin se temperaturat kanë ndikuar në shtyrjen e përfundimit të projektit, nuk pajtohen ekspertë të kësaj çështjeje. Halim Gjergjizi, profesor në Kolegjin “Dardania” në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kompania fituese me nënshkrimin e kontratës ka pasur parasysh edhe sezonin me temperatura të ulëta, që nuk lejojnë punimet.

Arsyetimin për temperatura ai e quan të sajuar dhe pa argumente.

“Tash sajohen temperaturat, mund të sajohen edhe arsye tjera. Kompania fituese dhe Qeveria duhet të njoftojnë qytetarët në mënyrë korrekte, pse janë tejkaluar afatet e parapara dhe të kërkojnë falje publike. Për tejkalim të afateve, në vendet e zhvilluara duhet paguar dëmshpërblim, pasi është infrastrukturë publike dhe pamundësohet shfrytëzimi i kësaj infrastrukture”, tha Gjergjizi.

Ndryshe, që nga fillimi i ndërtimit të autostradës në korrik të vitit 2014, nga kompania ndërtuese është paralajmëruar se do jetë e gatshme për qarkullim në fund të vitit të kaluar.

Konsorciumi turko-amerikan “Bechtel-Enka”, është kompania e cila po ndërton këtë autostradë.

Gjergjizi madje thotë se Qeveria e Kosovës duhet ta ndëshkojë kompaninë fituese për mospërmbajtje të kontratës, sidomos pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, që t’i paguajë kompanisë ndërtuese një shumë prej 53 milionë euro, për shkak të mospagesës se rregullt të faturave.

“Çdo kush që hyn në marrëdhënie kontraktuese, i bart përgjegjësitë dhe në këtë rast, kryesi i punëve i bart përgjegjësitë. Dhe nuk është në rregull që njëra palë i bartë përgjegjësitë dhe pala tjetër jo. Qeveria e Kosovës ka paguar vlerë jashtëzakonisht të lartë, kurse kompania fituese nuk bart përgjegjësi as morale dhe as profesionale, sepse kompania nuk mund të arsyetohet me temperatura”, shprehet ai.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës nuk kanë dashur të prononcohen për ndonjë masë eventuale ndëshkuese ndaj kompanisë fituese.

Ndërkaq, me përfaqësuesit e konsorciumit “Bechtel- Enka” ka qenë e pamundur të kontraktohet, për të marrë një konfirmim se kur mund të përfundojë projekti dhe cilat janë arsyet e shtyrjes së afatit.

Autostrada Prishtinë- Shkup e quajtur “Arbën Xhaferi”, me gjatësi prej rreth 60 kilometrash, buxhetit të Kosovës pritet t’i kushtojë mbi 600 milionë euro, por që kontrata në mes Qeverisë dhe konsorciumit nuk është bërë asnjëherë publike. /REL/

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart