Avokati i reagon Dick Martyt: Po ankohet se s’prezantoi fakte, po tenton ta zhvleftësojë Specialen


27/01/2019

Koci ka thënë se tash Marty po e vajton dështimin duke lëshuar akuza në drejtim të Speciales. E ka këshilluar zviceranin që rastin t’ia lë Gjykatës Speciale dhe të mos bëjë gjykime në media.

“Kur pretendimet e pabazuara të Dick Martyt, ish-raportuesit të Këshillit të Evropës lidhur me shtëpinë e verdhë, pas hetimeve po dalin të jenë të pavërteta të pastërta, senatori zviceran i kthehet mediave serbe, dhe pohon se Tribunali i Hagës i ka thënë se “ato dëshmitë lidhur me shtëpinë e verdhë më nuk ekzistojnë dhe se i kanë i kanë hequr, sepse  edhe ashtu askujt s’i shërbenin””, ka shkruar Koci, në një reagim në Fb.

Koci ka thënë se qëllimi i Martyt është të zhvleftësojë Specialen e cila do të shqyrtojë raportin e tij për Kosovën.

“Aludimet e z.Marty janë të qarta: Tribunali i Hagës – një gjykatë me renome botërore, nuk e ka kryer punën si duhet. Të gjithë e kanë gabim, vetëm senatori zviceran e paska mirë. Sidoqoftë, besoj që një raportues i Këshillit të Evropës, pas dorëzimit të raportit duhet të pres derisa organet tjera t’a kryejnë punën e vet. Në këtë rast Prokuroria dhe Gjykata”, ka shtuar ai.

“Çështjet penale zgjidhen në Gjykatë e jo në media. Z. Marty, si ish-prokuror e din këtë shumë mirë. Me deklarimet e tilla, me aludime të qarta, po shkelet parimi i prezumimit të pafajësisë i cili është i garantuar me Kushtetutë, ligje dhe konventa ndërkombëtare, dhe intervistat e tilla mund të cilësohen si tentativë për ndikimin në punën e Prokurorisë dhe Gjykatës”, ka shtuar ai.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart