Avni Arifi i përgjigjet Vetëvendosjes: Gabimi ishte te anulimi i protestës së 26 marsit


16/04/2016

Arifi ka thënë se gabimi i partive opozitare ishte anulimi i protestës së paralajmëruar më 26 mars që kishte dështuar për shkak të mospajtimeve të Vetëvendosjes dhe AAK’së .

 “Nuk është gabim që të protestohet. Gabim ka qenë që të anulohet protesta e 26 Marsit e cila edhe ashtu ishte e vonuar sepse po bëhej pesë javë pas asaj të 17 Shkurtit”, ka shkruar Arifi.

Sidoqoftë, ky zyrtar i Partisë së Ramush Haradinajt ka thënë se protesta e thirrur nga AAK për 14 maj po organizohet tre muaj pas protestës së 17 shkurtit.

 “Asnjëra parti nuk ka të drejtë të privojë qytetarin nga e drejta për protestë”, ka shtuar ai.

 Zyrtarët e Vetëvendosjes kanë thënë se ishte gabim i AAK’së që kishte thirr protestën pa koordinim paraprak me këtë parti politike, shkruan Express.

 Deri më tash, udhëheqësit e VV’së nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në protestën e 14 majit, derisa, NISMA për Kosovë e ka konfirmuar se do ta përkrahë protestën e organizuar nga Partia e Ramush Haradinajt kundër Qeverisë.

Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj kishte deklaruar se iniciator për anulimin e protestës së 26 marsit kishte qenë Lëvizja Vetëvendosje. 

AAK, NISMA dhe Vetëvendosje ishin bashkuar për të kundërshtuar veprimet e Qeverisë së Kosovës. Së fundmi, raportet mes këtyre tri partive janë ftohur pasi s’kanë mundur t’i ndajnë pozitat në një Qeveri të ardhshme. Vetëvendosje kishte kushtëzuar çfarëdo liste të përbashkët në zgjedhje me partitë opozitare që udhëheqës i ardhshëm i Qeverisë të ishte Albin Kurti ose Visar Ymeri. Kishin thënë se edhe listën zgjedhore ta kryesonin.

Ndërkaq, AAK kishte kërkuar që listën zgjedhore ta kryesonte Vetëvendosje dhe i njëjti person të ishte edhe Kryetar i Parlamentit. Ndërsa, i dyti në listë, të ishte i AAK’së dhe në të njëjtën kohë i nominuar për Kryeministër.

Në gjithë këtë situatë, NISMA për Kosovë kishte kërkuar të tejkalohen këto dallime.

 Por, Sekretari i Vetëvendosjes, para disa ditësh, kishte deklaruar se rrugët e opozitës tashmë janë ndarë.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart