Arifi: Nuk bëjmë projektligj për shfuqizimin e Speciales, deputetët janë kundër


08/01/2018

Shkrimi i sotëm i Kadri Veselit i dha tjetër drejtim iniciativës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Kreu i Kuvendit dhe kryetari i PDK’së tregoi se nuk është pro shfuqizimit të Speciales.

Të shtunën, Albin Kurti pas takimit me ambasadorët e Francës dhe të Britanisë së Madhe tha se Specialja, pas dështimit të iniciativës së deputetëve, po shfuqizohet nga Qeveria. Ndaj kësaj reagoi menjëherë Zyra e Kryeministrit e cila duke aluduar në Kurtin tha se “nuk është mirë tema të tilla të përdoren për përfitime politike”.

Gazeta Express ka kontaktuar Qeverinë e Kosovës për të pyetur rreth qëndrimit të saj, tash pasi që partneri i koalicionit, kreu i PDK’së, tha se nuk është pro iniciativës që thuhet të ketë qenë ideator bashkë me kryeministrin dhe presidentin e vendit.

Të hënën, Zyra e Kryeministrit është distancuar edhe më shumë nga kjo nismë.
Shefi i stafit të Kryeministrit, Avni Arifi, ka thënë se Qeveria do të respektojë vendimin e deputetëve të Kuvendit, cilido që të jetë qëndrimi i shumicës së tyre. 

“Qeveria ka respektuar nismën e deputetëve për temën në fjalë  dhe respekton çdo nismë e të zgjedhurve të populli”, ka thënë Arifi.  Këshilltari i Haradinajt, i pyetur nëse  Qeveria është duke hartuar projektligjin për shfuqizim e Speciales, ai tregon se këtë s’mund ta bëjë ekzekutivi, kur po dihet se shumica e deputetëve janë kundër. 

“Është absurde për një qeveri qe te prodhoje ligje kur paraprakisht dihet se shumica e deputeteve janë kundër”, ka përfunduar ai. 

Ndërkohë, Kryesia e Kuvendit të Kosovës kishte dështuar dy herë që të sigurojë kuorumin për shqyrtimin e kërkesës së 43 deputetëve nënshkrues, me të cilën kërkohej seancë e jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. 

Gjatë muajit dhjetor lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe nuk i kanë dërguar përfaqësuesit e tyre në mbledhjen e Kryesisë me çka e kanë pamundësuar kuorumin për vendimmarrje. Në mbledhje kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.

Pas kësaj, krerët e institucioneve janë përballur me një presion të ashpër dërkombëtarë që të heqin dorë nga kjo iniciativë, e cila do të conte në izolimin e vendit./GazetaExpress/

Artikull i sponsoruar

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart