Amerika mbështet ushtrinë me mandat të kufizuar të vetëmbrojtjes territoriale


20/10/2018

Superfuqia ushtarake në botë i ka dhënë mbështetje të fortë formimit të ushtrisë së Kosovës një ditë pasi Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim tri projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, pas një takimi dje me presidentin Aleksandar Vuçiq në Beograd ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin ushtrinë e Kosovës.

“Për një kohë të gjatë Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përkrahur themelimin e ushtrisë së Kosovës. Është një proces i cili do të marrë kohë të gjatë dhe ne po punojmë me partnerët tanë në Prishtinë. Po punojmë për t’u siguruar që ky proces të shkojë siç duhet”, ka thënë Palmer në Beograd.

Deklaratën e tij e ka komentuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se një qëndrim i tillë i SHBA-së karshi Republikës së Kosovës nuk është diçka e re dhe nuk duhet habitur.

Edhe zyrtarë nga Ambasada Amerikane në Prishtinë i kanë deklaruar dje gazetës “Zëri” se mbështesin transformimin e FSK-së. “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta mbështesin tranzicionin e disiplinuar dhe transparent të FSK-së në një ushtri profesionale, shumetnike dhe që është e ndërveprueshme me ushtrinë e NATO-s dhe me mandat të kufizuar të vetëmbrojtjes territoriale”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së për “Zërin”.

Ata kanë shtuar se nxisin udhëheqësit politikë të Kosovës të sigurojnë që procesi të vazhdojë në një mënyrë përfshirëse dhe shumë të kujdesshme, e cila përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës dhe që është e koordinuar ngushtë me aleatët nga NATO-ja.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart