2000 familje në Vushtrri pa energji elektrike, dikush e dëmtoi shtyllën e tensionit të lartë me 15 plumba


03/01/2019

Dy mijë familje nga Vushtrria kanë mbetur pa energji elektrike, pasi disa persona kanë qëlluar me armë zjarri shtyllën dhe përçuesit e tensionit të lartë që e furnizon një pjesë të madhe të banorëve vushtrrias.

Ngjarja ka ndodhur me 29 dhjetor, ndërkohë nuk dihet ende se kush janë autorët e kësaj vepre.

“Një ngjarje aspak e këndshme ka ndodhur në Nadakovc të Vushtrrisë, e cila e ka fillin dy ditë para Vitit të Ri. Me 29 dhjetor, persona të pandërgjegjshëm kanë gjuajtur me armë në një shtyllë metalike të tensionit të lartë. Ata kanë shkrepur rreth 15 plumba, gjysma nga të cilët kanë përfunduar në kabllot e energjisë elektrike, ndërsa gjysma tjetër në një tabelë për tregim të rrezikut, të cilën duket se e kanë përdorur si tabelë qitjeje”, thuhet në njoftimin e KEDS, transmeton Gazeta Express.

Ekipet e KEDS kanë arritur që vetëm pas gjashtë ditësh ta gjejnë këtë prishje, dhe e kanë sanuar menjëherë.

“Ekipet e KEDS-it kanë dalë menjëherë në terren dhe kanë arritur tek sot ta identifikojnë prishjen dhe ta sanojnë menjëherë ata. Po të mos ekzistonte mundësia alternative, akte të tilla do t’i linin pa energji elektrike për 5 ditë me radhe rreth 10 mijë banorë, pasi dalja e Maxhunajve është ndër më të mëdhatë në Vushtrri”, konfirmon njoftimi i KEDS.

Sipas tyre ky akt i shëmtuar ka bërë që të mbesin rreth 2000 familje pa energji elektrike.

“Kjo ka lënë për një kohë rreth 2000 familje të asaj ane pa energji elektrike, pasi ishte goditur Larpërcuesi Maxhunaj. Fatmirësisht kishte kapacitete të lira dhe mundësi të lidhjes së konsumatorëve në Largpërçuesin tjetër, atë të Nadakovcit”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

“Prishje të tilla, pos që paraqesin akte të shëmtuara, janë shumë të vështira edhe të identifikohen. Kjo, pasi largpërçuesit janë me dhjetëra kilometra të gjatë dhe depërtimi i plumbave është bërë në një hapësirë të vogël dhe të ngushtë”, thuhet ndër të tjera.

Ata kanë apleuar tek qytetarët që të kenë kujdes ndaj akteve të tilla, dhe të lajmërojnë ekipet e KEDS-it dhe organet e rendit.

 KEDS ndër të tjera njofton se furnizimi me energji elektrike është stabil dhe pa ndërprerje, pos në Istog, ku ka prishje si pasojë e erërave të forta. Ekipet janë në terren dhe duke i sanuar ato në kohën më të shkurtër të mundshme./GazetaExpress/

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart