Lajm i mirë për Kosovën, Bersant Celina do të luajë në ndeshjet e qershorit


Gazeta Express
28 Maj 2019 11:27

Përkundër spekulimeve se Bersant Celina mund të mos jetë i gatshëm për të luajtur për Kosovën në ndeshjet e qershorit për shkak të një lëndimi, Gazeta Express ka mësuar se 22-vjeçari do të jetë pjesë e skuadrës së “Dardanëve” për këto dy ndeshje.

Bersant Celina kishte munguar në pesë nga shtatë ndeshjet e fundit të Swansea Cityt në Championship për shkak të një lëndimi. Hera e fundit që kosovari luajti një ndeshje të plotë ishte kundër Middlesborough, në të cilën i asistoi dy gola, shkruan Gazeta Express.

Ky lëndim i kosovarit kishte bërë që të nxiten shqetësime se ai mund të mungojë në dy ndeshjet e muajit të ardhshëm të Kosovës. Një gjë e tillë do t’i shkaktonte mjaft shumë probleme trajnerit Bernard Challandes, pasi që tashmë dihet për mungesën e tre mesfushorëve kryesore, Valon Berishës, Hekuran Kryeziut dhe Herolind Shalës.

Megjithatë, menaxheri i Përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala, e ka dhënë një lajm të mirë për “Dardanët”, duke bërë ditur se Celina është i gatshëm të marrë pjesë në dy ndeshjet e Kosovës në qershor.

“Celina është lënduar më herët, por do të jetë gati për 2 qershor”, ka thënë Shala për Gazetën Express.

Ekipi kombëtar i Kosovës do të grumbullohet më 2 qershor për t’i filluar përgatitjet për dy ndeshjet e radhës, kundër Malit të Zi më 7 qershor dhe kundër Bullgarisë më 10 qershor. Këto ndeshje do të zhvillohet në kuadër të Grupit A të kualifikimeve për EURO 2020. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart