Lajm i keq për mbështetësit shqiptarë të Bregoviqit, ai kishte mbajtur koncert kundër bombardimeve të NATO's - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

08/08/2021 17:57

Lajm i keq për mbështetësit shqiptarë të Bregoviqit, ai kishte mbajtur koncert kundër bombardimeve të NATO’s

Lajme

Gazeta Express

08/08/2021 17:57

Bashkia e Korçës ka vendosur që për Festën e Birrës ta ftojë në Shqipëri këngëtarin serb, Goran Bregoviq, duke kërkuar – menjëherë pas kritikave të para – që muzika e tij të mos përzihej me politikë. Duke e përzirë fort muzikën e tij në politikën gjenocidiale të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, këngëtari serb më 1999 kishte organizuar një koncert demonstrues kundër bombardimeve të NATO’s mbi Serbinë, e cila po kryente krime makabre në Kosovë, raporton Gazeta Express.

Video nga koncerti i mbajtur në Selanik të Greqisë më 1999 ekzistojnë ende si dëshmi që Bregoviq qe rreshtuar hapur krah atyre që po kryenin krime të paimagjinueshme në Kosovë, siç kishin bërë paraprakisht në Kroaci e Bosnjë e Hercegovinë. Ndërsa s’kishte reaguar asnjëherë ndaj krimeve serbe, reagimin ushtarak të NATO’s, Goran Bregoviq e kishte kundërshtuar me muzikën e tij.

Lexo Edhe:

Atë kohë, regjimi i Millosheviqit dhe politika e tij e përgjakshme kishte arritur kulmin. Bregoviq u ishte bashkuar mijëra grekëve e emigrantëve serbë që me flamuj të Serbisë e Greqisë protestonin kundër ndërhyrjes së NATO’s në këtë luftë. Koncerti ishte transmetuar edhe në mediat serbe.

Bregoviqit qysh atëherë i kishte dalë në pah pozicionimi politik krah interesave serbe në Ballkan. Muzika e tij ishte bërë si kolonë zanore e gjithë atij gjenocidi të kryer nga Serbia në luftërat e viteve ’90.

Për shkak të pjesëmarrjes së Bregoviqit në Festën e Birrës në Korçë, këtë ngjarje e kanë bojkotuar këngëtarë nga Kosova, duke kërkuar të anulohet pjesëmarrja e tij. Pjesëmarrjen e Bregoviqit e kanë kundërshtuar zëshëm edhe disa artistë nga Shqipëria. Madje, ka nga ta që kanë paralajmëruar se do ta parandalojnë edhe fizikisht performancën e tij në Korçë.