Lajçak: Kosova duhet ta ndryshojë Kushtetutën për Asociacionin, ajo nuk është Bibël - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

16/10/2020 10:16

Lajçak: Kosova duhet ta ndryshojë Kushtetutën për Asociacionin, ajo nuk është Bibël

Lajme

Gazeta Express

16/10/2020 10:16

I dërguar i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuciq, ka thënë në Beograd se Kosova duhet ta ndryshojë Kushtetutën për Asociacionin. Për Kushtetutën emisari i BE-së thotë se nuk është Bibël që të mos ndryshohet, shkruajnë mediat serbe, raporton Gazeta Express.

Pas takimit me të dërguarin special të BE-së për negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajcak, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha se Beogradi është i gatshëm të vazhdojnë dialogun sa herë që të caktohet në Bruksel. Lajçaku në anën tjetër ka thënë se gjithçka që është rënë dakord në Bruksel duhet të përmbushet.

“Ne kemi analizuar gjithçka që është arritur dhe ajo që është e rëndësishme është që kemi rënë dakord ta vazhdojmë dialogun dhe angazhimin e plotë të Republikës së Serbisë për vazhdimin e këtij procesi dhe dëshirën për të arritur një zgjidhje kompromisi në mënyrë që të krijohen marrëdhënie më të mira midis serbëve dhe shqiptarëve dhe normalizimin e marrëdhënieve mes BE-së, Beogradit dhe Prishtinës”, deklaroi presidenti serb.

Ai tha se gjatë bisedimeve këmbënguli në zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013.

“Ky është një kusht pa të cilin dialogu nuk mund të vazhdojë me sukses. Paqja nuk është një zgjidhje e keqe, lufta është”, shprehet Vuçiq.

Ai shtoi se Beogradi është i gatshëm ta vazhdojë dialogun me Prishtinën, sa herë që Lajçak i cakton takimet.

“Çfarëdo bisedash që të kemi, sado të vështira dhe të komplikuara, ndonjëherë edhe të këqija, është më mirë të kemi një dialog, biseda, sesa të mos flasim, sepse kur nuk flasim, gjithmonë mund të ketë incidente duke rrezikuar jetën e njerëzve”, tha Vuçiq.

Miroslav Lajçak, në anën tjetër, tha se gjithçka që është rënë dakord në Bruksel duhet të përmbushet. I dërguari special thotë se gjithçka që lidhet me Asociacionin e Komunave Serbe tashmë është rënë dakord dhe është nënshkruar dhe se duhet të realizohet dhe se hapi tjetër është negocimi i statusit të këtij komuniteti.

“BE-ja udhëheq ose përmbush rolin e lehtësuesit, bazuar në Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të KB-së dhe qëllimi ynë është normalizimi i marrëdhënieve, të dy palët duhet të bien dakord”, thotë Lajçak.

Sipas tij, normalizimi është në interes të çdo qytetari dhe BE-ja është këtu për të ndihmuar.

“Ne nuk mund të duam normalizim më shumë se Serbia dhe Kosova”, tha ai.

“Çështja kyçe ose parimi i tërë këtij procesi është që në fund të fundit të mos ketë çështje të hapura ose të pazgjidhura. Kemi të bëjmë me çështje që nuk kanë qenë në negociata deri më tani dhe ato që kanë qenë, por nuk janë përmbushur. Këto janë çështje të vështira që provokojnë emocione dhe çelësi është që gjithçka që është rënë dakord duhet të përmbushet”, nënvizon Lajçak.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, i dërguari special i BE-së tha se ai ishte gjithmonë kundër caktimit të afateve në mënyrë që të mos bëhej skllavi i tyre.

“Ne jemi këtu për të ndihmuar procesin të shkojë aq shpejt sa palët janë të gatshme të shkojnë. Ne nuk duhet të zvarritim dhe nuk ka logjikë për ta shpejtuar atë artificialisht. Ky proces ka të bëjë me perspektivën evropiane. Serbia është në një situatë kur 18 kapituj janë të hapur, “Integrimi në BE është në fazë dhe unë jam i bindur se suksesi i dialogut do të thotë shumë në fazën e integrimit”, thekson Lajçak.

Ai tha se para se të shkonte në Prishtinë kishte deklarata të ndryshme, por që, shtoi ai, në 25 takime, aq sa kishte, askush nuk tha që ai nuk do t’i përmbushë detyrimet e tij.

Kur bëhet fjalë për Kushtetutën, ai thotë se pozicioni i BE-së është të negociojë procese kaq serioze sa është logjike që Kushtetuta duhet të ndryshohet.

“Dhe askush nuk tha që ishte e pamundur, Kushtetuta nuk është Bibla. Nëse biem dakord për çështje serioze, atëherë sigurisht që duhet të pasqyrohet në Kushtetutë”, tha ai. /GazetaExpress/