Ky është rrëfimi i Nekibe Kelmendit për vrasjen e djemve dhe burrit nga forcat serbe


Gazeta Express
20 Qershor 2019 11:41

Dje u bënë tetë vite që kur u nda nga jeta, nënkryetarja e LDK-së, dhe deputetja Nekibe Kelmendi. Më poshtë mund ta gjeni rrëfimin e saj për vrasjen e burrit dhe djemve nga forcat serbe.

(Nekibe Kelmendit, In Memoriam Gruas dhe Nënës Heroinë 11.05.1944 – 19.06.2011)

Ishte nata e parë e intervenimit të forcave të NATO-s,  24 mars 1999, veprim kaq i pritur. Serbia, ndërkaq, që herët i kishte sajuar planet shfarosëse të shqiptarëve, të cilat veç sa i intensifikon që me natën e parë, dhe vetëm disa orë pas rënies së bombës së parë. Në Prishtinë, cak i parë i sulmit mbi civilët do të jetë familja e avokatit të njohur kosovar, Bajram Kelmendi, me të bijtë. Forcat serbe, të sajuara nga tri formacione të armatosura, dramën, në atë errësirë nate, e zhvillojnë marramendshëm… Nekibe Kelmendi, grua dhe nanë, rrëfen për zhvillimin e ngjarjes, që do të lërë vuajtje të pafund në jetën e saj.

Zyra e avokatit Bajram Kelmendi ndodhet po aty, pranë shtëpisë, tashmë e riparuar nga plumbat e shumtë të bërë blozhdë, në natën kur u mor avokati me të bijtë. Veçse, tani boshllëkun e atij vendi e ka zënë e bija, Kosovarja, avokate, ndërsa Nekibja ushtron postin e Ministrit të Drejtësisë. Që të dyja, bashkë me nuse Vjollcën, e ruajnë të gjallë kujtimin për familjarët që nuk janë më. Ndërkaq, në shtëpi, në ballë të sallonit, qëndrojnë tri fotografi, që kanë zënë vend të përjetshëm: Bajrami në mes, me Kastriotin e Kushtrimin, anash.

Në muajt e vitet e para të ngjarjes tragjike, dukej se Nekiben e çlironin nga ankthi rirrëfimet e asaj ndodhie mizore të asaj nate tragjike në familjen Kelmendi. A është, a thua, edhe tani, pas kaq vitesh, ashtu për këtë grua të përvuajtur me qëndrim burrëror?

Ishte nata e parë e fillimit të intervenimit të NATO-s, të gjithë po e prisnim të ndodhte, më në fund, që të ndërpriteshin ato heqje aq të gjata të shqiptarëve, sidomos të atyre dhjetë vjetëve të okupimit. Ato dridhje të pritura, që u përjetuan pas orës tetë të asaj mbrëmjeje me bombardimin e parë, do të thellojnë akoma më shumë veprimet e forcave serbe të sjella nga Serbia. Çdo gjë e kishin planifikuar, jo vetëm gjatë Konferencës së Rambujesë e të Parisit.

Dritat elektrike ishin ndërprerë që me sirenat e para serbe, shenjë e fillimit të sulmeve. Jashtë qetësi e rëndë, ndërsa Kelmendët, si të gjithë shqiptarët, po përgjonin çfarë po ndodhte. Kastrioti, djali i madh, i entuziazmuar që filloi bombardimi dhe i disponuar, po bisedonte përmes mobilit me shokët e dalë në Shkup. Si natë e parë, askush nuk po imagjinonte se çfarë do të pasonte, ndonëse serbët gjithherë po vepronin dinakërisht. Për këtë natë tragjike dhe për pasojat e veprimeve serbe, rrëfen zonja Nekibe, tregim ky që të rrëqethë nga dialogët dhe nga veprimet e tyre:

“Shtëpia jonë ishte rrethuar nga forca të mëdha policore të kombinuara, që në orën dhjetë të mbrëmjes dhe në një hapësirë të gjerë, që nga Katër Llullat e këtej, ndërsa ne nuk po dinim gjë. Këtë do të na e tregojë, pas dy ditësh, një dëshmitar serb, në fqinjësi, (që nuk është më). Kur ora dëftoi kalimin e mesnatës, Bajrami e Kushtrimi, të lodhur, ranë në gjumë, ndërsa unë, Kastrioti e nuse Vjollca, po rrinim zgjuar. Saktë, në orën 12 e 50 minuta, rrëmbimthi u thyen dyert e shtëpisë dhe policia u fut brenda me shumë zhurmë e urdhra! Ishin pa maska, fytyrat u vëreheshin qartë, që edhe sot do t’i identifikoja. Urdhri i parë ishte – ta braktisnim shtëpinë brenda pesë sekondash! Dhe, dolën jashtë. Ndërkohë, ata kishin vënë nën shkallë dy bomba me siguresa të hequra, që, sipas planifikimit të tyre, sapo të dilnim, ta likuidonin gjithë familjen! Ne, edhe sikur të donim, nuk do të mund të dilnim aq shpejt. Pastaj u kthyen vrapthi dhe sërish me zhurmë, tashti urdhëruan që të shtriheshim barkas dhe me duart lidhur pas qafe, ndërsa po na i mbanin automatikët mbi kokë, një polic këndej, një andej. Ky në të djathtë ishte kryesori, udhëheqësi i grupit, biond, tjetri zeshkan. Të tjerët u ngjitën shkallëve me britma e me kërcënime që të futnin tmerrin: “E keni lypur Republikën, do ta keni! Edhe NATO-n e keni thirrur, ja, ajo po na bombardon!” Hynë në dhomën tek po flinte Bajrami, e nxorën dhe nisën ta godisnin fuqishëm me kondak në të dy anët e përmjetit, në të hollë, aq sa  mbeti pa frymë e pa zë, mbështetur për parmakët e shkallëve. E zgjuan edhe Kushtrimin, 16 vjeç, të cilin, sapo doli, e urdhëruan të shtrihej. Tashmë e gjithë familja ishim në korridor, nën kërcënimin e armëve dhe të të shtënave, derisa po bënin demolimin e shtëpisë, po thyenin kompjuterë e çfarë gjenin. Tashti, të parin e morën djalin e madh, Kastriotin, e futën në dhomën që është e lidhur me kthinën, ku ishim të shtrirë ne. Dëgjuam urdhrat e tmerrshme, që do të më tingëllojnë në vesh tërë jetën:

– Ndize cigaren e fundit! – (Heshtje e rëndë).

Pastaj e urdhëruan Kushtrimin të ngrihej,  aty e kam ngritur kokën e i kam lutur: Mosni, bre, se i ka vetëm 16 vjet! E morën, u dëgjua kur i thanë:

– Puthi për herë të fundit fëmijët e vëllait! Puthe edhe kunatën!

Mandej u kthyen nga Bajrami e Kastrioti, dhe i morën! Polici, që ishte pranë nesh, e pyeti kryesorin:

– A ta marrim edhe gruan? U mendua disa sekonda, e tha:

– Jo, gruan lëre ! – u dëgjua zëri i ashpër.

Kur i morën, Bajrami e Kastrioti ishin me pantofla, ndërsa Kushtrimi në kanotierë e brekë, zbathur. E kthyen që të vishej, ndërsa ai, nga habia, i vesh tutat e mia, po nuk e lënë edhe të mbathej. DOLËN. Nuk më lanë as të përshëndetesha me ta!

Atë natë, unë kam identifikuar 3 formacione forcash serbe: një formacion ka qenë ushtarak, i Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake (KOS-i), formacioni tjetër ka qenë i Policisë së Serbisë, i kam parë emblemat e tyre në krah, dhe formacioni i tretë ka qenë i Sigurimit Shtetëror Federativ, policia speciale, me stemën e Jugosllavisë në krah. Të gjithë janë vënë në veprim kundër një familjeje civile, të paarmatosur!

Shfaqja e Bill Klintonit në TV

Ishin orët e para të natës së 25 marsit 1999, e enjte, 2  pa 15 minuta. (Një orë kishin zgjatur veprimet e tyre çnjerëzore nëpër shtëpi!)

Datë e fiksuar përjetësisht në kujtesën e Nekibes. Ajo natë e errët, e ai rrëmbim i egër i të shoqit me dy të bijtë, që nuk do t’i shohë më të gjallë, tek Nekibja mbetet plagë e përjetshme, që sajon historinë e kësaj toke. Në atë errësirë nate mbeten të shastisura, Nekibja, nusja e Kastriotit, Vjollca, dhe fëmijët, Sokoli 2 e Elena 6 vjeç, e cila nuk do të pushojë së qari deri në orët e mëngjesit, duke kërcyer nga kanapeja në kanape.

Nekibja menjëherë provon të bëjë telefonatë, formon numrin e Kushtrimit, vetëm 2-3 minuta pas rrëmbimit, që të kuptonte nga po i çonin, por dëgjon zërin: Numri që ju kërkoni është çlajmëruar! Këtë provë e bën edhe me telefonin personal, por merr të njëjtën përgjigje, që domethënë edhe linjat telefonike ishin të planifikuara për shkëputje.

“Menjëherë i kam telefonuar Skënder Hysenit, me lutjen që të bisedonte me Cristofer Hillin në Shkup, ambasadorin amerikan, nëse mund të intervenonte për t’i shpëtuar. Mirëpo, Hilli i thotë se nuk mund të bënte gjë, ngaqë askush nga ndërkombëtarët nuk ishte në Kosovë, qysh më 20 mars e kishin braktisur vendin. Atëherë, i kam telefonuar Natasha Kandiqit: E ke internetin, alarmo botën se ma morën Bajramin me fëmijët…!” Arrin, në atë siklet, të marrë në telefon edhe të bijën, Kosovaren, në Pejë, që të largohej nga shtëpia menjëherë, së paku ajo të shpëtonte! Policia arrin në shtëpi të Kosovares në mëngjes, kur ajo e kishte braktisur shtëpinë… Ende pa ditur gjë se çfarë u kishte ndodhur, akoma pa i gjetur kufomat, Bill Klinton, siç i tregojnë më pastaj, del në televizor: U vra avokati më i njohur në Kosovë me të bijtë! Këtë e thotë edhe Solana!

Dialogu para ekzekutimit

Nekibja rrëfen: “Ishte ora 1, 45 minuta kur i nxorën nga shtëpia. Vetëm për dhjetë minuta arrijnë te pompa e benzinës në rrugën për Fushë-Kosovë, te vendi ku do të ndodhë ekzekutimi. Tërë ngjarjen do ta vështrojë, rastësisht, djaloshi nga Prishtina (25 vjeç), i cili po kthehej nga axha i tij, që po punonte rojtar në fabrikë, në afërsi, për t’ia bërë me dije se situata ishte tepër e rëndë dhe se të mos kthehej në shtëpi, pa zbardhur dita! Djali, kur po i afrohej pompës ndonja 50 metra, heton dritat e forta të xhipave të Sigurimit Shtetëror. Në çast shtrihet përtokë, në disa barishta të thara, për të mos u hetuar, dhe që andej vështron gjithë dramën. Në vend të ngjarjes arrijnë: Mishko Llakoviq, i Sigurimit Shtetëror për Prishtinë, David Gajiq, i Sigurimit Shtetëror për Fushë-Kosovë, Sreten Llukiq, i Sigurimit Shtetëror për Serbi, si dhe tre ekzekutorë. I nxjerrin nga xhipat Bajramin, Kastriotin e Kushtrimin. I qesin përpara. Pastaj i thërrasin ekzekutorët, të cilët i mbajnë armët-kallashnikovë në gjendje gatishmërie. Të parin e urdhërojnë Kastriotin:

–                 – Merre armën dhe shkrep mbi babanë!

–                 -Jo, nuk mundem! – ua kthen. Atëherë i kthehen Kushtrimit:

–                 – Ja, kape armën dhe shkrep mbi babanë!

–                 -Nuk mundem, jo! – u thotë. I kthehen Bajramit me armën në dorë:

–         – Mëshoju djemve! Bajrami flet:

–                 – Nuk mund ta bëj!

-Eeee, i thonë, ta shohësh ti, se si ne mundemi! Ekzekutorët, sipas urdhrit, i ngrenë armët: Së pari e godasin Kastriotin me një plumb në zemër! Pastaj i kthehen Kushtrimit, veprojnë njësoj – me plumb në zemër! Të dy bien të vdekur. Në momentin kur të bijtë shtrihen përtokë, Bajrami i tmerruar e kap kokën me të dy duart, duke e ngritur lart, dhe nga dhimbja lëshon tingullin: Iiiiiiiiiih! – I kthehen: Zashto kukash, kukavico jedna! (Pse po kukat, mor qyqar!). Atëherë, i afrohen Bajramit, e qëllojnë me një plumb në mes të ballit dhe me një tjetër pak anash! E rrëzojnë. Tashti shtinë me rrebesh plumbash mbi të tre: Mbi trupin e njërit bien 18 plumba, mbi tjetrin 24 dhe mbi të tretin 32 plumba! Me 32 plumba më duket ka qenë i goditur Kastrioti, se plumbi ia kishte këputur edhe gishtin e dorës.

Ekzekutimi ndodh në orën 2 të natës, e tëra kryhet brenda 5 minutash. I lënë trupat shtrirë dhe largohen.

Djali që kishte përgjuar gjithë ngjarjen, dhe që e kishte njohur Bajramin, kthehet në shtëpi, i telefonon Degës së LDK-së në Zvicër, u thotë: E vranë axhën Bajram me të bijtë! Ata mandej e lajmërojnë LDK-në në Prishtinë, në mëngjes. Veçse, këta nuk marrin guximin të më tregojnë, po shkojnë në Këshillin për të Drejtat e Njeriut, të cilët vijnë të interesohen, që në fakt vijnë të më tregojnë për vrasjen, po edhe këta nuk munden…”

Trupat u gjetën pas dy ditësh

Që në mëngjes, në orën 7, Nekibja del nga shtëpia për t’i kërkuar, a thua ku mund t’i kenë shpënë?! Troket derë më derë në stacionet e policisë. “Ditën e parë, 5-6 orë pas rrëmbimit, kam shkuar te Sigurimi Shtetëror, kam pyetur: Ju lutem, kush është shef këtu? – Mishko Llakoviq, më thanë. – A bën t’i thoni të më pranojë? – u thashë. – Nuk është këtu, ma kthyen.    Atëherë, vëllai im ia gjen shtëpinë Llakoviqit, i shkon në derë. Del e shoqja, e cila i thotë se Mishko është në gjumë, sepse mbrëmë ka punuar deri në orën 2 të natës! Fakt që po ndërlidhej me këto dy momente. Dhe, derisa po qëndroja në lokalet e Sigurimit, ja po vjen Mishko Llakoviqi, që unë nuk e njihja, po portieri ma bëri me kokë. I dola përpara: Jeni ju Mishko Llakoviqi? – Po, më tha. – Shef i Sigurimit Shtetëror? – Po.  Vazhdova: Dua të më pranoni, se ma kanë marrë burrin, avokatin, me të dy djemtë! – Tha, prit pak, tash sa erdha prej shtëpisë, dhe u ngjit shkallëve. Nuk vonoi, kur pas 2-3 minutash, i thërriti ata të sportelit e u tha: Thoni asaj gruaje le të shkojë, se kam takim me personelin. Gënjeshtër! Prej aty kam shkuar nëpër polici, kudo më shtynin për palltoje, për gjoksi: Shko kërkoji te UÇK-ja, ajo t’i ka vrarë! Unë ua ktheja, jo, UÇK-ja nuk I ka vrarë, se, Bajrami i ka mbërojtur në procese të ndryshme gjyqësore! Të nesërmen, bashkë me vëllanë kemi shkuar te Danica Marinkoviq, që ishte kryesorja e Sigurimit Shtetëror për Kosovë. Unë kisha punuar me Danicën deri në vitin 1987. Hyra në zyrë të saj dhe i thashë: Danica, ti je e Sigurimit, ti e di, të më tregosh, gjallë o vdekur, ku janë? Ajo ma ktheu me zë të dridhur: “Majke mi, ja ne znam, ne znam…! (Pasha nënën, unë nuk e di, nuk e di). Po flitet se janë gjetur do kufoma te pompa e benzinës, po nuk e di a janë të tyre, unë s’di gjë…ndoshta i ka marrë UÇK-ja…” Atëherë jam ngjitur lart, te prokurori. Kur kam hyrë, e kam gjetur komplet kolegjiumin e gjykatësve të Gjykatës së Qarkut të Prishtinës, serbë, dhe prokurorët duke pirë raki, duke ngritur dolli, se – u vra Bajram Kelmendi me të bijtë! U kthyem në shtëpi, pa kurrfarë informatash, bashkë me vëllanë dhe me motrën, Zyrafeten. Unë hyra e para në derë, pas meje motra, vëllai mbeti i fundit. Mirëpo, matanë rrugës po qëndronte një njeri, me moshë mesatare, i cili i jep shenjë vëllait me dorë, ky i afrohet: O shkoni, bre, merrni, të tri kufomat janë në filan vend…, po frikohem mos po i hanë qentë!” Vëlla e motër të Nekibes, pa e ditur kjo, shkojnë e i gjejnë që të tre të shtrirë! Ishte data 27 mars. Kthehen: “Zoti të lashtë shëndoshë, se ata i kishin vrarë, i gjetëm në filan vend” – ishin ngushëllimet e tyre.” Kur vëllai gjen një kombi dhe shkon t’i marrë trupat, aty e gjen Danica Marinkoviqin (!), e cila nuk lejon t’i marrë, me pretekst se “duhej bërë obduksioni”.

Varrimi

“Më 28 mars, ishte Dita e Kurban Bajramit, kur m’i sollën në shtëpi trupat e tyre. Në xhaminë Alaudin i mora 3 arkivole, që kishin tepruar nga të vrarët e Kleçkës.

– Policia, vetëm 5 minuta m’i lanë trupat e tyre në shtëpi! I shikova mirë, që të tre, i preka një nga një, ua numërova plumbat… Kjo ishte përshëndetja ime me ta! (Qan). I bëmë dy autokombi, njërin e shtimë në njërin dhe dy në tjetrin. U bëra gati për varrim, i futa në gjoks flamujt kombëtar, të mos m’i shihte policia, e cila ndodhej në çdo 50 metra deri tek varrezat, ndërsa fotografitë i mbaja në dorë. Kur mbërrimë, i nxora flamujt dhe i mbulova arkivolet. Hoxha, Rexhep Boja, ua këndoi tallkinin. Në çastet kur po i varrosnim, nga një rrugë vizavi varrezave, erdhi një turmë njerëzish. Ishte Fehmi Agani i ndjerë, akademik Rexhep Ismajli, Vehap Shita, Fazli Balaj, Miftar Jasiqi…, nuk po i mbaj mend të gjithë. Adem Demaçi e mbajti një fjalim, policia nuk na pengoi. Profesor Aganin që po e mbanin për krahësh, e luta: Profesor, thojeni ndonjë fjalë, se Bajramin e keni pasur edhe nxënës, edhe shok. Nuk mundi të fliste fare, se në mjekër i bashkoheshin lotët! Atëherë kam folur vetë: U kam bërë apel nënave të tjera që të bëhen të qëndrueshme, se, luftë është kjo, këto janë sakrificat që po japim për Kosovën… Kam qëndruar shumë stoike, një lot nuk e kam derdhur!

NATO po vazhdonte intervenimet. Nekibja vazhdon jetën në një shtëpi, prej së cilës nuk del tre muaj. Lehtësohet pak kur kupton për Kosovaren, e cila, pas jetës së vështirë nëpër katunde të Pejës, deri më 9 maj ’99, arrin që me vajzën 5 vjeçe, me të shoqin dhe me të afërmit, pas itinerarit të rëndë, nën dirigjimin e forcave serbe, të dalë matanë kufirit.  Agjencitë e njohura televizive, CNN, BBC, Rojters… që po xhironin arritjen e të përndjekurve që në kufi, e ndalin Kosovaren, e cila në anglishte u tregon për vrasjen e babait dhe të vëllezërve si dhe për të gjitha ato që po ndodhnin në Kosovë… Pas kalimit në Tiranë, miqtë e shumtë provojnë ta qetësojnë Kosovaren… Ndërsa nuse Vjollca me fëmijët arrin të depërtojë në Strugë…

Kosovarja kthehet në Kosovë që me përfundimin e luftës, thuaja nëpër mina, e lënduar, e tmerruar nga goditja e rëndë familjare!

*  *  *

Viti 2009 shënon 10 vjet të përfundimit të luftës. Ndjenjat janë po ato, dhimbja po aq e fuqishme…- “Për mua, dhimbja është e freskët gjithmonë. Fotografitë e tyre i kam të vendosura në sallon të shtëpisë. Dhe, nuk ka ditë që unë nuk hyj të përshëndetem me ta, t’u them mirëmëngjesi dhe ditën e mirë! Edhe kur kthehem, i nderoj përsëri. Ua uroj festat, i përqafoj fotografitë… Dhe, ato fotografi nuk dua t’i heq sa të jem gjallë! (ligështim nëne, shoqëruar me lot). Mirëpo, kur e di pse kanë shkuar, unë gjej forcë për të vazhduar punën e Bajramit, po edhe punën time, e cila deri diku ka qenë e përbashkët, veçse ai ka punuar më shumë se unë. Prandaj dhe nuk ka qenë rastësi që në derën tonë të vijnë që në natën e parë!”

Zonja në të zeza, siç njihet tani Nekibja, te Elena 16 vjeçe dhe te Sokoli 12 vjeç, sheh të parakalojnë fëmijëria dhe rinia e Kastriotit dhe Kushtrimit… kujtim i hidhur, nga i cili shpërthejnë plagët e papërthara për përfundimin aq mizor.

Bajram Kelmendi, avokat, jurist nga më të shquarit, ishte autor ose bashkautor i disa iniciativave e kontesteve për  vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të regjimit serb. Ishte autor i kallëzimit penal kundër Millosheviqit në Gjykatën e Hagës dhe i qindra kallëzimeve të tjera, që Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë ia dërgoi Trubunalit për krimet serbe mbi shqiptarët në Kosovë.

Pse zonja Kelmendi  nuk u ftua asnjëherë në Hagë?!

“Tri herë më kanë intervistuar hetuesit e Tribunalit të Hagës, u kam çuar mjaft material argumentues për aktivitetin e Bajramit, për kallëzimet penale, mirëpo Karla Del Ponte nuk e ka parë të arsyeshme të më thërrasë, as kur është gjykuar Millosheviqi, as kur janë gjykuar Millutinoviqi, Sreten Llukiqi e të tjerët!

Dialogu me Karla Del Ponten: Kam kontaktuar 3-4 herë me të dhe i kam thënë: Pse nuk më thërret dëshmitare?! Më thoshte – kur të vijë radha! – Jam konfrontuar me të me fjalë dhe i kam thënë: Ti u ke hyrë në hak shqiptarëve që nuk e ke akuzuar Millosheviqin për gjenocid! Më thoshte – nuk kam pasur prova! – Po si nuk ke pasur prova, kur atje e ke gjithë arkivin shtetëror dhe ushtarak! Ti je pushtet gjyqësor, ti ke mundur t’i marrësh, po s’ke treguar vullnet! Më tha: I ke të deponuara deklaratat e tua, do të merren parasysh. I thash: – E ke bërë përzgjedhjen e keqe të dëshmitarëve, ke marrë politikanë, çfarë të vyen ty politika e Kosovës, e nuk të vyen faktografia për krimet që janë bërë?! – Pas një ore debati shumë të ashpër (në Hagë), më tha: Qenke grua shumë e fuqishme! Gjatë qëndrimit në Hagë, unë e bëra publike se jam viktimë, dhe se atje kam shkuar si grua që e kam pësuar. Kam pritur se do të më ftonte, por nuk ndodhi! Ajo grua ka qenë e anshme!

Në fakt, Karla Del Ponten nuk e ka interesuar e vërteta për Kosovën. Atë grua e ka interesuar më tepër karriera e saj, e ka interesuar mbajtja e fjalimeve politike, shkuarja orë e çast në Beograd, kinse për t’ia dorëzuar kriminelët, ndërsa ka dashur të kishte kontakte të drejtpërdrejta. Është parë se ajo grua nuk ishte duke e luajtur rolin e mirëfilltë të prokurorit! Qëllimi i saj u pa me botimin e librit të fundit për ngjarjen. Kur doli libri, erdhën ata të agjencisë gazetareske Asoshietedpress dhe më pyetën çfarë mendoj unë. U thashë: Nuk u besoj fjalëve të saj, nuk e besoj çfarë përmban libri…!

2016-06-21_08-32-39

(Nga libri “Histori të  tmerrit 1998-1999, Dosje krimesh të  luftës, rrëfime të grave”, i autores Sanije Gashi).

Stokholm, e mërkurë, 17 korrik 1996/ Voal

Te fundit


Kthehu lart