Kuvendi dhe qytetarët bashkë për heqjen e monopolit të homologimit – a do të bindet Ministri?


Gazeta Express
1 Korrik 2019 16:31

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me votën e tyre sot në Kuvend kërkuan që t’i jepet fund monopolit për homologimin e veturave që e gëzon kompania ‘EuroLab’, e udhëhequr nga Devollët. Tash topi është hedhur tek Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, të cilët ka kohë që po i kërkohet të shfuqizojë një urdhëresë administrative. Tema e homologimit  u aktualizua pas kërkesave të Bashkimi Evropian, derisa ditë më parë filloi edhe një peticion online që u nënshkrua nga më shumë se 6 mijë persona, shkruan Gazeta Express

62 deputetë, kanë votuar sot pro rezolutës që u propozua nga deputeti i LDK’së e ish-ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku, për heqjen e monopolit lidhur me shërbimin e homologimit të veturave.

Me dy vota abstenim, sipas kësaj resolute, kërkohet ndërpreja e udhëzimit administraitv të vitit 2018’të për homologim të automjeteve, e që brenda gjashtë muajve prej miratimit kërkohet të liberalizohet edhe tregu për homologim. Në këtë periudhë do të hyjë në fuqi një udhëzim administrativ i ri në bashkëpunim me direktivat e BE’së dhe MSA’së.

Ditë më parë, Zharku ishte fajësuar nga ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj që thoshte se ish-ministri kishte qenë ai që ka lejuar monopolin në homologim. Lekaj thoshte tutje se i ka marrë seriozisht rekomandimet e shefes së BE’së për këtë temë.

Ishte, Nataliya Apostolova, shefe e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE), në Kosovë ajo që u ka kërkuar deputetëve të Kuvendit që t’i bëjnë trysni Qeverisë për  për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ të nxjerrë gjatë vitit të kaluar, i cili ka mundësuar vazhdimin e monopolit për homologimin e automjeteve.

Kërkesën Apostolova e adresoi edhe në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, një muaj para se të bëhet udhëzimi i plotfuqishëm, i cili do t’ia siguronte kompanisë “EuroLab” kryerjen e këtij shërbimi, si kompani e vetme edhe për 10 vjet të tjerë.

Në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Apostolova, përsëriti qëndrimin e BE-së se monopoli bie ndesh me standardet e BE-së, e po ashtu edhe me Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim, të cilën obligohet ta zbatojë Kosova.

Ndryshe, para pak ditësh, qytetarët e vendit kanë filluar nënshkrimin e një peticioni onlinë për t’i dhënë fund monopolist të Devollëve dhe këtij obligimi në tërësi. Deri më tani këtë peticion e kanë përkrahur 6 mijë persona.

Kundër monopolit të Devollëve në homologim së fundi janë deklaruar edhe ambasadori gjerman, Oda Amerikane dhe Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Ambasadori gjerman, Kristian Heldt, ka thënë se nuk e kupton se si veturat që vijnë me të gjitha dokumentet dhe kontrollet e nevojshme, duhet t’i nënshtrohen edhe një kontrolli tjetër nga kompania private, që në këtë rast është e Devollit.

“Vetëm një ambasador i gjorë që po provoj të kuptoj logjikën se si shkojnë procedurat: Veturat e reja nga Evropa importohen në Kosovë me dokumente të kompletuara për homologim. Por pastaj, gjithçka duhet të kontrollohet edhe njëherë nga një monopol lokal që duhet të paguhet më shtrenjtë në gjithë BE-në?”, ka shkruar Heldt në Tëitter, transmeton Express.

Edhe Oda Amerikane ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me monopolin në homologimin e automjeteve nga Devollët, duke thënë se kjo pengon konkurrencën, promovon praktikat e padrejta të ofrimit të shërbimeve dhe rrit shpenzimet e bizneseve dhe qytetarëve.

“Të pasurit e një operatori të vetëm të homologimit pengon konkurrencën e lirë, e rrjedhimisht edhe efikasitetin që do të rezultonte nga ofrimi i shërbimit nga më shumë operatorë, si në aspekt të shmangies së çmimeve të larta, por edhe të rritjes së disponueshmërisë së shërbimeve të diversifikuara për publikun. Sistemi aktual i homologimit të automjeteve pengon lirinë e ofrimit të shërbimeve, e cila ka për efekt ndëshkimin e konsumatorëve me shpenzime shtesë logjistike nga marrja e shërbimit në një lokacion të vetëm”, thuhet në komunikatën e saj drejtuar mediave.

Ndryshe, për 10 vitet e fundit, qytetarët e Kosovës i kanë paguar kompanisë së udhëhequr nga Devollët hic më pak se 26 milionë euro.

Saktësisht, cdo qytetarë që ka importuar veturë nga ndonjë vend tjetër për në Kosovë është detyruar që të paguaj taksë prej 125 euro, për homologim, edhe pse ky proces u vlerësua i panevojshëm edhe nga Përfaqësuesit e BE’së në Kosovë./GazetaExpress

Te fundit


Kthehu lart