Kushtetuesja i përgjigjet ashpër kërcënimit të Kurtit - Gazeta Express
string(53) "kushtetuesja-i-pergjigjet-ashper-kercenimit-te-kurtit"

Gazeta Express

01/05/2020 21:04

Kushtetuesja i përgjigjet ashpër kërcënimit të Kurtit

Gazeta Express

01/05/2020 21:04

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës e ka konsideruar si të papranueshme letrën që kreu në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, i kishte dërguar më 23 prill, e në të cilën kontestonte profesionalizmin dhe pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata ia ka bërë të qartë Kurtit se nuk duhet të ndërhyjë në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe se duhet t’i respektojë vendimet.

Gazeta Express.

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, më 23 prill i kishte dërguar një letër të pazakontë kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Arta Rama-Hajrizi, në të cilën kontestonte punën e Gjykatës dhe e akuzonte për joprofesionalizëm dhe anshmëri.

Kurti në letrën e tij pretendonte se Kushtetuesja nuk i ka respektuar afatet ligjore dhe Rregulloren e Punës së Gjykatës Kushtetuese për rastin KO61/20 (Ankesa e deputetëve të PDK-së ndaj vendimeve të ministrit Vitia për kufizimin e masave). Përveç kësaj në letrën e tij, Kurti kishte konstatuar se Gjykata Kushtetuese me vendime të kundërligjshme ka vendosur në presion Qeverinë e Kosovës gjë që, sipas tij, është e papranueshme.

“Për ne, refuzimi për të zbatuar rregullat e vendosura nga vet Gjykata Kushtetuese në rrethanat e rastit konkret, është shqetësim serioz në lidhje me profesionalizmin dhe paanshmërinë e Gjykatës”, thuhej në letrën e Kurti drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Madje, në fund të letrës së tij kishte vendosur një “kërcënim” për Gjykatën Kushtetuese duke thënë se Qeveria e tij do t’i shqyrtojë shkeljet e deritanishme dhe se varësisht nga kualifikimi juridik i tyre do të marrë veprimet e nevojshme bazuar në ligjet në fuqi.

Ndaj një letre të tillë të Kurtit sot ka reaguar Gjykata Kushtetuese në vendimin që ka marrë rreth ankesës së PDK-së rreth masave të reja të kufizimit të lëvizjes të marra nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Gjykata Kushtetuese në pikën 15, 16 dhe 17 të aktgjykimit të publikuar sot thotë se një qasje e tillë e Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti është e papranueshme dhe është në kundërshtim me vlerat themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Megjithatë, Gjykata thekson fuqishëm se qasja e Qeverisë ndaj Gjykatës që reflekton kjo parashtresë, është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat themelore të Kushtetutës së Republikës”, konstaton Kushtetuesja.

Gjithashtu i është bërë thirrje Kurtit që të mos ndërhyjë në pavarësinë e Gjykatës duke i rikujtuar kreut të Lëvizjes Vetëvendosje se pushtetet janë të ndara dhe se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen nga të gjitha degët e pushtetit në Kosovë.

“Gjykata rithekson se ajo është organ i pavarur në mbrojtje të Kushtetutës dhe është interpretuesi përfundimtar i Kushtetutës. Gjykata gjithashtu rikujton se Kushtetuta i atribuon asaj pavarësi të plotë në kryerjen e përgjegjësive të saj. Për më tepër, është detyrim kushtetues i Qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Republikës të respektojnë dhe të mos ndërhyjnë në këtë pavarësi. Gjykata gjithashtu i rikujton Qeverisë se Kushtetuta nuk i atribuon asaj asnjë kompetencë përkitazi me vendimmarrjen e pushtetit gjyqësor. Respektimi i vlerave themelore kushtetuese, lidhur me ndarjen e pushteteve, pavarësinë e pushtetit gjyqësor, pavarësinë dhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese dhe mbrojtjen e sundimit të ligjit, është detyrim kushtetues i të gjitha degëve të pushtetit të Republikës së Kosovës”, theksohet në pikën 17 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin KO 61/20. /GazetaExpress/

Aktgjykimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për rastin KO61/20

Advertisement
Advertisement
Advertisement