Kush për çka / Kur barazia vret - Gazeta Express
string(29) "kush-per-cka-kur-barazia-vret"

Kush për çka / Kur barazia vret

Arte

Gazeta Express

02/12/2022 17:07

Përkitazi me  libër-pamfletin “Manifesti i Partisë Komuniste”

Nga Dritan Dragusha

Lexo Edhe:

Tema mbi barazinë çdo herë ka ngjallur debate të ashpra, sepse papajtueshmëria është e pranishme që në fillim. Gjithashtu rrisku i të keqkuptuarit (qëllimshëm apo pa qëllimshëm), është shumë i madh. Përveç kësaj vetë barazia në vetvete nga njëra anë cilësohet si ‘e mira’ a priori, mirëpo, ata që nuk pajtohet me këtë, pjesa tjetër pra, mendojnë se është e pamundur që të jemi të gjithë të barabartë, anipse mund të ngjajmë shumë. Siç edhe dihet kjo përplasje është shumë e hershme, barazia është koncept biblik dhe si e tillë vazhdimisht ka prodhuar mosmarrëveshje. 

Prandaj, në emër të barazisë slogani “Proletar të të gjitha vendeve, bashkohuni!”, u bë kumti i Manifestit të Partisë Komuniste të shkruar nga Karl Marx-i dhe Friedrich Engels-i. Me këtë manifest tentohet të theksohen hendeqet në mesë të klasave dhe që kjo pastaj të bëhet kauza për një betejë të përjetshme në mes tyre. Sipas Marx-it dhe Engels-it, e gjithë historia karakterizohet në mes luftës së klasave. Pra, Manifesti i Partisë Komuniste përmban parulla politike me tone apokaliptike. Fundi i klasës borgjeze është fillimi i një jete të re, sepse fitorja e proletariatit konsiderohet si jeta e re. Autorët nëpërmjet këtij manifesti shprehin qëndrimin ideologjik mesianik për një “botë tjetër” në tokë.

Andaj, klithja e Marx-it dhe Engels-it se proletariati është dënimi më i madh historik për klasën borgjeze, krijoi katastrofa shoqërore të pariparueshme. ‘Parajsa e premtuar’, komunizmi kjo barazi absolute që proklamohej nga autorët e manifestit, në fakt më vonë do të bëhet varri i miliona njerëzve. Fuqia ideologjike e Manifestit të Partisë Komuniste krijoi pushtete autoritare që për synim kishin barazinë e të gjithëve përveç disave.  

Të kërkosh barazi duke u nisur nga premisat natyrore apo edhe pozita shoqërore, në fakt kjo si me automatizëm do të prodhoj pabarazi, sepse nëse jemi të barabartë për nga natyra, kjo nuk na lidhë përjetësisht që të jemi të barabartë domosdoshmërisht në çdo gjë dhe për gjithçka. Madje një kërkesë e tillë për barazi është edhe e pamoralshme, së paku për dy arsye; e para: tentohet që të përligjet diçka që është në nivelin e dëshirueshmërisë, sepse nëse jemi të barabartë për nga natyra, atëherë dëshira jonë është që kjo barazi të shtrihet në tërë horizontin praktik të mundshëm dhe e dyta; një dëshirë e tillë në fakt prodhon mundësi pushteti, për shkak se kur dikush tenton që këtë dëshirë të na përkthejë në realitet, atëherë ai direkt apo tërthorazi do të ushtrojë një lloj pushteti karshi nesh. Për këtë Friedrich A. von Hayek kur e shtjellon problematikën e barazisë në terma ekonomik, ai vjen në përfundimin se: “…fakti se njerëzit nuk janë shumë të ndryshëm, ne në qoftë se ata i trajtojmë në mënyrë të barabartë, rezultati do të jetë pabarazia në pozitën e tyre aktuale, dhe se e vetmja mënyrë për vendin e tyre në një pozitë të barabartë do të jetë për t’i trajtuar ata në mënyra të ndryshme”. Andaj, nisur nga premisat marksiste të tentosh që të krijosh një shoqëri të barabartë domosdoshmërisht do të kalosh në dhunë.

/Gazeta Express