Kush për çka / Friedrich Nietzsche – Për Historinë - Gazeta Express
string(46) "kush-per-cka-friedrich-nietzsche-per-historine"

Kush për çka / Friedrich Nietzsche – Për Historinë

Arte

Gazeta Express

20/05/2022 17:19

Kur ndjenja historike sundon pa u përmbajtur dhe arrin deri te përfundime ekstreme, minon të ardhmen duke shkatërruar iluzionet dhe duke i marrë gjërave që na rrethojnë atmosferën e tyre në të cilën ato mund të jetojnë

Friedrich Nietzsche

Lexo Edhe:

Le të ngrihen të vdekurit për t’i varrosur të gjallët.

Historia është afër mendsh që na nevojitet, por ne kemi nevojë për të ndryshe nga ai amatori i llastuar dhe dembel i cili me mendjemadhësi dhe përbuzje sillet me kërkesat tona vulgare dhe me nevojat tona. Kjo do të thotë se ajo na nevojitet për jetën dhe për veprimtarinë dhe jo që të gjejmë shkaqe të favorshme për t’u shmangur nga jeta dhe veprimtaria ose aq më pak për të justifikuar jetën egoiste e frikamane dhe veprimtarinë e keqe. Ne jemi dakord që t’i  shërbejmë historisë vetëm për aq sa ajo i shërben jetës.

(…) se të gjithë ne vuajmë nga ethet rraskapitëse historike dhe do të duhej që të paktën ta pranonim se vuajmë prej tyre. Në qoftë se Gëte ka pasur të drejtë kur thoshte se duke kultivuar virtytet tona, ne kultivojmë edhe të metat e veset tona dhe në qoftë se, siç e dimë të gjithë, virtyti i ekzagjeruar (ashtu siç e e shoh dhe e gjykoj unë ndjenjën historike të kohës tonë), mund të bëhet aq i dëmshëm për popullin si edhe vesi i zmadhuar, atëherë pse të mos më jepet mua mundësia që ta them atë që mendoj? Se, kur kemi njëfarë teprice të historisë, jeta shkatërrohet e bastardohet dhe fill pas saj bastardohet më në fund edhe vetë historia.

Historia i përket atij që jeton në marrëdhënie të trefishtë: Si qenie që vepron e që përpiqet, si qenie ruhet dhe që respekton dhe në fund si qenie që e ruajnë dhe që ka nevojë të çlirohet. Kësaj tresheje marrëdhëniesh i korrespondon  edhe një treshe llojesh të historisë se ne mundemi që të dallojmë llojet e historisë monumentale, antike dhe kritike.

Historia monumentale – të ngatërron me ndihmën e analogjive. Trimat ajo me anë të paralelizmave joshëse i frymzon me heroizma e për trimërira të marra kurse frymëzimin e shndërron në fanatizëm. Kur një histori e tillë u bie në kokë egoistëve të aftë dhe keqbërësve ëndërrimtarë, atëherë si rezultat i kësaj shkatërrohen mbretëri, vriten pushtetarë, shpërthejnë luftëra dhe revolucione dhe numri i “efekteve në vetvete” historikë domethënë i pasojave pa arsye të mjaftueshme, rritet përsëri. Historia monumentale janë ato rroba maskaradash nën të cilat urrejtja e tyrë për personalitetet e larta e të fuqishme të epokës së tyre shitet si kënaqësi e përulje para të mëdhenjve e të fuqishmëve të së shkuarës. “Le të ngrihen të vdekurit për të varrosur të gjallët.”

Historia antikuare – Kur ndjenjat e popullit bëhen aq vulgare , kur historia i shërben jetës së shkuar në mënyrë të tillë saqë minon jetën që pason dhe sidomos format e saj më të larta, kur ndjenja historike e popullit nuk i ruan po e balsamos jetën, atëherë pema vdes dhe bashkë me të në kundërshtim me rregullat e natyrshme, vdes gradualisht duke filluar nga maja e duke mbaruar te rrënjët të cilat edhe ata në fund të fundit vdesin. Vetë historia antikuare bastardohet kur jeta e gjallë moderne nuk e frymëzon më. Atëherë vdes qëndrimi i shenjtë për historinë dhe ngelet vetëm një zakon shkencor që në mënyrë egoiste e me vetëkënaqësi vërtitet rrotull qendrës së vet. Dhe në këtë rast vështrimeve tona u hapet një pamje e neveritshme e një pasioni të verbër për të mbledhur fakte dhe e grumbullimit pa u lodhur të të gjitha atyre që kanë ekzistuar dikur. Njeriu e rrethon vetën me një atmosferë kalbësirash.

Historia kritike – një yll i tillë, yll i shkëlqyer e madhështor ka dal me të vërtetë midis jetës dhe historisë, konstelacioni me të vërtetë ka ndryshuar dhe ka ndryshuar për shkak të shkencës, për shkak të kërkesës që historia të bëhet shkencë. Tani jo vetëm jeta mbretëron dhe ja nënshtron vetes dijet e të shkuarës, jo gurët e kufijve janë flakur tej dhe çdo gjë që dikur ka qenë, i bie njeriut mbi kokë. Të gjitha perspektivat sprapsen drejt fillimit të çdo zhvillimi domethënë drejt pafundësisë.

Kur ndjenja historike sundon pa u përmbajtur dhe arrin deri te përfundime ekstreme, minon të ardhmen duke shkatërruar iluzionet dhe duke i marrë gjërave që na rrethojnë atmosferën e tyre në të cilën ato mund të jetojnë. Drejtësia historike edhe kur nuk është falas dhe del nga një zemër e pastër, është drejtësi e tmerrshme sepse ajo gërmon vazhdimisht nën çdo gjë të gjallë dhe i çon ato drejt vdekjes dhe gjyqi i saj është gjithmonë shkatërrues.

Në këtë fushë historisë i duhet kundërvënë arti dhe vetëm në atë rast që historia mund të bëhet vepër arti domethënë që të bëhet një vepër e pastër arti, do të mundte ndoshta të mbështeste apo nxiste instinktet. Por ku lloj kuptimi i historisë do të binte në kontradiktë me drejtimin analitik e antiartistik të kohës tonë dhe do të konsiderohej nga kjo e fundit si falsifikim.   

/Marrë nga Friedrich Nietzsche ‘Mbi dobinë dhe dëmin e historisë për jetën’, me përkthim të Vullnet Muço, Fan Noli, 2012

/Gazeta Express