Personalizmi është një filozofi dhe jo një qëndrim i thjeshtë. Ai është një filozofi, jo një sistem
Fjala personalizëm i përket kohëve të fundit. Ajo u përdor në vitin 1903 nga Renouvier për të cilësuar filozofinë e tij, e më pas ra në harresë. Shumë amerikanë e kanë përdorur atë pas veprës së Walit Whitman-it, Democratic vistas (1867). Ajo u shfaq sërish në Francë rreth vitit 1930 për të paraqitur, në një klimë krejt tjetër, hulumtimet e para të revistës Esprit dhe të ndonjë grupi të ngjashëm (Order nouveau, etj) rreth krizës politike dhe shoqërore që bëri bujë asokohe në Europë.
(…) ajo çka sot quhet personalizëm nuk është aspak një risi. Universi i personit është universi i njeriut. çudi që duhej pritur shekulli XX për ta shqyrtuar këtë, qoftë edhe në terma të tjerë. Personalizmi i kohëve tona, siç do të shohim, i bashkëngjitet një tradite. Personalizmi është një filozofi dhe jo një qëndrim i thjeshtë. Ai është një filozofi, jo një sistem. Gjithsesi, personalizmi nuk shkëputet nga një farë sistematizimi, ngase duhet një renditje e mendimeve: konceptet, logjika dhe skemat e njësimit nuk janë përdorur vetëm për të përcaktuar dhe për të kumtuar një mendim, i cili, pa to, do të davaritej në ndjesi të mjegullta dhe të vetmuara; ato shërbejnë për t’i zhbiruar këto ndjesi në thellësinë e tyre: ato janë njëherazi mjet për të zbuluar dhe paraqitur. Pikërisht sepse përcakton disa struktura, personalizmi është një filozofi dhe jo vetëm një qëndrim i thjeshtë.
Mendohet se personalizmi duhej të niste me një përkufizim të personit, por ne e dimë se mund të përkufizohet vetëm sendet që gjenden jashtë njeriut, ato që njeriu mund t’i shohë. Mirëpo, personi nuk është një gjësend, përkundrazi, është pikërisht ajo që tek çdo njeri nuk mund të trajtohet si një gjësend. Ja, p.sh., le të marrim fqinjin tim: ai ka një ndjenjë vetjake për trupin e vet, të cilën unë nuk mund ta ndjej; por unë mund ta shoh këtë trup nga jashtë, duke ja shqyrtuar tiparet, veçoritë e trashëgimisë, formën dhe ligështinë; shkurt, mund ta trajtoj atë si lëndë të dijes fiziologjike, mjekësore, etj. Ky njeri është nëpunës dhe gëzon statusin e nëpunësit, një psikologji nëpunësi, të cilën unë mund ta studioj për rastin e tij, edhe pse këto gjëra nuk janë ai, në plotësin dhe realitetin e vet përmbledhës. Gjithashtu, ai është një francez, një borgjez, ose një maniak, një socialist, një katolik, etj.
Meqë personi nuk është një objekt që mund të veçohet dhe të vëzhgohet, por një qendër e orientimit të universit objektiv, nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta drejtojmë analizën tonë tek universi i ndërtuar prej tij; dhe kjo bëhet për t’i sqaruar strukturat në rrafshe të ndryshme, por që janë vetëm pasoja të ndryshme të të njëjtit realitet. Secili ka të vërtetën e vet, për aq kohë sa ai është i lidhur me të gjithë të tjerët.
/Marrë nga Emmanuel Mounier ‘Personalizmi’, me përkthim të Erion Kristo, “IPLS&DITA 2000”, Tiranë 2000
/Gazeta Express