Kush me kë bën koalicion, sipas Buzhalës


load
Gazeta Express
20 Korrik 2019 15:59

Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, partitë politike kanë filluar t’i bëjnë kalkulimet për koalicionet me të cilat do të futen në zgjedhjet e reja. Kjo pasi që asnjëra nga partitë nuk pajtohet që të vazhdohet me një qeveri të arnuar teknike.

Gazetari Berat Buzhala i ka dhënë parashikimet e tij, se kush me kë mund të bëj koalicione parazgjedhore.

Buzhala, Partinë Demokratike të Kosovës e sheh jashtë çdo kombinimi të mundshëm me partitë tjera dhe sipas tij, PDK’ja e Kadri Veselit në zgjedhje do të garojë e vetme në bashkëpunim me Hashim Thaçin.

Si kombinim të parë, ai e ka vendosur një koalicion ndërmjet LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në një grupim të përbashkët i sheh AAK-në, NISMA’në dhe PSD’në.

Si koalicion tjetër të mundshëm, ai e sheh LDK-në, VV-në dhe AAK-në, që do të sfidohen në zgjedhje nga NISMA dhe PSD’ja.

Buzhala e parashikon një koalicion më ndryshe se dy të parët, ndërmjet partisë së Isa Mustafës, asaj të Fatmir Limajt dhe PSD’së së Shpend Ahmetit, ndërkohë thotë se Haradinaj dhe Kurti mund të hyjnë në zgjedhje sëbashku, shkruan Gazeta Express.

Në fund ai e lë të hapur mundësinë që LDK’ja dhe Vetëvendosje të shkojnë të ndara në zgjedhje, ndërkohë të gjitha partitë tjera i vendos në një listë të përbashkët.

 Shkrimi i plotë i Buzhalës:

Koalicionet e mundshme:

– LDK + LVV; AAK + NISMA + PSD; PDK + Hasha;

– LDK + LVV + AAK; Nisma + PSD; PDK + Hasha;

– LDK + NISMA + PSD; LVV + AAK; PDK + Hasha;

– LDK vete; LVV vete; AAK + NISMA + PSD; PDK + Hasha.

Këto parashikime të gazetarit, Berat Buzhala, vijnë një ditë pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.

Ramush Haradinaj dha dorëheqje të premten dy muaj pa i mbushur dy vite të Qeverisë së ndërtuar nga AAK, PDK, NISMA e AKR.

Haradinaj dha dorëheqje pasi tha se i erdhi ftesa nga Gjykata Speciale, e cila është krijuar për t’i ndjekur ish-udhëheqësit e UÇK’së të dyshuar se kanë kryer krime lufte.

Kohëve të fundit, lideri i AAK’së prishi raportet me Liderin e PDK’së, Kadri Veselin, i cili nga Ëashingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë. Haradinaj tha se një deklaratë e tillë është servilizëm politik.

Udhëheqësi i partisë së pestë në Kosovë mbeti i vetëm në luftën për të mbrojtur taksën e vendosur kundër Serbisë. Ndërsa, ishte kundër prekjes së kufijve, një temë kjo e përkrahur nga Hashim Thaçi.

Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet vendimmarrja popullit. PDK ka mbetur e hutuar nga ky vendim. LDK e Vetëvendosje kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme sikurse edhe PSD e NISMA e Fatmir Limajt.

Presidenti pritet gjatë ditëve të thërras partitë politike për t’u konsultuar për dy opsionet: themelimin e një Qeverie të re ose shkuarjen në zgjedhje.

Praktikisht, ekziston vetëm një opsion pasi askush s’ka numra për të ndërtuar Qeverinë e re, pasi askush s’mund të llogarisë as në votat e Listës Srpska, e cila ka braktisur koalicionin prej vitit të kaluar kur u vendos taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Qeveria e Ramush Haradinaj prej kur vendosi taksën mbeti Qeveri e pakicës e mbështetur për disa vendime nga PSD e Shpend Ahmetit.

Ish-Komandanti i UÇK’së për Zonën e Dukagjinit është Kryeministri i gjashtë i Kosovës pas Bajram Rexhepit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Hashim Thaçit e Isa Mustafës.

Ish-Kryeministri Haradinaj kishte udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe një herë për 100 ditë kur ishte detyruar të jepte dorëheqje në mars të vitit 2005 për të shkuar në Tribunalin e Hagës si i akuzuar për krime lufte. Atje ishte shpallur dy herë i pafajshëm.

Asnjëri prej Shefave të Qeverisë prej pasluftës s’e ka përfunduar mandatin kushtetues. Prej pasluftës janë mbajtur gjashtë palë zgjedhje nacionale

Te fundit


Kthehu lart