Kush është personi i arrestuar për vrasjen e ish- policit Santiago Malko, mësohet dëshmia e tij


Gazeta Express
15 Shtator 2019 18:30

Janë mësuar detaje të reja në lidhje me personin e arrestuar këtë të dielë nga policia, në lidhje me vrasjen e ish- efektivit Santiago Malko, i vrarë me breshëri kallashi disa javë më parë.

Identiteti i 39 vjeçarit të arrestuar është Blendi Teta. Ky i fundit është ndaluar për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës. Në dëshminë e tij për ngjarjen ai ka thënë fillimisht se nuk ka qenë në vendngjarje, atje ku u ekzekutua Malko, por nga pamjet e kamerave në zonë, rezulton se 39 vjeçari ka qenë i pranishëm në vendin e krimit.

Grupi hetimor mendon se dëshmia e 39 vjeçarit mund të hedhë dritë mbi personat që ekzekutuan Malkon ose madje edhe personat që e porositën atentatin.

Si ndodhi atentati ndaj ish- policit:

2 persona kanë hapur zjarr ndaj tij duke bërë që Malko të humbë drejtimin e makinës dhe të dalë nga rruga vetëm 500 metra më tutje. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 9 gëzhoja”.

Por nuk janë qëlluar 9 plumba. Gëzhoja të tjera kallashnikovi besohet se kanë mbetur në furgonin e atentatorëve, i cili dyshohet të jetë i vjedhur.

Ata kanë ndjekur lëvizjet e objektivit, që udhëtonte i vetëm me një fuoristradë BMË X5 dhe e kanë qëlluar në momentin kur ai ka dalë nga ky lavazh, në rrugë “Xhanfize Keko”, në orën 22 e 20 minuta.

Bazuar në të dhënat e policisë, Televizioni Klan ka ndërtuar me mënyrë grafike dinamikën e ngjarjes.

Sapo del nga lavazhi, makina e Santiago Malkos është ndeshur me furgonin e atentatorëve. Ata i kanë prerë rrugën dhe e kanë qëlluar me breshëri nga pjesa e përparme dhe nga ana e pasagjerit.

Makina e 26-vjeçarit del nga rruga dhe përplaset me murin rrethues të një kapanoni, ngjitur me kompaninë e prodhimit të pasaportave, Aleat.

Ndërsa autorët më pas largohen për në periferi të Tiranës, në drejtim të fshatit Ferraj, duke kaluar nga rruga “Kahreman Ylli”, e më pas në zonën e quajtur “Rruga Ura”. Ata e kanë djegur makinën larg banesave të fshatit, afro 6 kilometra, apo rreth 20 minuta larg vendit të krimit.

“Pikërisht në këtë vend, mes kodrave të fshatit Ferraj është gjetur makina e djegur e autorëve të vrasjes së Santiago Malkos. Ky vend duket se është përdorur edhe herë të tjera për të djegur makina pasi bloza dhe tymi janë kudo në këtë zonë. Makina është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ndërsa në të është gjetur edhe arma e krimit, një automatik kallashnikov”.

Në vendngjarje kanë mbetur ende mjetet e përdorura për të djegur makinën, si doreza apo bidona plastikë, të cilët kanë qenë të mbushur me benzinë.

Rruga për të shkuar në këtë vend është mjaft e vështirë, pasi pjesa më e madhe e saj është e paasfaltuar dhe në kushte mjaft të këqija.

Policia e zbuloi makinën pak kohë pas atentatit, por deri tani thuhet se nuk ka mundur të gjejë prova të vlefshme, pasi flakët kanë shkrumbuar çdo gjë. Në këtë vend kanë humbur gjurmët edhe autorët, të cilët dyshohet se janë rikthyer në qytet me një mjet tjetër.

Te fundit


Kthehu lart