“Kush është padroni i vërtetë i Reformës në Drejtësi dhe Amerika”


Gazeta Express
22 Korrik 2019 13:48

Fitim Zekthi

Reforma në drejtësi është një gjetje jashtëzakonisht e hollë, padyshim diabolike, për të futur politikën shqiptare në një drejtim të llogaritur për shumë vite më pas.

Duke qenë se sistemi i drejtësië ka qenë për shumë e shumë vite i zhytur në një korrupsion të lemerisshëm ishte e lehtë të përdorej neveria popullore, por edhe nevoja dramatike për ta rregulluar këtë gjendje dhe për ta kthyer atë në favor të një projekti politik.

Përshkrimet e Marksit mbi jetën e vështirë të punëtorëve në Angli, në shekullin e 19-të, janë shumë pranë të vërtetës. Pranë të vërtetës kanë qenë edhe përshkrimet e themeluesit të inkuizicionit, Tomás de Torquemada, mbi gjendjen e Krishtërimit, i cili ngriti një mekanizëm ulërimat e dhimbjes të së cilit jehojnë edhe sot. Kështu ka ndodhur edhe me ata që ideuan dhe realizuan revolucionin jakobin në Francë, apo me Leninin para se të përmbysej Cari. Disa të vërteta janë thënë edhe nga Mao Ce Duni, Fidel Kastro, Çe Gevara, Koçi Xoxe, etj. Fakti që thuhet e vërteta nuk tregon domosdo se nuk kemi të bëjmë me mashtrim. Një gënjeshtar që përmend të vërteta me qëllimin për të mashtruar është provuar gjatë gjithë historisë se është një fuqi shkatërruese.

Ky lloj mekanizmi duket se është përdorur nga qeveria shqiptare për të realizuar reformën në drejtësi.

Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2013 kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në asnjë rast nuk foli për Reformë në Drejtësi. Tërë fushata e tij, paraqitja para publikut e ‘skuadrës së Rilindjes’, udhëtimet me autobusin e Rilindjes, takimet ku shpaloseshin idetë e Rilindjes kishin në fokus “shëndetësi falas”, “300 mijë vende pune”, ”legalizime falas”, “Shqipëria e gjeneratës tjetër”, “administratë e ndershme dhe efiçente”, “vendosje e rendit për 300 ditë”, “përmbyllje e tranzicionit” etj., etj.

Sapo mori pushtetin, që në vjeshtën e vitit 2013, qeveria nisi sulmet ndaj pushtetit gjyqësor dhe sidomos ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë i cili ishte për PS-në burimi i të këqijave, korrupsiuonit dhe mbrojtjes së gjyqtarëve të korruptuar. Me thënë të drejtën, KLD, jo thjesht në atë kohë, ishte vërtetë një organizëm korrupsioni që, thjesht dhe vetëm garantonte paprekshmërinë gjyqtarëve, “varroste hallet e njerëzve të zakonshëm” dhe as i shkonte ndër mend të gjykonte ndonjë politikan për korrupsion. Sistemi i drejtësisë, dhe KLD që e drejtonte atë, kishte nisur degradimin me kohë, që pas vitit 1997. Duhet thënë se, aq brutale ishte ndërhyrja pas vitit 1997, sa kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Rustem Gjata, u nxor nga zyra me policë dhe në vend të tij u emërua Fehmi Abdiu i cili vetëm 8 vite më parë, në 1989-ën, kishte dhënë dënim me vdekje ndaj një poeti duke i shërbyer në mënyrë kriminale regjimit komunist.

Nga viti 1997, deri në vitin 2013 kur erdhi në pushtet Rama, sistemi i drejtësisë ishte kthyer në mizerje. Pak a shumë çdo pushtet politik e kishte patur atë me vete ose sistemi ishte aq i korruptuar sa i shërbente vetë çdo pushteti politik duke mos e rrezikuar atë, megjithë ndonjë rrezik të papritur që më shumti vinte për pasojë të përfshirjes së drejtësisë në luftën politike.

Rama duket se nuk donte një pushtet të korruptuar gjyqësor që nuk e rrezikonte atë (siç kishte qenë deri dje), por duket se donte të kishte kontroll të plotë mbi këtë pushtet. Ai pas një lufte disa mujore me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, miratoi një ligj me anë të të cilit shkarkoi dy anëtarë të këtij Këshilli, Lulzim Lelçajn dhe Elvis Çefën. Në vend të tyre u emërun nga parlamenti dy socialistë, Vangjel Kosta dhe Sokol Çomo. KLD kishte gjthsej 15 anëtarë, nga të cilët 9 gjyqtarë, 3 të zgjedhur nga parlamenti, presidenti i Republikës, ministri i Drejtësisë dhe kryetari i Gjykatës së Lartë. Me emërimin e dy socialistëve qeveria synonte të merrte kontrollin e KLD-së. Kaq mjaftonte. Me anë të KLD-së emërohej dhe shkarkohej çdo gjyqtar. Nga viti 1997 deri në vitin 2013, asnjëri nga kryeministrat Nano, Meta, Majko dhe Berisha, nuk e kishin patur në kontroll të plotë emërimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve pavarësisht se gjyqësori, për shkak të korrupsionit nuk kishte qenë kurrë një rrezik për qeveritë. (Mjafton të kujtojmë që Berisha zhvilloi luftë me një gjyqtar, anëtar të KLD, si Artan Gjermeni dhe nuk e shkarkoi dot, ose që Nano, Meta dhe Majko u gjendën për tetë vite në luftë të egër të brendshme dhe askush mundi të dominojë këto emërime).

Ndryshimi i dy anëtarëve të KLD-së nuk i solli Ramës marrjen nën kontroll të KLD-së. Duhet thënë se Gjykata Kushtetuese i quajti ndryshimet në ligjin për KLD, anti-kushtetuese, megjithatë ndryshimi i anëtarëve nuk mund të kthehej pas. Pas këtij dështimi qeveria Rama kërkoi rrugë të reja. Ajo inicioi miratimin e një ligji me anë të të cilit do të ngrihej një Byro Kombëtare e Hetimit, një FBI shqiptare, e cila do të hetonte korrupsionn dhe krimin e organizuar. Kjo ‘FBI shqiptare’ do të kishte kompetenca hetimore dhe do të trajtohej nga ministria e Brendshme, nga Saimir Tahiri, i cili në atë kohë ishte kalorësi i paepur i betejës së qeverisë me krimin.

Ligji u miratua. Në qoftë se do të ngrihej kjo ‘FBI shqiptare’, siç thoshte ligji atëherë, gjithkush në Shqipëri, qoftë ai politikan apo gjyqtar, do të ishte subjekt hetimi nga Saimir Tahiri dhe për pasojë do të ishte i shantazhueshëm dhe nën kontroll. Pra, marrja nën kontroll e gjyqësorit u bë. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi ligjin. E ashtuquajtura FBI-ja shqiptare, ra.

Pas këtij dështimi të dytë, në verën e vitit 2015, Rama dhe qeveria e tij gjetën një rrugë tjetër: Reforma në Drejtësi. U ngrit një grup i quajtur “ekspertët e nivelit të lartë” që ishin në fakt ish hetues, ish gjyqtarë apo pedagogë që vinin nga regjimi komunist ose që mund të kishin qenë edhe njerëz të Sigurimit të Shtetit, të cilët do të hartonin një projekt për të reformuar tërë sistemin shqiptar të drejtësisë. Nuk dihet pse u quajtën ‘ekspertë të nivelit të lartë’ dhe pse u zgjodhën këta, por dihet që këta u zgjodhën nga Partia Socialiste. Kjo përpjekje për një reformë në sistemin e kalbur të drejtësië mori mbështetjen e SHBA-së. Me të drejtë, pa dyshim. Madje SHBA miratoi fonde mbështetëse për të.

Çështja është se në këtë reformë, në gjetjen e mënyrave për ta mbështetur, në artikulimin e arsyeve për ta kryer, në shtytjen përpara të saj ka ndërhyrë edhe një organizatë e fuqishme si Fondacioni Soros i cili ka qenë një element i rëndësishëm që ka përdorur nevojën tonë për reformë, nevojën e Ramës për të marrë nën kontroll sistemin gjyqësor dhe mbështjen e SHBA-së për një drejtësi të pavarur.

Shkurt, Fondacioni ka punuar ngushtë për të çuar përpara këtë reformë, me anë të cilës qeveria synonte dhe synon diçka krejt tjetër nga ajo që synon Rama. Edhe Soros synon diçka të ndryshme nga ajo që synon Kongresi Amerikan dhe qeveria amerikane të cilët, veç mbështetjes politike kanë dhënë edhe fonde. Këto nuk janë sekrete. Fondacioni Soros kërkon të ndërtojë një botë liberale, madje ultraliberale, të mbështetur mbi idetë e anti-nacionalizmit, të promovimit të lirive seksuale dhe homoseksuale apo të çlirimit seksual, të zhbërjes së rolit të fesë, të taksave të rritura, të promovimit të martesave gay, të drejtimit të botës, gjithnjë e më shumë, nga një qeveri e madhe botërore etj. Një parti më ideale se sa PS, nën shenjën Rilindje, dhe një njeri më ideal se sa Rama për t’i çuar përpara këto ide nuk mund të ketë për Fondacionin Soros. Kjo është diçka legjitime nga këndi i Fondacionit.

Grupi i ‘ekspertëve të nivelit të lartë’ hartoi një projekt të turpshëm që ia jepte drejpëtdrejt Ramës kontrollin mbi sistemin e drejtësië. Lufta e opozitës bëri që ky projekt të ndryshohej. Komisioni i Venecias e rrëzoi projektin. Qeveria amerikane vazhdoi me forcë mbështetjen për miratimin e reformës. Duhet thënë se, në fund ndryshimet kushtetuese, ndonëse kanë sajuar diçka të padëgjuar në historinë e mendimit politik dhe të filozofisë së të drejtës, krjonin mundësi që reforma të mos merrej në kontroll të plotë nga qeveria.

Më pas me anë të ligjeve për vettingun, për institucionet e reja që krijohen, për funksionin e këtyre institucioneve, u hap dera që sistemi gjyqësor të mund të bjerë në kontrollin e kryeministrit Rama.

Sot reforma është në fazën përfundimtare, institucionet e reja janë duke u krijuar dhe shpejt do të nisin nga funksionimi. Për gati dy vjet ato janë tërhequr zvarrë nga qeveria. Prej gati një viti e gjysëm qeveria ka emëruar nëj Prokurore të Përgjithshme të përkohshme në shërbim të saj, e cila ka ndihmuar jo vetëm në mbrojtjen e njerëzve të qeverisë nga akuzat, por edhe në krijimin e mundësive që reforma në drejtësi të bjerë nën kontrollin e Ramës.

Sot është e pamundur të besohet se kryetari i KLP-së Gent Ibrahimi ose kryetarja e KLGJ-së Naureda Llagami mund të emërojnë prokurorë apo gjyqtarë që do të hetonin dhe gjykonin kryeministrin Rama, ose njerëz që mund t’i rrezikojnë pushtetin kryeministrit. Sot është e pamundur të besohet se kryetari i KED-së, Ardian Dvorani do të emëronte për në Gjykatën Kushtetuese gjyqtarë që mund të rrëzonin vendimin e Ramës dhe të Bibës për të mos njohur dekretin e Presidentit. Këto tre institucione janë zemra e tërë sistemit të drejtësisë. Nga ata emërohet çdo gjyqtar dhe prokuror i ri.

Sot ka tri kategori njerëzish që thonë se reforma në drejtësi do të bëjë çudira, do të vendosë për herë të parë sundimin e ligjit, do të ndëshkojë politikanët e korruptuar etj. Kategoria e parë janë socialistët, është kryeministri, është Taulant Balla, është Elisa Spiropali etj. Ky qëndrim është absurd ose tregon se reforma është nën kontrol nga Rama dhe qeveria.

Kategoria e dytë janë njerëz të thjeshtë, njerëz të drejtë të shoqërisë të cilët të lodhur nga kjo kulturë e rëndë mosndëshkimi dhe korrupsioni dëshirojnë të besojnë se reforma në drejtësi po bëhet nga amerikanët dhe se ajo do të çojë në burg politikanët e lartë. Këta e thonë këtë gjë nga dëshpërimi, këta e kanë këtë një lloj ilaçi qetësues. Kategoria e tretë janë ata që e thonë se duan të bëjnë si pro-amerikanë, si mbështetës të Amerikës, që janë njerëz që urrejnë opozitën dhe drejtuesit e saj dhe, që janë në fakt në shërbim të qeverisë dhe të kryeministrit. Këta janë ndoshta kategoria më fatkeqe.

Këta thonë që Rama ka frikë nga reforma, që PS-ja nuk e kontrollon dot, që reforma nuk mund të kontrollohet etj. Në fakt me këto që thonë i shërbejnë qeverisë.

Reforma në drejtësi, sigurisht që nuk është në kontroll të plotë të Ramës. Sigurisht që monitoruesit ndërkombëtarë kanë bërë një punë të mirë duke mos lejuar komisionet e vettingut të bëjnë budallallëqe, sigurisht që SHBA po bën punë që reforma të ndërtojë organizma që do të bëjnë diçka. Sigurisht që janë larguar gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar. Por reforma duke qenë se u nis për qëllime politike, duke qenë se ishte një instrument politik, dhe duke qenë se për herë të parë në historinë botës kërkohet të reformohet politika nga drejtësia (gjë e pamundur) do të shërbejë për qëllime politike.

Prandaj kemi në krye të institucioneve Ibrahimin, Llagamin, Dvoranin, prandaj ka patur raste kur janë larguar gjyqtarë dhe prokurorë nga komisionet e vettingut dhe janë mbajtur të tjerë nëpërmjet standardeve të dyfishta.

Reforma në drejtësi nuk do të dalë kurrë nga qëllimi i saj bazë: t’i hapë rrugën legjitimimit të plotë të Ramës dhe t’i hapë rrugë qëndrimit të tij në pushtet. Arrestimet që mund të bëjë SPAK do të jenë të gjitha në këtë funksion. SPAK mund të arrestojë edhe ish ministra, edhe ish-zyrtarë të lartë të qeverisë Rama dhe kjo do t’i shërbejë vetëm Ramës. Rama do të dalë dhe do të thotë: ja lufta e PS-së dhe imja për të ndryshuar Shqipërinë, ne nuk bëjmë dallime, ne nuk mbrojmë korrupsionin. Rama ka hedhur gjithnjë njerëz nga të tijët. Nuk dihet numri i ish deputetëve që nuk janë më deputetë, nuk dihet numri i zyrtarëve që nuk janë më zyrtarë. Rama është një mjeshtër në përdorimin e situatave të tilla.

Duke qenë se reforma nuk do të shkojë te Rama vetë, ai mund ta lejojë atë të shkojë deri edhe te njerëzit më të ngushtë në qeveri dhe kjo do të jetë vetëm konfirmim i atij vetë dhe kësaj mënyre të tmerrshme qeverisje që po bën. Drejtësia e deridjeshme e korruptuar nuk do t’i bënte asgjë Ramës, sikurse nuk i ka bërë, por ajo ishte e njollosur. Tani atij nuk do t’i bëjë gjë një drejtësi sigurisht e korrruptuar, madje edhe më rëndë sepse është ndërtuar për qëllime politike pushteti, por ama kjo drejtësi njihet nga popullia si e re, e ndershme dhe e pakorruptuar.

Kjo është në të vërtetë vdekja e kësaj reforme. Atë e shpëton vetëm mbërritja e saj te Rama, gjë që nuk mund të ndodhë kurrë në këtë faqe të dheut. Duke mos mbërritur te Rama ajo në thelb do të legjitimojë edhe ata që mund të akuzohen apo arrestohen, qoftë ministra apo zyrtarë të rëndësishëm të PS, apo ministra dhe zyrtarë të ish-qeverisë. Të gjithë do të thonë se kjo është një reformë politike e korruptuar. Në këtë kuptim qeveria ka shkatërruar apo shtremëbruar edhe mbështetjen e SHBA-së për reformën./Shkruar për Politiko

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart