Kush është Friedrich Merz, “Trumpi gjerman” që mund të jetë pasardhës i Merkelit - Gazeta Express
string(77) "kush-eshte-friedrich-merz-trumpi-gjerman-qe-mund-te-jete-pasardhes-i-merkelit"

Kush është Friedrich Merz, “Trumpi gjerman” që mund të jetë pasardhës i Merkelit

Lajme

Gazeta Express

13/01/2021 10:31

Kur Angela Merkel të largohet nga detyra e kancelares së Gjermanisë në shtatorin e këtij viti, ajo do të lë pas vetes një parti konservatore që ka qenë forcë mbizotëruese politike në Gjermani në 16 vjetët e fundit dhe prin në sondazhe me 15 për qind epërsi. Megjithatë, partia dhe shteti i saj mund të mbeten në duart e një politikani që dallon shumë në qëndrime. Gazeta “Politico” madje e ka quajtur atë “Donald Trumpi gjerman”.

Përktheu: Nasuf Abdyli

Lexo Edhe:

Këtë të shtunë, Unioni Kristian-demokrat mund ta zgjedhë kryetar një nga rivalët më të vjetër të Merkelit, një burrë që paraqet kthim në periudhën para ardhjes në pushtet të kancelares së popullarizuar, jo vetëm në kuptimin e vlerave ideologjike, por edhe në stilin e lidershipit.

Avokati milioner, Friedrich Merz, të cilin Merkeli në vitin 2002 e kishte shkarkuar nga posti i shefit të grupit parlamentar të CDU-së, është kandidat favorit në mesin e përkrahësve të kësaj partie për ta udhëhequr partinë në zgjedhjet federale që do të mbahen më 28 shtator. Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme, sepse përmes tyre do të përcaktohet pasardhësi i Merkelit në pozitën e kancelarit të Gjermanisë.

Në mesin e popullsisë më të gjerë, Merz shihet si figurë përçarëse që i kthen kristian-demokratët në periudhën neoliberale, si një figurë që ka më shumë gjasë që votat e besnikëve të Merkelit t’ua çojë Partisë së Gjelbër ose SPD-së së qendrës së majtë sesa rivalëve të tij në CDU, Armin Laschet dhe Norbert Rörttgen, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Në kongresin digjital të partisë, i cili do të mbahet këtë të premte dhe të shtunë, udhëheqësia e CDU-së do të vendoset nga votat e 1.001 delegatëve nga degët lokale, rajonale dhe shtetërore.

Megjithatë, Merz mbetet kandidati për t’u mposhtur. “Një CDU e udhëhequr nga Friedrich Merz do të nënkuptojë një CDU në opozitë”, tha një deputet dhe përkrahës i Röttgenit. “Por ky është çmimi që shumë delegatë duket se janë të gatshëm ta paguajnë për t’u kthyer të CDU-ja e vjetër, e pafiltruar”, shtoi ai.

Për shumë konservatorë gjermanë, Merz e mban premtimin për një qëndrim politik qartë të identifikueshëm, pas dy dekadave nën pushtetin e një lidereje, pragmatizmi i së cilës ka bërë që ajo t’i kalojë vijat e kuqe të partisë rreth fuqisë bërthamore, migracionit dhe ndarjes së borxhit në nivel evropian.

Sipas një sondazhi të gazetës Der Spiegel, të realizuar në nëntorin e kaluar, Merz ishte kandidat favorit me 26 për qind të përkrahjes. Pas tij u radhit ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, me 23 për qind.

Gjatë një debati për masat e reja kundër pandemisë vitin e kaluar, Merz dha një deklaratë që nxiti reagime. Ai tha se nuk është punë për qeverinë se me kë i feston Krishtlindjet ai apo gjermanët tjerë. Për shkak të gjendjes së rëndë, kritikët thanë se deklarata e tij ishte e papërgjegjshme për dikë që synon ta udhëheqë Gjermaninë.

Nëse Merz fiton në zgjedhjet partiake të së shtunës, ka gjasë që ai ta bekojë veten edhe si kandidat zyrtar i partisë për zgjedhjet e shtatorit. Gjermania nuk ka kufi kushtetues për atë se sa gjatë mund të qëndrojë në pushtet një kancelar, por Merkeli disa herë ka thënë se nuk dëshiron ta marrë mandatin e pestë. Këtë mesazh ajo e përsëriti edhe në fjalimin e saj për Vitin e Ri para dy javëve.