Kush është Ekrem Lika që kërkonte fajde si “dhëndër” i Kadri Veselit?


load
Arlena Krivenjeva
24 Maj 2019 17:59

Një operacion i Policisë së Kosovës në disa qytete, ku si cak ishte një grup i organizuar mirë, e që për një kohë dyshohet se ka vepruar nën udhëheqjen e krye mafiozit Ismet Osmani-Curri, la nën pranga pesë persona. Një nga ta, Rrahim Hashimi u lirua, derisa shoku i tij, Ekrem Lika, që për vite dyshohet se ishte paraqitur si dhëndri i kreut të PDK-së, Kadri Veselit, mbetet në arrati. Drejtësia një herë ka dështuar ta vë atë para ligjit. Gazeta Express ju sjell detaje se kush është 50-vjecari nga Drenasi

Një nga personat që dyshohet se qëndron prapa grupeve të organizuara që janë marrë për vite të tëra me fajde, mashtrim e detyrim po del të jetë i pakapshëm nga drejtësia vendore.

Ekrem Lika, 50-vjecar nga Gllogovci, njihet mirë për disa raste. Ai kishte qenë i përfshirë së bashku me Rrahim Hashimin e Kadri Rexhepin edhe në rastin se biznesmenit Faton Dalladaku, që i ka paditur për mashtrim, por, që i njëjti duke u larguar nga Kosova, ka shpëtuar pa aktakuzë. Dy bashkëpunëtorët e tij, tashmë kanë një aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Themelore e Ferizajt.

Krejt këto Ekrem Lika, do t’i bënte duke u paraqitur si dhëndri i kreut të PDK-së, Kadri Veselit, e duke deklaruar se nga ai po merrte siguri për të marrë e dhënë shuma të mëdha të parave. Për punën e “dhëndërit” ka folur dje Kadri Rexhepi në një storje në televizionin T7.

Në mars të vitit 2018-të, Prokuroria Themelore në Ferizaj kishte ngritur aktakuzë ndaj Rrahim Hashimit e Kadri Rexhepit, por, jo edhe ndaj Ekrem Likës, pasi që ky i fundit nuk kishte deklaruar asnjëherë në hetuesi për rastin. Në gusht të vitit 2018-të, e njëjta lëndë do të transferohej në Prishtinë.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari.

 “E kemi hetu Rrahim Hashimin, Ekrem Likën edhe Kadri Rexhepin.  E kemi ngritë aktakuzën me 21 mars 2018-të, kundër Rrahim Hashimit edhe Kadri Rexhepit, për Ekrem Likën është pezullu procedura sepse ka qenë i paarritshëm, s’kemi mujt me e siguru prezencën e tij në procedurë për shkak që ai nuk ka qenë këtu”, thotë kryeprokurori i Ferizajt.

Mirëpo, personi që në opinion u paraqit si dhëndri i Kadri Veselit, është i njohur mirë për drejtësinë vendore.

Gazeta Express ka marrë vesh nga burime mirë të informuara se që nga koha kur dolën në pah problemet e tij me drejtësinë, saktësisht me grupin e fajdeve, ai është larguar nga Kosova. Familja e tij janë deklaruar se nuk kanë asnjë informacion se ku gjendet.

Megjithatë, Express ka arritur të sigurojë edhe një aktakuzë të Likës, që daton nga viti 2018-të.

Gjykata Themelore në Ferizaj kishte ngritur aktakuzë ndaj Ekrem Likës  më 21 janar të vitit 2017-të, e më  pas i njëjti ishte shpallur fajtorë për deklarim të rremë.

Kjo pasi që Ekrem Lika me datën 19 korrik të vitit 2017-të, në Podujevë në zyrën e noterit Skënder Dumani kishte deklaruar rrejshëm se e njeh Mitra Cvetkoviq, shtetase serbe.

Ekrem Lika ishte dënuar me tre muaj burgim. Me pëlqim të personit të dënuar, dënimi iu ishte zëvendësuar me dënim në gjobë prej 400 euro.

Lika kishte pranuar fajësinë duke thënë se kishte deklaruar rrejshëm se e njeh zonjën, edhe pse kjo nuk ishte e vërtetë.

Sipas aktakuzës, Ekrem Lika së bashku me dy persona të tjerë ishin paraqitur në zyrën e një noteri në Podujevë duke kërkuan një autorizim për shitblerje të patundshmërisë. Ata ishin të përfshirë në një rast që kishte falsifikuar dokumente për përvetësim të një prone në vlerë prej 300 mijë euro.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, po e kërkon Likën, pasi që i njëjti nuk është deklaruar për mashtrimin me shuma të mëdha të parave për ndërtimin e spitalit në Prishtinë. Në arrati gjithashtu është edhe Zekë Jasiqi.

Sipas, Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Ekrem Lika, së bashku me Rrahim Hashimin, përmes Sami Nikës, i kishin dhënë Faton Dalladakut fajde në vlerë 350 mijë euro.

Për kthim të këtij borxhit, kishin lidhur kontratë shitblerjen e shtëpisë në Pejton, ku Sami Nika ishte evidentuar si pronar i saj. Për këto 350 mijë euro të marra, ai ishte ngarkuar me kamatë mujore prej 7% për qind apo 25 mijë euro në muaj. Dalladaku do t’ia paguante 50 mijë euro për dy muaj Nikës, e ky i fundit nga 10 mijë euro do t’ia jepte Likës e Hashimit.

Në letrat që ka publikuar dje Gazeta Express, shihen edhe marrëveshjet e shkruara të bëra për marrje e kthim të shumave të mëdha të parave.

Qëllim ishte ndërtimi i një spitali në Qendër të Prishtinës. Rrahim Hashimi, Ekrem Lika e Kadri Rexhepi do të paditeshin më vonë nga bizensmeni Faton Dalladaku. Në këto letra shihet edhe nënshkrimi i Likës.

Biznesmeni Faton Dalladaku ashtu siç shkruhet në letrat e siguruara do të njoftohej me ndërmjetësim të Kadri Rexhepit, së bashku  me Rrahim Hashimin e Ekrem Likën. Këta, kishin arritur marrëveshje për të hollat që do të ju duheshin për ndërtimin e një spitali në Prishtinë. Në këto letra saktësohet edhe si kanë rrjedhur të hollat nga një person te tjetri.

Në një deklaratë që daton nga 12 shkurti i vitit 2013-të, e nënshkruar nga Rrahim Hashimi e Ekrem Lika, shkruhet se Kadri Rexhepi, ish-profesor nga Komuna e Ferizajt kishte njoftuar këta të dy me biznesmenin Faton Dalladaku. Kjo ishte bërë shkaku i blerjes së  një spitali që atëherë ishte në ndërtim e sipër në Prishtinë.

“Deklaroj me sinqeritetin më të madh se Zotri Kadri Rexhepi nuk ka marrë asnjë cent. Për këtë garantoj moralisht dhe materialisht”, shkruhet në deklaratën e parë të siguruar.

Dy vite më vonë, grupi i organizuar nënshkroi edhe dy dokumente tjera, ashtu të shkruara me dorë, e të nënshkruara nga ta.

Në një deklaratë që daton nga data 12 shkurt të vitit 2015-të, shkruhet se pas një takimi në Prishtinë, Rrahim Hashimi deklaron se borxhin ndaj Kadri Rexhepit në shumën prej 150 mijë eurove do ta kryente deri më 20 prill të atij viti.

“Duhet të ceket se këtë huadhënie nuk ka pasur mashtrim as lajthitje dhe si të tillë e marr përsipër që ta shlyej deri në datën e lartë cekur… Unë Rrahim Hashimi marr përsipër që ta shlyej borxhin deri në datën e lartëcekur”, shkruhet në këtë letër e nënshkruan nga Rrahim Hashimi e Kadri Rexhepi.

Me 15-të, shkurt në një letër mbi të cilën shkruhet marrëveshje, thuhet se Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi janë dakorduar për një borxh që Rexhepi kishte marrë nga Imri Emini nga Sojeva e Ferizajt.

Aty ishte dhënë edhe një afat kohor, e borxhi do të duhej të shlyej jo më larg se data 1 maj e atij viti.

Në media tashmë janë bërë publike edhe disa video ku shihen personat e lartë cekur duke folur për këto shuma të parave. Përveç tjerash, derisa diskutohet për paratë që iu dha biznesmeni Faton Dalladaku për të ndërtuar spitalin privat, përmendet edhe emri i krye parlamentarit Kadri Veseli, i cili thuhet të ketë marrë 200 mijë euro nga këta persona.

Dalladaku në anën tjetër i ankohet Kadri Rexhepit se Rrahim Hashimi nuk po ia kthen paratë dhe se kontrata dhe leja për ndërtimin e spitalit nuk iu është dhënë.

Policia ndërkaq përmes një aksioni në disa komuna të vendit, ka arrestuar të hënën pesë persona, Rrahim Hashimin, Ismet Osmanin, i njohur si “Curri”, Ilir Bojkun, Mentor Maqanin dhe Adil Thaqin, nën dyshimin për fajde, detyrim dhe mashtrim.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka refuzuar kërkesën për një muaj paraburgim për Rrahim Hashimin, ndërkaq 4 të tjerëve u janë caktuar 30 ditë paraburgim./GazetaExpress

Te fundit


Kthehu lart