‘Kush e solli Doruntinën’ si diskreditim i krishterimit - Gazeta Express
string(53) "kush-e-solli-doruntinen-si-diskreditim-i-krishterimit"

Arte

Gazeta Express

20/05/2022 17:24

‘Kush e solli Doruntinën’ si diskreditim i krishterimit

Arte

Gazeta Express

20/05/2022 17:24

“Kush e solli Doruntinën” është roman i Ismail Kadaresë, botuar në vitin 1979. Në planin ideo-tematik, kjo vepër ndërtohet si metatekst mbi një legjendë-përrallë me origjinë të diskutuar shqiptare. Kjo përrallë ekziston edhe në variantin e këngës që si topos gjeografik ka  prejardhje ballkanike.

Driton Fejzullahu

Lexo Edhe:

Variantet e përrallës

Kjo përrallë, edhe shumë tekste tjera të ngjashme ndër to edhe “Eposi i kreshnikëve” kishin tendenca të përvetësoheshin nga shtete të ndryshme, duke pretenduar secili burimin autentik nga i cili ishin krijuar dhe më vonë kishin qarkulluar në vendet tjera. Një studim i titulluar; “Kënga e Kostandinit dhe atdheu i legjendës”  shqyrton modalitetet e ndryshme të cilat kanë qarkulluar te shumë popuj të ndryshëm deri edhe tek populli gjerman, të cilët kishin krijuar një legjendë të ngjashme.

Kjo përrallë ekziston te populli bullgar, me titull “Udhëtimi i të vdekurit” , e cila tregon për historinë e një nëne që kishte nëntë djem dhe një vajzë me emrin Vekia, e martuar larg dhe Dimitrin, i vetmi që pajtohej me këtë martesë. 

Edhe te populli serb ekziston një këngë e ngjashme, e cila trajton një histori të një nëne e cila kishte nëntë djem dhe që të gjithë vdesin nga murtaja. Ajo ngjason me këngën shqipe e cila flet ngjashëm për vdekjen nga sëmundja e murtajës të gjithë vëllezërve të familjes Vranaj. Një variant i ngjashëm ekziston edhe te grekët veçse me emrat të ndryshëm të personazheve, që ishte Areta dhe Kostandini. Autori francez August Dozon, i cili ka trajtuar këtë përrallë, thotë se variant i parë i përrallës trajtonte një familje e cila kishte dymbëdhjetë djem dhe një vajzë e cila quhej Garentina, si pas autorit, të gjithë vëllezërit vdesin në luftë dhe mbetet vetëm Garentina.

Forma e përrallës

Padyshim se ky numër i madh i varianteve të kësaj përralle që Vladimir Proppi do ta klasifikonte si përrallë që do të meritonte emërtimin e lashtë, të përrallës mitike”(morfologjia e përrallës, Propp. Vladimir, fq.115) ka qarkulluar në të gjitha këto vende ku ka pasur qarkullim në mes të njerëzve të cilët kanë patur edhe afërsi gjeografike dhe shkëmbime ento-kulturore. Siç u pa edhe më lartë, kjo përrallë për nga përmbajtja është e njëjtë, trajton një familje e cila shuhet nga sëmundja e murtajës, në veçanti të gjithë vëllezërit që në shumë variante janë nëntë dhe në disa 12 për nga numri. Kjo përrallë është përrallë që hynë në formën e përrallave magjike, si nga diskursi po ashtu edhe ana skematike klasifikohen dhe ndërtohen përmes episodeve.  Sipas Proppit, secila përrallë nisë me disa situate fillestare numërohen pjesëtarët e familjes që në rastin e përrallës që po trajtojmë përbën numrin herë njëmbëdhjetë, nëntë vëllezërit, një motër dhe nëna, në shumicën e rasteve, si dhe katërmbëdhjetë në disa raste, dymbëdhjetë vëllezërit, një motër dhe nëna.

Funksionet e përrallës sipas Proppit

  1. Njëri nga pjesëtarët e familjes largohet nga shtëpia

(përkufizimi-largimi, shenja konvencionale)

Në këtë përrallë largohet personi i brezit të ri, siç ishte martesa e Doruntinës në viset e largëta të Bohemisë.

  • Heroit i drejtohet me tabu

(përkufizimi-tabu, shenja konvencionale e cila ishte shkelur nga Kostandini)

  • Tabuja thyhet

(përkufizimi –thyerje, si  shenjë konvencionale)

  • Antagonisti përpiqet të vendosë hetmin

(përkufizimi- hetim, si shenjë konvencionale që identifikohet me Stresin)

  • Zgjidhja e problemit

(antagonisti- përmes mjetit magjik bën zgjidhjen e problemit)

Kjo pra ishte një skemë e përrallës Kush e solli Doruntinën e cila në disa elemente të saj është e bazuar te skema e Proppit mbi përrallën, natyrisht se ana skematike e Proppit është më e zgjatur, por elementet që posedon kjo përrallë janë këto të paraqiturat të cilat mund ta strukturojnë këtë tipologji të përrallës.

Ideo tematika

Titulli i kësaj vepre na është dhënë në formë të pyetjes hipotetike kush e solli Doruntinën, pyetje kjo që ngre një hipotezë historiko-mitike që zhvillohet në periudhën e Mesjetës (konvecë historike).Ngjarja fillon diku në territorin e Arbërit (topos gjeografik) dhe zhvillohet ndërmjet  viseve të Arbërit dhe  Bohemisë(topos gjeorafik, i cili gjendet në Evropën Qendrore, konkretisht në R.Çeke).Vepra si e tillë del të jetë një nga gërmimet më të shquara të autorit. Substrati mitik i përzgjedhur e bënë këtë vepër një nga veprat më të shquara të Kadaresë. Besa, martesa, incesti, ringjallja, janë elementet bazë të kësaj vepre. Kjo vepër trajton një temë që jepet përmes dy paradigmave:

Paradigma e parë; është dekonstruktimi dhe demistifikimi i krishterimit- intencë autoriale

Paradigma e dytë; trajtimi i incestit si fenomen – tabu sociale

Dekonstruktimi dhe demistifikimi i krishterimit

Viti 1979 është data e botimit të romanit Kush e solli Doruntinën, po ta shohim nga ana simbolike ky roman botohet tri vite pas shpalljes së Shqipërisë vend ateist, pra më 1976. Përse autori zgjedh të ndërmarrë një hap të tillë të shantazhit letrar, ku përmes një figure mitologjike dhe një përralle kërkon të përligjë ideologjinë të cilin e mbështeste. Padyshim se autori këtë ndërmarrje e kishte menduar hollësisht sepse ajo si e tillë rrënon të gjithë fundamentin religjioz të krishterimit.

Përrallëzimi i krishterimit

Autori kishte zgjedhur me qëllim një përrallë e cila datonte në periudhën e Mesjetës, ku krishterimi dhe ortodoksizmi ishin në zhvillimin dhe hovin e tyre tejet të madh si institucione. Mesjeta si shënjim i periudhës kohore, ku mbizotëronte obskurantizmi, ku kisha kishte legjitimitet dhe validitet shpirtëror dhe ligjor. Kadare përmes zhanrit të përrallës krijon një arketip të ri të Krishtit pra Kostandinin.  Modeli arketipal i zgjedhur nga Kadare është mjaftë i qëlluar dhe gjithçka futet në domenin e besimit në ringjallje, qoftë për figurën e Krishtit qoftë për figurën e Kostandinit. Pra paralelizmi i ringjalljes futë lexuesin në substratin mitik dhe konsekuenca  del të jetë e qartë, nëse ka ndodhur një ringjallje diku, përse mos të ndodhte gjithkund. Qëllimin e ringjalljes së Krishtit e kishin shpjeguar shkrimet e shenjta, shpjegimet e tilla për autorin ishin përralla sepse ai zgjedh një zhanër të tillë që ta shpjegoj një fenomen onto-metafizik që zhvillohet si ngjarje me topos semantik e gjeografik të Arbërisë.

Kjo ringjallje mund të shihet edhe si kërkesë individuale për një profet të ri në viset e arbërit ose siç e emërton vet autori Krishti i Ri ( Kush e solli Doruntinën, fq.159), por karakteristikat e paraqitura në vepër që posedonte Kostandini janë të një revolucionari, siç predikonte dikur moti edhe vet Krishti.  Pra barazi, drejtësi dhe paqe, ku këto predikime u tjetërsuan nga institucionet e kishtare. Kjo vepër ka si fundament një element etno-psikologjik të shqiptarëve besën. Besa si konvencë dhe atribut etno-psikologjik që ekziston vetëm te shqiptarët e cila kur u kodifikua mori përmasa të shenjtërimit dhe si e tillë po të shkelej apo përbuzej përbënte një sakrilegj të tmerrshëm për vet shkelësin. Por besa si e tillë, përdoret nga autori si kundërvënie e tradhtisë dhe tjetërsimit të misionit dhe predikimeve të Krishtit nga ana e kishës.

Ringjallja përdoret si kërkesë kohore, monumentale por që në të njejtën kohë zëvendëson një figurë të përmasave profetike, me një figurë të përmasave nacionale por me trashigimi të njejtë konfesionale. Krishti dhe Kostandini vinin nga i njejti religjion, që për autorin i cili i takonte një ideologjie komuniste donte ta rikonfiguronte edhe krishterizmin si religjon edhe Krishtin si figurë profetike.

Pra heronjtë e komunizmit ishin heronj të zhveshur nga petku metafizik, mrekullia e Kostandinit ishte e bazuar në një konvencë ose kanon social e autentik të shqiptarëve besën, e jo në ndonjë rregull ose kanon universal. Kjo ringjallje tashmë do të zëvendësonte figurën më të madhe të Krishtit po në të njëjtën kohë dhe do ta diskreditonte atë  si profet. Profeti i ri nuk kishte mision universal, por mision partikular, dhe si i tillë rrënoi mitin më të madh religjioz mbarë botëror. Kadare, përmes kësaj përzgjedhje ka bërë rrënimin më të madh letrar dhe mitik të historiografisë krishtere.

Incesti si tabu

Kadare është një ndër autorët e shqiptarë së bashku me Migjenin ( Studenti në shtëpi), Çajupin(Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër) që trajtuan fenomenin e incestit tek shoqëria shqiptare. Incesti në sensin etimologjik por edhe semantik vjen nga  gjuha latine (incesti) që do të thotë diçka jo e dëlirë. Si manifestim seksual e gjejmë që nga antikiteti grek, autorë të ndryshëm, paraqisnin si fenomen tragjik marrëdhënien incestuoze.

Tragjedia Edipi Mbret, e Sofokliut, flet mbi një raport incestuoz por rrethanat e marrëdhënies incestuoze janë konsekuencë të determinimit hyjnor, dhe pësimi dhe fundi për Edipin dhe fëmijët e Edipit është tragjik. Trajtim të marrëdhënies incestuoze gjejmë edhe në shkrimet e shenjta  në raportin incestual të Lotit (Lutit) dhe vajzave të tij, të cilat pasi e dehin të atin bëjnë marrëdhënie seksuale me te. Pra si fenomen ekziston që nga prehistoria, por ka munguar trajtimi në letërsinë shqipe.

 Kjo mungesë vije si rezultat i konsiderimit të incestit si tabu, dhe kjo konsideratë ka bartur pasoja të rënda dhe madje nuk është tematizuar as në domenin letrar. Si trajtesë vije shumë vonë në letërsinë shqipe, trajtimi që i bënë Kadare përmes kësaj vepre, mund të themi se është një ndër trajtimet më të mira letrare e artistike, ku nuk ringjallja plotëson një tundim-frustrim seksual të Kostandinit ndaj Doruntinës që as vdekja nuk mund ta ndaloj.

Kemi shumë shënjime ku autori  paraqet këtë marrëdhënie incestuale; prit të të puth edhe një herë, sa pa u hapur porta, i pëshpëriti asaj i dashuri dhe e puth për herë të fundit në gjysmëterr. Pikërisht këtë të puthur ka parë zonja plakë nga dritarja. Kjo e ka tmerruar”.( Po aty, fq. 112) edhe në disa raste të tjera në shkëmbimin e letrave të Zonjës Mëmë, bënë fjalë për një ndjenjë, jo të natyrshme të djalit të saj, Kostandinit, ndaj së motrës Doruntinës”. Kurse përgjigjja e kontit Topia, del e qartë se kemi të bëjmë me një prirje incest të vëllait ndaj motrës”.(Po aty, fq.118)

Konflikti i Kostandinit me secilin dhëndër potencial ishte shenjë e hapur e raportit incestuoz të tij me Doruntinën. Edhe pranimi i martesës së saj në viset e Bohemisë, ishte shenjë e luftës që ta tejkalonte këtë  raport incesti sepse ai ishte i vetëdijshëm për pasojat e këtij raporti.

Por duhet të themi se në vepër mund të gjejmë edhe shenja të një prirje nekrofilie të vet Doruntinës, e cila tërë rrëfimin për kthimin nga Bohemia ia atribuonte vëllait të saj, ishte një trillim ose manifestim halucinant që vije si tundim nekrofilik, që autori e jep kështu përmes tekstit; Stresi nënvizoi fjalët  “si gjithë keqbërësit”, për para se të lexonte raportin e fundit. Marie Kondi, 27 vjeç. E martuar. Vdekur papritur fill pas meshës së të dielës. Përdhunuar natën e dytë pas varrimit. Nuk kishte dëmtim të trupit, madje as vjedhje të stolive dhe të unazës martesore. Stresi i lexoi edhe një herë shënimet. Ishte rasti i dytë i nekrofilisë, vitet e fundit”.(po aty, fq.116-117)

Kjo vepër e ndarë në dy paradigma letrare, e bënë këtë vepër të Kadaresë një ndër veprat më të arritura artistikisht pavarësisht intencave individuale dhe autoriale.

/Gazeta Express