Kush e aktivizoi Isa Mustafën?


Gazeta Express
20 Maj 2019 15:14

Papritmas është rikthyer tema e rrëzimit të Qeverisë. Një ditë pasi takoi ambasadorin amerikan, Philip Kossnet, Isa Mustafa ka mbledhur LDK-në për një kuvend pune, pas të cilit si temë kryesore doli deklarata e tij se subjekti që ai drejton do t’i japë nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Nuk dihet nëse riaktualizimi i çështjes së mocionit për rrëzimin e Qeverisë është një nismë e njëmendtë apo vetëm një taktizim i kreut të LDK-së për shkak të procesit zgjedhor nëpër të cilin po kalon partia e tij.

Megjithatë, Mustafa duke dashur të potencojë se gjithçka është serioze theksoi se përveç me LVV-në dhe PSD-në janë duke u munduar të sigurojnë vota edhe nga partitë e koalicionit aktual.

“Jemi shumë të interesuar që si LDK t’i kontribuojmë forcimit të shtetit të Kosovës, t’i kontribuojmë forcimit ekonomik dhe punësimit të njerëzve dhe të kontribuojmë që Kosova të dalë para opinionin ndërkombëtar si shtet i fortë. Ne do të vazhdojmë, do t’i ftojmë edhe VV-në dhe PSD-në që t’i bëjmë bashkërisht nënshkrimet. Do t’i presim dhe do të mundohemi të përfitojmë dikë nga partitë e koalicionit. Si LDK jemi në gjendje që prej sot të japim nënshkrimet tona dhe do të kërkojmë edhe nga të tjerët që ta bëjmë këtë punë”, shtoi Mustafa.

Sot, kreu i LDK-së ka shkuar edhe më tej duke njoftuar se do të zhvillojë takime me krerët e VV-së dhe PSD-së, Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti gjatë javës.

“Miq të nderuar, Gjatë kësaj jave do të takohemi me Kryetarin e Lëvisjes Vetëvendosje, z. Kurti për të bashkërenditur veprimet për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë aktuale dhe përmbysjen e Koalicionit PAN. Po ashtu, gjatë javës, do të ftoj edhe Kryetarin e PSD-së, z. Ahmeti të diskutojmë dhe të merremi vesh për veprime të përbashkëta. IM” – ka shkruar Mustafa.

Pas këtij shkrimi është përgjigjur Shpend Ahmeti duke postuar se mirëpret “paralajmërimet dhe iniciativat për konsultime opozitare për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë”.

Nga Vetëvendosja ende s’ka pasur ndonjë reagim, por bazuar në raportet që dy partitë kanë aktualisht, një takim Mustafa-Kurti mund të ndodhë shpejt.

Iniciativa për mbledhjen e nënshkrimeve është rikthyer pas takimit të Mustafës me ambasadorin Philip Kossnet.

“Kemi shumë punë për të bërë. Na nevojitet përkrahja dhe partneriteti me SHBA-të.

SHBA gjithherë ishte në krah të Kosovës. IM” – kishte shkruar Mustafa të premten.

Kjo iniciativë e Mustafës aktualisht nuk po përbën ndonjë shqetësim.

Deputeti i AAK-së thotë se kjo përpjekje po i duket e kotë.

Ai ka thënë për Express se opozita po i kërkon votat edhe nga pozita, por fillimisht duhet të sigurohen se a i kanë të gjitha votat edhe në opozitë, pasi, sipas tij, nuk do duhej të ishin aq të sigurt për këtë.

“Ka më shumë se një vit që e dëgjojmë këtë historinë se si opozita do ta rrëzojë Qeverinë dhe kësaj pune i ka dalë edhe boja. Kemi dëgjuar lloj lloj margaritarësh se si do ta kryejnë këtë operacion. Po kërkojnë vota edhe nga pozita, veç kurrë nuk e kanë kuptuar nëse mund të llogarisin, qoftë edhe në të gjitha votat, që formalisht janë në taborin e tyre. Unë nuk do të isha aq i sigurt”, ka thënë Nitaj.

Qeveria Haradinaj vazhdimisht është përballur me mungesën e numrave në Parlament. Ajo, megjithatë, ia ka dalë të funksionojë si qeveri e pakicës.

Te fundit


Kthehu lart