Kush duhet të jetë vazhduese e idealit të UÇK-s


Gazeta Express
3 Prill 2019 17:30

Përgjegjësia morale dhe politike e elitave në Ballkan është angazhimi për paqe të qëndrueshme dhe fqinjësi të mirë. Barazia kombëtare dhe respektimi i ndërsjellë-proporcional i të drejtave të minoriteteve kombëtare, përveçse është i drejtë, është edhe i domosdoshëm për paqe dhe stabilitet

Fatmir Lekaj

Si në shumë raste të tjera në botë, edhe në rastin e shqiptarëve, Lëvizja Kombëtare nuk ka qenë tërësisht politikisht homogjene, që nga Lidhja e Prizrenit (1878), e veçanërisht pas vitit 1912. Megjithëkëtë, rrymat e ndryshme politike në kuadër të Lëvizjes Kombëtare pas vitit 1912, kanë qenë më shumë rezultat i kalkulimeve strategjike (se sa i indoktrinimeve ideologjike etj.), me synimin kryesor dhe të përbashkët për çlirimin e Kosovës me vise, drejt bashkimit kombëtar. Rrjedhimisht, Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës me vise dhe Bashkim Kombëtar (pas vitit 1912), kryesisht karakterizohet nga gërshetimi i rezistencës aktive dhe pasive të shqiptarëve.

Rezistenca aktive, kundër pushtimit dhe sundimit serb të Kosovës që nga Lufta e Parë Ballkanike 1912, identifikohet përveç tjerash me: Lëvizjen Kaçake, Komitetin për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës, rezistencën kundër ri-pushtimit serb të Kosovës (gjatë përfundimit të Luftës së Dytë Botërore), dhe me grupet klandestine të pas Luftës së Dytë Botërore, që rezultuan me themelimin e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK-s) dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-s). Me fjalë të tjera, rezistenca aktive e shqiptarëve, pavarësisht rrethanave real-politike në kohë dhe hapësirë, ka qenë në vazhdimësi e karakterizuar nga idealizmi, përkushtimi dhe sakrificat, për çlirimin e pjesëve të okupuara të kombit shqiptar jashtë “Shqipërisë Londineze”, dhe për bashkimin e shqiptarëve në një shtet (union, federatë/konfederatë), bazuar në idealin kombëtar të Lidhjes së Prizrenit. Në këtë kuptim, rezistenca aktive e shqiptarëve për Çlirimin e Kosovës me Vise dhe Bashkim Kombëtar, e ka një vazhdimësi të pashkëputur prej vitit 1912, si në aspektin strukturor, ku gjatë goditjeve të ndryshme që ka marr në kohë dhe hapësirë, ka arritur të riorganizohet në mënyra të ndryshme, dhe si në aspektin e individit, duke qenë e inkurajuar nga personalitetet me ndikim të jashtëzakonshëm, përveç tjerëve: Hasan Prishtina, Adem Demaçi, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Ukshin Hoti, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Ahmet Haxhiu, Xhavit Haziri e deri tek Adem Jashari dhe Albin Kurti. 

Rezistenca pasive e shqiptarëve, në kuptimin e “politikës si art i së mundshmes”, identifikohet kryesisht (pas Luftës së Parë Botërore), me Partinë Legale Shqiptare, Bashkimi (Xhemijeti) në kuadër të Jugosllavisë Monarkiste, në krye me Ferat Dragën etj. Ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore, identifikohet me udhëheqjen politike shqiptare të institucioneve të Krahinës së Kosovës në Jugosllavinë Federaliste, në krye me Fadil Hoxhën etj. Pas shembjes së murrit të Berlinit (1989) identifikohet me Lidhjen Demokratike të Kosovës, në krye me Ibrahim Rugovën etj., dhe pas Konferencës së Rambujes (1999), identifikohet kryesisht me udhëheqjen politike në krye me Hashim Thaçin etj. Gjithashtu edhe (në kuadër më të gjerë politik-kombëtar), udhëheqja politike e “Shqipërisë Londineze”, pas Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, në krye me Ahmet Zogun dhe Enver Hoxhën, ka qenë e karakterizuar nga një qasje real-politike, duke e përfshirë “luftën e ashpër për pushtet”, dhe në këtë vazhdë edhe qasja politike e udhëheqësve të më pastajmë (me disa ndryshime në rrethanat e reja, pas shembjes së murrit të Berlinit), në krye me Ramiz Alinë, Sali Berishën, Fatos Nanon etj.

Shikuar historikisht, vazhdimësia e rezistencës pasive e shqiptarëve, përkatësisht rezistenca politike institucionaliste (në Kosovë, por edhe në nivel kombëtar), ka shërbyer përveç tjerash, të amortizoj goditjet e regjimeve të Beogradit etj., që si qëllim final kishin të gjejnë “shkas” dhe “justifikim” për zhdukjen dhe dëbimin e tërësishëm të shqiptarëve nga Kosova dhe më gjerë, dhe për aneksimin e mëtutjeshëm të territoreve shqiptare. Ndërsa vazhdimësia e rezistencës aktive e shqiptarëve, përkatësisht Lëvizja Çlirimtare, ka shërbyer si katalizatori kryesor për çlirimin e Kosovës, dhe në këtë vazhdë ka ndikuar për inkurajimin e procesit për realizimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni dhe në vise të tjera të banuara me shqiptar, në ish-Jugosllavi. Rrjedhimisht, rezistenca aktive dhe pasive e shqiptarëve për çlirimin e Kosovës me vise, (përkundër sfidave, dobësive dhe divergjencave), ka qenë në masë të madhe komplementare, dhe kulmoi me luftën e lavdishme të UÇK-s.

                    Prapavija, pikënisja konkrete dhe faktorizimi i UÇK-s

Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës me Vise dhe Bashkim Kombëtar (pas Luftës së Dytë Botërore), karakterizohet nga tri rrymat politike: çlirimtarët, institucionalistët dhe akademikët.

Çlirimtarët, identifikohen me vazhdimësinë e rezistencës aktive, përkatësisht Lëvizjen Çlirimtare, e karakterizuar nga veprimtaria e grupeve klandestine që rezultoi me demonstratat e vitit 1968, ku ra dëshmorë Murat Mehmeti dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Demonstratat u iniciuan nga një grup i studentëve në Prishtinë në krye me Osman Dumoshin etj., që në fakt ishin celulë e të rinjve të Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH), e themeluar në vitin 1963, nga Adem Demaçi etj.  Konkretisht demonstratat filluan në Prizren me 6 tetor 1968, në krye me Isa Demajn dhe bashkëveprimtarët e tij., i cili ishte koordinues i grupit të Prizrenit me grupin e studentëve të Prishtinës, dhe vazhduan në qytete të tjera, me kërkesat kryesore: “Duam vetëvendosje gjer në shkëputje”, “Duam Republikë”, “Duam Kushtetutë”, “Duam Universitet”, “Duam bashkimin e të gjitha viseve shqiptare me Kosovën” etj. Këto demonstrata e kanë pasur një ndikim të tërthortë edhe në kuadër të një procesi politik që kishte filluar në udhëheqjen jugosllave në vitin 1966 (i shkaktuar nga “lufta për pushtet” në mes Titos dhe Aleksandër Rankoviqit) dhe rezultoi me kushtetutën e re jugosllave të vitit 1974, në kuadër të së cilës u avancua edhe statusi politik i Kosovës. Rrjedhimisht, periudha gjatë fund-viteve `60 dhe fillim-viteve `70, karakterizohet nga një progres kulturoro-politik në Kosovë, përveç tjerash: lejimi i përdorimit të flamurit kombëtar (1968), themelimi i Universitetit të Prishtinës (1969), njësimi i gjuhës letrare shqipe në Tiranë në vitin 1972, ku të pranishëm ishin edhe delegatët shqiptar, jashtë “Shqipërisë Londineze” (Kosova etj.), dhe kulmoi me Kushtetutën e Kosovës në vitin 1974, që përcaktoi Kosovën si element konstituiv në kuadër të federatës jugosllave.

Institucionalistët, identifikohen me udhëheqjen politike shqiptare-institucionale të Krahinës së Kosovës, në krye me Fadil Hoxhën, Iljaz Kurteshin, Mahmut Bakallin etj., të cilët e kanë dhënë kontributin e tyre në kuadër të procesit politik që rezultoi edhe me Kushtetutën e Kosovës në vitin 1974. Megjithëkëtë, gjatë këtij procesi, dhe në vazhdimësi, përkushtimi i institucionalistëve, ka qenë i karakterizuar nga një rezistencë pasive, në kuptimin se nuk kanë qenë proaktiv në kuadër të përpjekjeve për transformimin e Krahinës së Kosovës në Republikën e Kosovës, edhe pse kishte pengesa reale për këtë transformim.

Akademikët, identifikohen me veprimtarinë në kuadër të institucioneve shkencore të Kosovës: Institutin Albanologjik (1967) që fillimisht u udhëhoq nga Fehmi Agani, pastaj nga Idriz Ajeti, Rexhep Qosja etj. Entin e Historisë (1967), që më pastaj evoluoj në Institutin e Historisë së Kosovës, dhe u udhëhoq për shumë vite nga Ali Hadri. Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (1975) e udhëhequr fillimisht nga Esat Mekuli, pastaj nga Idriz Ajeti, Dervish Rozhaja etj., dhe veçanërisht me Universitetin e Prishtinës, ku fillimisht ishte rektor Dervish Rozhaja, pastaj Idriz Ajeti, Feriz Krasniqi, Gazmend Zajmi etj.  Kjo elitë akademike, nuk arriti gjatë viteve `70 – `80, të determinojnë figura sikurse Haveli, Valenca, Sakharov etj., dhe (me ndonjë përjashtim) nuk karakterizohet nga përpjekjet e veçanta për transformimin e Krahinës së Kosovës në Republikën e Kosovës. Megjithëkëtë, kjo elitë akademike e ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në kuadër të veprimtarisë shkencore dhe ngritjes së sistemit të lartë arsimor në Kosovë, duke e përfshirë edhe kontributin e pedagogëve nga Shqipëria, që vinin gjatë viteve `70 për të ligjëruar në Universitetin e Prishtinës.  Pas shembjes së murrit të Berlinit (1989), pjesa dërmuese e elitës akademike të Kosovës, u bë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-s), në krye me kryetarin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, Ibrahim Rugovën.

            Progresi kulturoro-politik i shqiptarëve gjatë fund-viteve `60 dhe fillim-viteve `70, duke e përfshirë Kushtetutën e Kosovës në vitin 1974, ishte një e arritur e madhe. Por njëkohësisht, nuk ishte ndonjë garanci e zgjidhjes së çështjes shqiptare në Jugosllavi. Sepse Kosova nuk kishte evoluar në një republikë formale që do të mund ti garantohej një siguri politike shqiptarëve në Jugosllavi, edhe pas vdekjes së Titos, i cili, prioritet parësor kishte pushtetin dhe stabilitetin politik dhe jo të ardhmen politike të shqiptarëve në Jugosllavi. Madje edhe përafrimi i Titos me Enver Hoxhën ishte strategjik, sepse pushtimi i Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik, e kishte frikësuar Titon dhe kishte nevojë për të gjitha shtetet antiruse në Ballkan. Ndërsa Shqipëria në ketë periudhë kohore, i kishte të prishura marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe nuk merrte subvencione nga sovjetikët. Rrjedhimisht, në fillim-vitin 1969, rezultuan marrëveshjet tregtare në mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë, dhe pas disa muajsh edhe marrëveshja në bazë të së cilës erdhën (gjatë fillim-viteve `70), rreth 200 profesorë nga Shqipëria për të ligjëruar në Universitetin e Prishtinës, duke përfshirë përdorimin e teksteve të botuara në Shqipëri.

Për dallim të institucionalistëve dhe akademikëve, veprimtarët e Lëvizjes Çlirimtare, ishin idealist. Ideali për bashkim kombëtar dhe përvojat e hidhura historike të popullit shqiptar në Jugosllavi, para, gjatë, dhe pas luftës së dytë botërore, ishin motivacioni i tyre kryesor në përpjekjet për të transformuar Krahinën e Kosovës në Republikën e Kosovës, si një hap i domosdoshëm për sigurinë politike të shqiptarëve në Kosovë, (që do të shërbente edhe për sigurinë politike të shqiptarëve në Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi), dhe njëkohësisht si një parakusht për bashkimin kombëtar të shqiptarëve në të ardhmen. Për këtë arsye, veprimtarët e Lëvizjes Çlirimtare nuk u magjepsen shumë, nga ndryshimet politike që solli kushtetuta jugosllave e vitit 1974, sepse këto ndryshime nuk e zgjidhnin çështjen politike të shqiptarëve në Jugosllavi. Madje, në kuadër të këtyre ndryshimeve pozitive të barazisë etnike, rezultuan edhe biefektet negative, sepse shqiptarëve u imponohej dhe u mundësohej më së shumti mobilizimi në radhët e partisë. Rrjedhimisht, rekrutimi masiv i shqiptarëve në lidhjen komuniste, dhe privilegjet e pozitave partiake dhe burokratike, përveç anës pozitive, bartnin me vete imponimin, presionin dhe indoktrinimin, në kuptimin e lojalitetit dhe servilitetit ndaj Jugosllavisë dhe titizmit, dhe luftimin e veprimtarisë së Lëvizjes Çlirimtare. Në këtë vazhdë, rezultoi strategjia “përçaj dhe sundo” ngashërbimi i sigurisë shtetërore jugosllave, i dominuar nga Serbia (UDB), që nëpërmes privilegjeve, shantazheve dhe presioneve, përdorte një pjesë të shqiptarëve, për të luftuar veprimtarinë e Lëvizjes Çlirimtare.

Në mars-prill të vitit 1981, shpërthyen demonstratat e fuqishme në Kosovë me kërkesat socio-politike, që ndikuan përveç tjerash, për fillimprocesin e shembjes së themeleve të Jugosllavisë, dhe për ndërkombëtarizimin e çështjes politike të Kosovës. Reagimi i pushtetit serb ndaj demonstratave të vitit 1981, ishte shumë më brutal se sa ndaj demonstratave të vitit 1968. Forcat policore plagosën qindra demonstrues, ndërsa dëshmorë ranë: Naser Hajrizi, Asllan Pireva, Xhelal Maliqi, Salih Abazi, Salih Zeka, Ruzhdi Hyseni, Rizah Matoshi, Sherif Frangu, Tahir dhe Nebih Meha, Nesimi Dervishdana, Salih Maloku etj. Iniciatorët e këtyre demonstratave (duke përfshirë dy zëdhënësit kryesorë, Ali Lajçin dhe Hydajet Hysenin), u dënuan me burgime të rënda. Në këtë vazhdë, vetëm në periudhën 80`-90`, u dënuan me burgime të rënda mijëra shqiptar për «veprimtari armiqësore kundër Jugosllavisë» ndaj të cilëve u përdorën torrtura të rënda, ku pati edhe raste të vrasjeve gjatë torturave. Gjithashtu, në ushtrinë jugosllave u burgosën qindra dhe u vranë dhjetra ushtar shqiptar për «veprimtari armiqësore kundër Jugosllavisë». Konsiderohet se rreth 80% e të burgosurve politik në ish-Jugosllavi, kanë qenë shqiptarë.

Udhëheqësit politik shqiptar të institucioneve të Krahinës së Kosovës në krye me Fadil Hoxhën, Mahmut Bakallin, Azem Vllasin etj., edhe pse kishin një përvojë politike më të madhe, nuk u treguan mjaftueshëm të guximshëm dhe politikisht kreativ për ndonjë lloj koordinimi me iniciatorët e demonstratave të vitit 1981, në lidhje me kërkesën për “Republikën e Kosovës”, si një kërkesë e drejtë në kuadër të barazisë së popujve në Jugosllavinë federale. Së paku, nuk morën një qëndrim politiko-diplomatik, që në parim të jenë pro kërkesës për “Republikën e Kosovës” dhe njëkohësisht kundër mënyrës së shtrimit të kësaj kërkese nëpërmes demonstratave etj. Kjo mungesë koordinimi në mes politikës aktive dhe pasive të shqiptarëve, i ka pasur pasojat e veta në shumë aspekte, ngjashëm sikurse mungesa e koordinimit politik gjatë përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në mes Fadil Hoxhës dhe Shaban Polluzhës, Halim Spahisë etj. Duke përfshirë mungesën e koordinimit politik pas Luftës së Parë Botërore, në mes Ahmet Zogut dhe Hasan Prishtinës, Fan Nolit etj., dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, në mes Enver Hoxhës dhe Mithat Frashërit etj.

Për demonstratat e vitit 1981, pati edhe konspiracione në kuptimin se ishin të orkestruara nga qarqet e shërbimit sekret serb, rus etj., për të kthyer në regres fuqinë politike të shqiptarëve në Kosovë, që e kishin fituar në bazë të kushtetutës së vitit 1974. Në fakt ky ishte dhe mbeti një konspiracion dhe vlerësim antihistorik, sepse demonstratat e vitit 1981, ishin një vazhdimësi historike e rebelimit të shqiptarëve kundër regjimeve shtypëse të Beogradit prej vitit 1912, duke përfshirë demonstratat e vitit 1968, dhe veçanërisht ishin të ndikuara nga veprimtaria dhe shtypi i grupeve klandestine të viteve `70 – `80. Me fjalë të tjera, një pjesë domethënëse e shoqërisë studentore e Universitetit të Prishtinës, ishin të ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë nga veprimtaria dhe shtypi i grupeve klandestine. Gjithashtu këto demonstrata ishin rezultat i kontekstit të përgjithshëm socio-politik në Kosovë. Ngase “periudha e lulëzimit” në vitet ’70, ndikoi në ngritjen e vetëdijes kombëtare, sidomos në mesin e të rinjve, që pashmangshëm rezultoi në rritjen e kërkesave politike. Pse Kosova nuk duhet të ketë status republike kur ka më shumë banorë sesa në Mal të Zi apo në Slloveni? Gjithashtu, për pakënaqësinë ndikonte që Kosova kishte mbetur ende zona më e varfër në Jugosllavi. Supozohet se edhe “Shqipëria Londineze” mund të ketë pasur një ndikim të drejtpërdrejt ose të tërthortë në lidhje me demonstratat e vitit 1981, veçanërisht profesorët që vinin në Kosovë për të ligjëruar në Universitetin e Prishtinës, gjatë viteve `70.  Pushteti në “Shqipërinë Londineze”, përkrahu publikisht demonstratat e vitit 1981, dhe në kuadër të kësaj përkrahjeje përpiqej njëkohësisht të kontrollonte Lëvizjen Çlirimtare, me “përgjegjësinë e kalkulimit real-politik” që kishte si pushtet/shtet. Ndërsa veprimtarët e Lëvizjes Çlirimtare, për shkaqe patriotike dhe idealit për bashkim kombëtar, ishin lojal ndaj vendit amë (Shqipërisë Londineze) pavarësisht sistemit politik.

                                                     Pikënisja konkrete

Diaspora shqiptare në përgjithësi dhe emigracioni politik shqiptar në veçanti, e kanë pasur një rol shumë të rëndësishëm në kuadër të proceseve për komb-formimin, çlirimin dhe faktorizimin politik të shqiptarëve në Ballkan. Megjithëkëtë, politizimi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore, i ka pasur pasojat e veta edhe në emigracion. Sepse, deri në fillim-vitet `70, emigracioni politik shqiptar ka qenë kryesisht i preokupuar me ndonjë përjashtim (Hysen Tërpeza, Tahir Kerrnaja, Sami Repishti etj.), vetëm me veprimtarinë kundër regjimit diktatorial në Shqipëri, dhe jo me ndonjë veprimtari konkrete për çlirimin e Kosovës me vise.

Pas demonstratave të vitit 1981, regjimi i Beogradit i vuri në shënjestër edhe veprimtarët e Lëvizjes Çlirimtare, në kuadër të emigracionit politik shqiptar, të cilët kishin nisur gjatë viteve `70, veprimtarinë konkrete për çlirimin e Kosovës me vise, dhe konsideroheshin si një kërcënim politiko-diplomatik ndaj Serbisë, në lidhje me çështjen e Kosovës. Kjo ndikoi që shërbimi i sigurisë shtetërore jugosllave (UDB), të përpiqet të përçaj, frikësoj dhe të dobësoj sa më shumë, veprimtarinë e emigracionit politik shqiptar, madje edhe nëpërmes organizimit të atentateve. Me 14. prill 1981, në Frankfurt të Gjermanisë u plagos rënd veprimtari Rasim Zenelaj. Ndërsa me 10. tetor 1981 në Bruksel të Belgjikës, u vra veprimtari, Vehbi Ibrahimi (që të dy veprimtarë të Besëlidhjes Kombëtare Shqiptare në krye me Emin Fazliun). Gjithashtu në Bruksel, rreth 9 vite më vonë, përkatësisht me 25 shkurt 1990, u vra veprimtari Enver Hadri. 

Me fjalë të tjera, Lëvizja Çlirimtare, (Pas Luftës së Dytë Botërore), e karakterizuar nga veprimtaria e grupeve klandestine, si brenda vendit (në trojet e banuara me shqiptar në ish-jugosllavi), ashtu edhe jashtë vendit që nga vitet `70 (në kuadër të emigracionit politik shqiptar), për shkak të rrethanave të vështira për veprim, ka pasur vështirësi të bashkohet formalisht në një organizatë me strukturë të qëndrueshme politike. Në këtë vazhdë, ndikimin vendimtar për përafrimin e një pjese domethënëse të grupeve klandestine, që vepronin në kuadër të Lëvizjes Çlirimtare, e ka pasur (me prapavijën dhe personalitetin e tij përbashkues) idealisti, veprimtari, intelektuali, poeti dhe këngëtari, Jusuf Gërvalla. Rrjedhimisht, inicimi në diasporë (në vigjilje të demonstratave të vitit 1981) për themelimin e organizatës Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK-s), në krye me Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën, Bardhosh Gërvallën, Ibrahim Kelmendin etj., (tre të parët u ekzekutuan në një atentat të UDB-s, në Shtutgard të Gjermanisë, me 17 janar të vitit 1982), dhe inkurajimi i veprimtarisë së LPK-s në Kosovë, në krye me Rexhep Malën, Nuhi Berishën etj., (të cilët ranë heroikisht me 12 janar të vitit 1984 në Prishtinë, në një përballje të armatosur e të pabarabartë nën rrethimin e forcave policore), është një pikënisje konkrete e fillesës së organizimit të rezistencës së armatosur në Kosovë.

Formalizimi i themelimit të LPK-s, e njohur fillimisht si Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSHJ), është i bazuar edhe në platformën “Teza rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës” e lëshuar në qarkullim në qershor 1981, nga Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Nezir Myrtaj etj., dhe bazuar në takimin e 17 shkurtit 1982, në mes të përfaqësuesve të dy grupeve klandestine, Sabri Novosellës dhe Abdullah Prapashticës, me Konsullin e Shqipërisë në Turqi, Bujar Hoxhën, (përndryshe i biri i Hoxhë Kadri Prishtinës – Kryetar i Komitetit për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës). Ndërsa me 15 maj 1982, udhëheqjes së LPK-s, ju bashkëngjit Xhafer Shatri, i cili përfaqësonte grupin më të fuqishëm klandestin në Kosovë, gjatë viteve `70 (Grupi Revolucionar i Kosovës, i njohur më pastaj si Grupi Marksist Leninist i Kosovës dhe Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës).

Në këtë vazhdë, nga njëra anë, dega e LPK-s, brenda vendit (në trojet e banuara me shqiptar në ish-jugosllavi) e vazhdoi veprimtarinë çlirimtare gjatë viteve `80 – `90, përkundër rrethanave të vështira për veprim. Gjatë kësaj periudhe, strukturat e regjimit të Beogradit në Kosovë me vise, burgosën, torturuan dhe vranë veprimtarë dhe simpatizantë të LPK-s. Në kuadër të kësaj veprimtarie, gjatë viteve `80 -`90, u vranë nën rrethim dhe përballje të armatosur e të pabarabartë me forcat policore, u dënuan me burgje të rënda dhe vdiqën si pasojë e torturave, edhe disa ndër drejtuesit dhe veprimtarët më të spikatur të veprimtarisë klandestine dhe të degës së LPK-s, brenda vendit, përveç tjerëve: Bajram Bahtiri, Zijah Shemsiu, Fehmi Lladrovci, Xhavit Haziri, Xhabir Morina, Enver Topalli, Sejdi Veseli, Abdullah Tahiri, Hysen Gega, Metush Krasniqi, Kadri Osmani, Ahmet Haxhiu, Arif Seferi, Ali Ajeti, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Fadil Vata, Bejadin Hallaqi, Xhemaijli Berisha, Tahir Lush Berisha, Hasan Ramadani, Mehë Ramë Uka etj. Kjo vazhdimësi e veprimtarisë së degës së LPK-s, brenda vendit, ka qenë jetike për mundësinë e organizimit të kryengritjes së armatosur në Kosovë në fund-vitet `90. Në kuadër të këtyre zhvillimeve, një rol shumë të rëndësishëm e ka pasur, simboli i guximit akademik, Ukshin Hoti, i cili (përveçse me bashkëveprimtarët e tij, Halil Alidemajn etj., e kanë përkrahur hapur kërkesën për Republikën e Kosovës, gjatë demonstratave të vitit 1981), ka qenë një inkurajues i madh për veprimtarët e LPK-s.

Nga ana tjetër, dega e LPK-s, jashtë vendit (në kuadër të emigracionit politik shqiptar), e ka ndihmuar në vazhdimësi organizimin dhe riorganizimin (pas goditjeve) të degës së LPK-s, brenda vendit, dhe e ka pasur një rol të rëndësishëm për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Sepse në vazhdimësi organizoi demonstrata dhe protesta, në qendrat e shteteve perëndimore, me kërkesën për Republikën e Kosovës, duke e ushtruar njëkohësisht veprimtarinë lobiste dhe diplomatike. Në ketë drejtim, një kontribut të veçantë e kanë dhënë edhe disa struktura lobiste dhe të diplomacisë jo-formale të ish-emigracionit politik shqiptar, të themeluara para shembjes së murit të Berlinit: Organizata Rinia Shqiptare-Kosovare në Botën e Lirë, në New York (1970), Komiteti i Kosovës për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Belgjikë (1983), Komiteti i Kosovës për Informimin e Opinionit Botëror në Zvicër (1985), Grupi për Ballkanin i Komitetit Norvegjez të Helsinkit në kuadër të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit (1988), që bashkëpunonte drejtpërdrejt me LPK-n, Shoqata Migjeni në Slloveni (1989), Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane (1989) etj. Kjo veprimtari lobiste dhe e diplomacisë jo-formale, ndikoi përveç tjerash për kyçjen e çështjes së Kosovës në kuadër të kancelarive diplomatike të shteteve perëndimore, dhe në kuadër të “Procesit të Helsinkit” (si një proces shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare në mes Lindjes dhe Perëndimit, që rezultoi me fitoren e shteteve perëndimore). Pas shembjes së murit të Berlinit, kjo veprimtari lulëzoi edhe në Kosovë. Në fund-vitin 1989 u themelua Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, i cili u udhëhoq fillimisht nga, Bajram Kelmendi, Zekiria Cana, Zenun Qelaj etj., dhe më pastaj u intensifikua veprimtaria e këtij këshilli nën udhëheqjen e Adem Demaçit. Ndërsa në muajin prill 1990, u themelua Komiteti Kosovar i Helsinkit, në krye me Gazmend Pulën.

                                                   Faktorizimi

LPK-ja, ishte e vetmja organizatë e fuqishme politike e shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe në diasporë që në programin e vet, nuk e përjashtonte kryengritjen e armatosur, si mjet të fundit për çlirimin e shqiptarëve në ish-Jugosllavi (pasi që të gjitha mjetet tjera politiko-diplomatike të konsumohen).Pas themelimit të LPK-s, në vitin 1982, katër mbledhjet e përgjithshme të kësaj organizate që janë mbajtur në vitin 1987, 1989, 1991, 1993 dhe këshillat e përgjithshëm që kanë rezultuar nga këto mbledhje të përgjithshme, si organi më i lartë udhëheqës i LPK-s, e kanë ruajtur kontinuitetin organizativ për mundësinë e kryengritjes së armatosur në Kosovë, pas konferencës së Dejtonit. Në mbledhjen e IV të përgjithshme të vitit 1993 (e mbajtur në shtëpinë e veprimtarit, Fatmir Brajshorit), u mor vendimi për fillimin e kryengritjes së armatosur, në krye me udhëheqësin kryesorë të LPK-s, në Kosovë, Xhavit Hazirin, i cili më pastaj u burgos, së bashku me udhëheqës të tjerë të spikatur të LPK-s, në Kosovë, Ahmet Haxhiun, Bejadin Hallaqin etj. Në bazë të këtij vendimi të mbledhjes së IV të përgjithshme, filloi shndërrimi i këshillave të LPK-s në Kosovë, në njësi të armatosura. Meqë dega e LPK-s, brenda vendit, e veçanërisht udhëheqja e saj, goditej në vazhdimësi (me burgosje, tortura dhe vrasje), dega e LPK-s, jashtë vendit (në kuadër të emigracionit politik shqiptar) kishte kompetencat që në situata të caktuara të merrte përgjegjësinë për udhëheqjen e përgjithshme të organizatës. Kjo bartje e kompetencave ndodhi konkretisht pas mbledhjes së IV të përgjithshme, sepse pjesa dërmuese e udhëheqjes së degës së LPK-s në Kosovë, u burgosën, dhe disa prej tyre që i shpëtuan arrestimeve, emigruan jashtë vendit. Në kuadër të degës së LPK-s, jashtë vendit, në kohë dhe hapësirë, ndikim të madh kanë pasur, përveç tjerëve: Hasan Malaj, Saime Isufi, Ibrahim Kelmendi, Xhafer Shatri, Ali Ahmeti, Emrush Xhemajli, Xhavit Haliti, Gjyle Krasniqi, Jashar Salihu etj.

Gjatë fillim-viteve `90, LPK, dega jashtë vendit, formoi 3 sektorë të rëndësishëm, (sektorin e organizimit politik të drejtuar nga Fazli Veliu, Muhamet Kelmendi etj., sektorin e lidhë-mbajtjes të drejtuar nga Emrush Xhemajli, Rexhë Ibërdemaj, Adem Grabovci, Gafurr Elshani dhe sektorin e rëndësisë së veçantë të drejtuar nga Xhavit Haliti, Ali Ahmeti, Azem Syla), duke e përfshirë themelimin e fondit “Vendlindja Thërret” të kryesuar nga Jashar Salihu. Ndërsa si sektor i propagandës shërbeu në vazhdimësi redaksia e “Zërit të Kosovës” (e drejtuar nga Skënder Durmishi, Xhafer Shatri, Mustafë Xhemajli, Avni Dehari, Beqir Beqa, Bislim Elshani, Adnan Asllani etj.). Gjatë viteve 1993 – 1995, pjesë të këshillave të LPK-s në Kosovë dhe në Maqedoni u shndërruan në njësi të para të armatosura, dhe me insistimin e tyre, kryesia e LPK-së, dega jashtë vendit, merr vendim për fillimin e lëshimit të komunikatave. Me 17.11.1994 u lëshua komunikata e parë ushtarake dhe u mor vendimi që organizimi i ri ushtarak të quhet (emërtohet), Ushtria Çlirimtare e Kosovës – UÇK.  Në këtë vazhdë, një fraksion “radikal” i LPK-s, Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), ju bashkëngjit UÇK-s. Megjithëkëtë, faktorizimi i UÇK-s, në kuptimin e shtrirjes së idesë tek masat popullore për domosdoshmërinë dhe fuqizimin e kryengritjes së armatosur, ballafaqohej me shumë pengesa (si në Kosovë dhe si në diasporën shqiptare). Një ndër pengesat ishte Lëvizja Paqësore (LDK), në kuptimin se një ndër aspektet kryesore të politikës së Lëvizjes Paqësore, ishte pengimi i revoltës së dhunshme.

Për hovin e mobilizimit në kuadër të Lëvizjes Paqësore (LDK-s), gjatë fillim-viteve `90, ndikuan një sërë ndodhish dhe aktivitetesh politiko-shoqërore në Kosovë, përveç tjerash: me 2 nëntor 1989, ranë heroikisht dy udhëheqësit kryesorë të LPK-s, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, nën rrethim dhe përballje të armatosur e të pabarabartë me forcat policore.  Me 2 shkurt 1990, filloi aktivitetin aksioni për pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave (i iniciuar nga disa veprimtarë të LPK-s, dhe i udhëhequr nga profesor, Anton Qeta etj.), dhe evoluoi në një mobilizim dhe solidaritet gjithë-popullor. Gjatë demonstratave të vitit 1989-1990 (si reaksion kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës), ranë dhjetëra dëshmorë. Në qershor 1990, u themelua Bashkësia e Sindikatave të Pavarura të Kosovës në krye me Hajrullah Goranin. Me 2 korrik 1990, delegatët shqiptarë (të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, që filloi punën me 4 dhjetor 1989) e shpallën Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Rreth dy muaj më vonë, përkatësisht me 7 shtator 1990, në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Kaçanik, ku ishin të pranishëm pothuajse të gjithë delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, u miratua edhe Kushtetuta e Kosovës (Kushtetuta e Kaçanikut), që ishte përpiluar paraprakisht nga Gazmend Zajmi, Ejup Statovci etj. Në këtë vazhdë, disa pjesëtarë të ish-strukturave udhëheqëse institucionaliste të Kosovës, por edhe disa veprimtarë të mirënjohur të Lëvizjes Çlirimtare, (kryesisht ish të burgosur politik), ju bashkuan strukturave udhëheqëse të LDK-s. Gjithashtu, me pluralizmin politik në jugosllavi, përveç LDK-s, u themeluan edhe disa parti tjera të shqiptarëve në Kosovë (Partia Shqiptare Demokristiane, Partia Liberale, Partia Fshatare, Partia Socialdemokrate, Partia Republikane, Parlamenti Rinor që në fakt ishte bërthama e Partisë Parlamentare etj.), dhe u organizuan në kuadër të një Këshilli Koordinues të udhëhequr nga LDK.

Këshilli Koordinues i Partive Politike të Kosovës (i përbërë nga Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Ali Aliu, Ramush Tahiri, Veton Surroi, Shkëlzen Maliqi, Reshat Nurboja etj.), e emëroi një Komision Qendror për organizimin dhe mbajtjen e referendumit popullor (i përbërë nga Fehmi Agani, Fatmir Sejdiu, Rifat Blaku, Hivzi Islami, Ramush Tahiri, Ejup Statofci, Ismet Salihu etj.). Përkundër rrethanave të vështira, referendumi u mbajt me 26 -30 shtator 1991, ku mbi 90% të shqiptarëve të Kosovës votuan pro-pavarësisë së Kosovës dhe rrjedhimisht e legjitimuan Deklaratën e 2 korrikut dhe Kushtetutën e 7 shtatorit. Gjithashtu me 24 maj 1992, u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale në Kosovë, të cilat i fitoi Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe kryetari i saj, Ibrahim Rugova, u zgjodh President. Gjithashtu paraprakisht, me 19 tetor 1991, ishte themeluar Qeveria e Kosovës në Egzil, në krye me Bujar Bukoshin, që fillimisht u vendos në Lubjanë të Sllovenisë dhe më pastaj nga viti 1992 në Bon të Gjermanisë.

Represioni gjatë fillim-viteve `90, ndikoi që të ketë edhe iniciativa pothuajse publike për organizimin e kryengritjes së armatosur të shqiptarëve, kundër regjimit neofashist të Milosheviqit. Me këtë qëllim, një grup i shqiptarëve nga Kosova, kishte shkuar për stërvitje ushtarake në Shqipëri, në vitin 1991. Ndërsa me shpërthimin e luftës në Kroaci dhe Bosnje, disa ushtarak shqiptar të ish-armatës jugosllave etj., kishin iniciuar ngritjen e një fronti të përbashkët që do të përfshinte shqiptarët me palët tjera në luftë, kundër regjimit neofashist të Milosheviqit. Këtyre iniciativave (që shumë shpejtë u dekonspiruan), nuk ju kushtua ndonjë interesim dhe mbështetje e veçantë, nga udhëheqësit e politikës paqësore të Kosovës. Megjithëkëtë, ndikimi i Lëvizjes Paqësore për të penguar revoltën e dhunshme të shqiptarëve, në masë të madhe ishte i logjikshëm politikisht, deri në përfundimin e konferencës së Dejtonit. Por çuditërisht as para dhe veçanërisht pas konferencës së Dejtonit, nuk u sinkronizua ndonjë lloj strategjie e përbashkët (plan B), në mes LDK-s (duke përfshirë Qeverinë e Kosovës në Egzil) dhe LPK-s.

Mos përfshirja e çështjes së Kosovës në konferencën e Dejtonit, ishte njëkohësisht dështim i politikës paqësore. Megjithëkëtë, sikurse grevat e minatorëve dhe përpjekjet e institucionalistëve në krye me Kaqusha Jasharin etj., duke e përfshirë një numër të caktuar të delegatëve shqiptar të Kuvendit të Kosovës, gjatë vitit 1988 dhe fillim-vitit 1989 (kundër nismës për suprimimin e dhunshëm të autonomisë së Kosovës) si faktor i brendshëm, dhe shembja e murit të Berlinit, si faktorë i jashtëm, që e patën ndikimin e vet, për t’i dhënë legjitimitet ndërkombëtar, Lëvizjes Paqësore të Kosovës (LDK-s). Gjithashtu politika e Lëvizjes Paqësore (para konferencës së Dejtonit) si faktorë i brendshëm, dhe gjenocidi në Bosnjë, si faktorë i jashtëm (që preku thellë ndërgjegjen e shteteve perëndimorë) e patën ndikimin e vet, që ti japin legjitimitet ndërkombëtar luftës së më vonshme të UÇK-s. Në kuptimin se shqiptarët e Kosovës në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, kishin provuar me vite të zgjidhin problemin e Kosovës pa luftë, por ishin refuzuar nga Milosheviqi, dhe se shtetet perëndimore nuk mund të toleronin të ndodhë në Kosovë e njëjta përmasë gjenocidiale, që kishte ndodhur në Bosnjë. Veçanërisht duke e marr parasysh faktorin gjeopolitik, ngase një konflikt i armatosur në Kosovë (për dallim të Bosnjës) e kishte potencialin e zgjerimit të luftës, përtej kufijve të ish-Jugosllavisë.

Pas konferencës së Dejtonit (dhe çlirimit të Kroacisë me forcat e veta, në vitin 1995), u intensifikuan aksionet e armatosura të UÇK-s. Në këtë vazhdë, edhe UÇK pësoi goditje të njëpasnjëshme, e veçanërisht në vitin 1997. Përveçse u arrestua koordinatori i UÇK-s, në Kosovë, Nait Hasani etj., u vranë edhe disa ndër drejtuesit më të spikatur të UÇK-s, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu, Luan Haradinaj, Adrian Krasniqi etj.  Me 1 tetor 1997, përfaqësues të Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës (Muhamet Mavraj, Albin Kurti, Bujar Dugolli, Driton Lajçi, Ilir Dugolli etj.), në krye me rektorin Ejup Statovcin, organizuan demonstratën e fuqishme studentore, që njëkohësisht nënkuptonte një lloj mbështetje për UÇK-n.  Me 28 nëntor 1997, në Llaushë të Drenicës, gjatë varrimit të mësuesit Halit Gecaj, i vrarë nga forcat e policisë serbe, në praninë e qindra njerëzve, tre ushtarë të UÇK-s, dolën haptas para të pranishmëve dhe u thanë se UÇK-ja ekziston. Gjithashtu në diasporë, me 09 dhjetor 1997, një veprimtar i LPK-s, në Skandinavi, deklaroi publikisht për radiotelevizionin norvegjez (NRK), se UÇK ekziston dhe se shqiptarët në diasporë kanë filluar mobilizimin për të mbështetur financiarisht dhe ushtarakisht UÇK-n. 

Në fund të vitit 1997, kryesia e LPK-s, e aprovoi stemën e UÇK-s, e dizajnuar nga veprimtari Adnan Asllani. Me 22 shkurt 1998, në Zyrën Amerikane në Prishtinë, Adem Demaçi takoi të Dërguarin Special të SHBA-së për Ballkanin, Robert Gelbart, i cili paraprakisht e kishte cilësuar UÇK-n, si një organizatë “terroriste”. Në këtë vazhdë, përkundër vështirësive të mëdha, rezistenca e armatosur dhe heroike e UÇK-s, vazhdoi në krye me Adem Jasharin, Muj Krasniqin, Ilir Konushevcin, Shkëlzen Haradinajn, Bahri Fazliun, Agron Rrahmanin, Xhevat Berishën, Remzi Ademajn etj., dhe paralelisht vazhduan me këmbëngulësi edhe përpjekjet politiko-diplomatike të UÇK-s.

                                                    Dy ndodhitë e mëdha

Në këtë vazhdimësi, dy ndodhi të mëdha e bën ndryshimin e madh për faktorizimin e UÇK-s. Ndodhia e parë, është e ngjashme me rënien heroike në krye të detyrës të udhëheqësve të LPK-s, Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës, Bardhosh Gërvallës, Rexhep Malës, Nuhi Berishës etj., në një periudhë kyçe historike, përkatësisht pas demonstratave të vitit 1981, që kontribuoi për një inkurajim dhe mobilizim më të fuqishëm të Lëvizjes Çlirimtare, në kuadër të LPK-s. Ngjashëm, në një periudhë kyçe historike, rezistenca heroike, dhe rënia në mars të vitit 1998, e patriotit altruist, prijësit të Lëvizjes së Armatosur të UÇK-s, Adem Jasharit, dhe 57 anëtarëve të familjes së tij, (ku u masakruan 58 persona nga ana e regjimit neofashist të Milosheviqit), kontribuoi për një mobilizim shumë të fuqishëm të Lëvizjes Çlirimtare, në kuadër të UÇK-s. Në kuadër të këtij mobilizimi të domosdoshëm, LPK, organizoi shkuarjen në Kosovë të një pjese të veprimtarëve me përvojë. Pjesa tjetër e LPK-së u bë mbështetja kryesore politike, diplomatike, financiare e logjistike për UÇK-në, nga jashtë territorit të luftimeve.  

Me 24 mars 1998, forcat serbe rrethuan fshatin Gllogjan në Dukagjin dhe e bën një sulm (të ngjashëm sikurse ndaj familjes Jashari), ndaj familjes Haradinaj, e cila tashmë ishte vigjilente për mundësinë e ndonjë sulmi të papritur. Sulmi ndodhi me 24 mars 1998, dhe familja Haradinaj me bashkëluftëtar bëri një rezistencë të suksesshme që ndikoi të zmbrapsë forcat serbe. Kjo rezistencë heroike në krye me komandantin Ramush Haradinaj, i inkurajoi mijëra shqiptarë të tjerë në rajonin e Dukagjinit, ti bashkëngjiten UÇK-s.

Në muajin mars 1998, u paraqit “publikisht” në një intervistë, drejtuesi i sektorit të rëndësisë së veçantë të LPK-s Xhavit Haliti etj. Kjo intervistë e ka rëndësinë e vet, sepse për herë të parë zyrtarisht për mediat paraqitet personi i autorizuar nga LPK, dhe i cilësuar si personi kryesor i UÇK-s (sidomos deri në këtë kohë). Sektori i rëndësisë së veçantë në kuadër të LPK-s (që kishte për detyrë të organizojë dhe koordinoj kryengritjen e armatosur në Kosovë),  që nga fillimi ishte më i pavarur krahasuar me sektorët tjerë të LPK-s, dhe pas vitit 1998, për shkaqe që dihen dhe nuk dihen, u vet-pavarësua edhe më shumë, duke u shndërruar në shtabin qendror të UÇK-s dhe drejtorinë politike, dhe më pastaj në Shtabin e Përgjithshëm. Mënyra e këtij transferimi është konsideruar anashkalim i vet organizatës (LPK-s), që de jure ishte pjesë e saj por de facto vepronte si strukturë e re paralele. Veçanërisht u konsiderua si anashkalim, pozicionimi i Hashim Thaçit (pa autorizimin e duhur të LPK-s) në pozitën e drejtorit të drejtorisë politike të UÇK-s, i cili gradualisht dhe sidomos gjatë Konferencës së Rambujesë, e akumuloi pushtetin politik brenda UÇK-s – LPK-s. Ndoshta kjo kishte të bënte pjesërisht edhe me vet aspektin organizativ si “fenomen universal”. Studiuesi Robert Michels, në studimin e tij të famshëm Partitë politike: Një studim sociologjik i tendencave oligarkike të demokracisë moderne (1911), konstaton se të gjitha organizatat pashmangshmërisht rezultojnë në “ligjin e hekurt të oligarkisë”. Në kuptimin se me zhvillimin e një organizate, një grup personash, duke kontrolluar resorët, linjat e informacionit etj., dalëngadalë e akumulojnë pushtetin në kuadër të organizatës. Madje sipas kësaj teorie (“ligji i hekurt i oligarkisë”), edhe në kuadër të organizatave me intenca të njëmendta demokratike dhe me dëshirat për ndarje të duhur të pushtetit, dalëngadalë rezultojnë një “grup personash” që akumulojnë pushtetin brenda organizatës. Megjithëkëtë, kjo teori (që shpeshherë cilësohet si pothuajse i vetmi “ligj” në kuadër të shkencave shoqërore), është modifikuar nga studiues të tjerë të mëvonshëm.

Me zgjedhjen e Bedri Islamit, kryetar të LPK-s, në vitin 1998, u arrit të bëhej menaxhimi më i mirë i mundshëm (marr parasysh rrethanat), duke shmangur përçarjen brenda LPK-s, në mes sektorit të veçantë (tashmë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-s) dhe kryesisë së LPK-s, respektivisht Këshillit të Përgjithshëm të LPK-s. Përndryshe, thellimi i përçarjes do të kishte efekt fatal për luftën çlirimtare. Në vazhdën e faktorizimit të UÇK-s, përveç tjerash, me 15. qershor 1998, u paraqit me një deklaratë të guximshme në lajmet për Kosovën në Televizionin shqiptar, zëdhënësi i UÇK-s, brenda vendit, Jakup Krasniqi. Me 24 qershor 1998, në Junik të Kosovës ndodhi një takim (që pati efekt të madh në mediat ndërkombëtare), në mes disa ushtarëve të UÇK-s, në krye me Hajdin Abazin dhe të Dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin, Richard Holbrooke, i cili në ndërkohë ishte emëruar në postin që kishte më parë, Robert Gelbart. Me 29. qershor 1998, u realizua një takim i rëndësishëm në mes zëdhënësit të UÇK-s, jashtë vendit, Bardhyl Mahmutit dhe Richard Holbrooke, në Forumin Ndërkombëtar të Crans-Montanas, në Zvicër.  Ndërsa me 2 korrik 1998, gazeta e mirënjohur zvicerane “Le Temps”, botoi deklaratën e Xhafer Shatrit në mbështetje të UÇK-s, (në cilësinë e Ministrit të Informatave të Qeverisë së Kosovës në Egzil, me seli në Gjenevë), i cili kishte kontakte të drejtpërdrejta në OKB.

Shtabi i përgjithshëm i UÇK-s, për shkak të shumë faktorëve dhe shpejtësisë së zhvillimit të ngjarjeve nuk arriti të organizoj në nivel të duhur strukturën ushtarake të UÇK-s. Përveç tjerash nuk u arrit që komandantët të transferohen (nga vendlindjet/vendbanimet e tyre) në vende tjera në Kosovë. Gjithashtu fillimisht, udhëheqja kryesore e UÇK-s, karakterizohej nga një lloj provincializmi, sepse përveç drejtorit politik të UÇK-s, edhe komandanti i përgjithshëm i UÇK-s etj., ishin nga zona e Drenicës. Në këtë vazhdë pati nguti me lëshimin në qarkullim të komunikatave të caktuara që ende krijojnë huti. Kjo para se gjithash është pasojë e mos koordinimit politik, sidomos pas konferencës së Dejtonit, për një plan B, (për një organizim të përbashkët të kryengritjes së armatosur në Kosovë), në mes LDK-s (duke e përfshirë Qeverinë e Kosovës në Egzil), dhe LPK-s., por siç thotë populli “faji mbetet jetim”. Megjithëkëtë, kjo nuk i zbehë sakrificat dhe luftën heroike dhe të suksesshme të UÇK-s kundër regjimit neofashist të Milosheviqit (si “Davidi kundër Goliatit”), dhe rrolin e UÇK-s, si një ndër guerilat më të suksesshme në botë. 

Ndodhia e dytë, është gjithashtu e ngjashme me ndodhin para shumë dekadash në kuadër të Lëvizjes Çlirimtare. Sikurse idealisti dhe intelektuali, Hasan Prishtina, që e pati ndikimin e rëndësishëm për orientimin politik të Lëvizjes Kaçake, duke i dhënë dimension të gjerë kombëtar (antiprovinsialist). Rroli i simbolit të rezistencës kombëtare, dhe i drejtave të njeriut, fituesit të çmimit Sakharov, Adem Demaçit, i cili me 13 gusht 1998, e mori përgjegjësinë e përfaqësimit të përgjithshëm politik të UÇK-s, me seli në Prishtinë, i mbështetur nga sekretari, Albin Kurti etj., ndikoi fuqishëm për mobilizimin edhe më të madh të UÇK-s, në nivel kombëtar. Ndërsa, diaspora shqiptare në përgjithësi, dhe përfaqësuesit politik të UÇK-s në diasporë në veçanti, (kryesisht veprimtar të LPK-s, të mirë-shkolluar në universitetet prestigjioze perëndimore dhe të emëruar nga drejtoria politike e UÇK-s, kryesia e LPK-s, dhe nga Përfaqësuesi i Përgjithshëm Politik i UÇK-s, Adem Demaçi), nëpërmes takimeve me shtetar perëndimor, debateve televizive etj., e kanë dhënë një kontribut të madh për sensibilizimin ndërkombëtar të luftës legjitime të UÇK-s. Përveç tjerash, me 10 nëntor 1998, u realizua takimi zyrtar në mes delegacionit të përfaqësuesve të UÇK-s në diasporë, Sabri Kiçmari etj., me Ministrin e Jashtëm të Austrisë, Wolfgang Schüssel në Bruksel (gjatë kësaj periudhe Austria ishte udhëheqëse e radhës së BE-s). Në këtë kuadër, takime të ngjashme pati edhe në mes përfaqësuesit të UÇK-s në Norvegji, me Ministrin e Jashtëm të Norvegjisë, Knut Vollebæk, (njëkohësisht kryetar i organizatës për siguri dhe bashkëpunim evropian-OSBE-s), i cili e ka pasur një rol të rëndësishëm negociues për dërgimin e misionit të vëzhguesve të OSBE-s, në Kosovë gjatë luftës, duke e përfshirë kontributin e përfaqësuesve politik të UÇK-s në Francë, Angli, SHBA etj. Në këtë vazhdë, një numër i caktuar i intelektualëve, akademikëve, dhe aktivistëve të shoqërisë civile në Kosovë, në krye me Rexhep Qosen, Veton Surroin etj., dhe në diasporë në krye Ismail Kadarenë, Shenasi Ramën, Daut Dautin, Muhamedin Kullashin etj., e kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për mbështetjen politiko-diplomatike të UÇK-s, e veçanërisht qeveria dhe diplomacia formale e “Shqipërisë Londineze” etj.

Në janar 1999, u themeluan institucionet informative të UÇK-s, radio “Kosova e Lirë dhe agjencia e lajmeve “Kosovapress”, në krye me Ahmet Qeriqin, Berat Luzhën, Nusret Pllanën, Isë Krasniqin, Martin Çunin etj. Me përshkallëzimin e krizës humanitare në Kosovë, UÇK u forcua edhe më shumë, duke u përkrahur nga atdhetarët me ndikim, pa marrë parasysh subjekteve politike shqiptare që u takonin, edhe nga diaspora (Sali Çekaj, Ahmet Krasniqi, Tahir Zemaj etj.). Madje mobilizimi në kuadër të UÇK-s, përfshiu edhe mobilizimin ushtarak nga vendet e largëta (SHBA-të etj.), siç është shembulli i Batalionit Atlantiku etj., dhe veçanërisht shembulli i sakrificës nga ky Batalion, i tre vëllezërve Bytyqi, të cilët gjatë një misioni humanitar për të shpëtuar fqinjët e tyre romë, u burgosën nga forcat serbe dhe më pastaj u ekzekutuan. Kjo njëkohësisht vërteton se UÇK, nuk ishte kundër pakicave (minoriteteve). Në kuadër të luftës së lavdishme të UÇK-s, ka mjaft raste ku nga disa anëtar të një familje ranë dëshmorë, siç është rasti i vëllezërve Ismet, Muharrem dhe Nazim Asllani etj.

Për bashkësinë ndërkombëtare (paralelisht me faktorizimin e UÇK-s), ishte më rëndësi që UÇK-ja (veçanërisht udhëheqja e UÇK-s), të vihej nën kontroll, dhe në ketë kuadër të kihet kontroll edhe mbi negociatat që po përgatiteshin. E tëra rezultoi me inicimin e organizimit të konferencës së Rambujesë në Francë, në fillim-vitin 1999. Udhëheqja politike e UÇK-s, u sfidua shumë nga dokumenti i propozuar për negociata në Konferencën e Rambujesë, ngase nuk mund të pranonte zgjidhje për Kosovën në kuadër të Serbisë. Në pikënisje, ky dokument garantonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës Federative Jugosllave (RFJ-së) de facto të Serbisë, mbi Kosovën, dhe parashihte një autonomi për Kosovën, që nuk ishte në nivel as me autonominë që kishte Kosova në bazë të kushtetutës së vitit 1974.

Presioni i bashkësisë ndërkombëtare me platformën e paraqitur për negocimin e statusit të përkohshëm të Kosovës, përçau udhëheqjen politike të UÇK-s. Një pjesë e përfaqësuesve të UÇK-s, në krye Hashim Thaçin, pas shumë presioneve dhe hamendësimeve, pranuan platformën negociuese, ndërsa LDK etj., e kishin pranuar paraprakisht platformën negociuese. Qëndrimi refuzues i përfaqësuesit të përgjithshëm politik të UÇK-s, Adem Demaçit, sekretarit, Albin Kurtit, duke e përfshirë komandantin e përgjithshëm të UÇK-s (të emëruar nga Adem Demaçi), Sylejman Selimin etj., ndikoi në njëfarë mënyre të tërthortë të forcoj pozicionin e përfaqësuesve të tjerë të UÇK-s, në negociatat gjatë Konferencës së Rambujesë, në kuptimin që të mos pranojnë zgjidhje pa perspektivë politike për Kosovën. Delegacioni i shqiptarëve që u kryesua nga Hashim Thaçi, pas shumë hezitimeve (më shumë dhe më pak), e pranoi marrëveshjen e Rambujesë gjatë procesit negociator, dhe e nënshkroi me 18 mars 1999 në Paris të Francës. Një gjë shpresëdhënëse për perspektivën politike të Kosovës, ishte se kapitulli 8, pika 3 e marrëveshjes, e përcaktonte se zgjidhja finale për Kosovën, përveç tjerash, do të bazohet në “vullnetin e popullit”, edhe pse shprehja “vullneti i popullit”, nuk ishte e konkretizuar.

Millosheviqi e refuzoi ketë marrëveshje, sepse nuk pranoi (siç parashihte kjo marrëveshje) stacionimin e trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO, dhe se kjo marrëveshje pas 3 vitesh, parashihte një lloj referendumi për Kosovën. Si pasojë e refuzimit dhe vazhdimit të krimeve ndaj popullatës shqiptare në Kosovë, regjimi neofashist i Millosheviqit u ndëshku me sulmet ajrore ushtarake të NATO-s, që nisën me 24 mars 1999.

NATO, vetëm me intervenimet ushtarake ajrore që zgjatën 3 muaj, pa futjen e trupave tokësore, nuk mundi të mbrojë popullatën civile në Kosovë. Gjatë kësaj periudhe, forcat serbe vranë rreth 12 mijë shqiptarë të Kosovës, dhunuan mijëra femra, shkatërruan dhjetëra mijëra shtëpi dhe deportuan rreth një milion shqiptarë nga Kosova. Me fjalë të tjera intervenimi i NATO-s, në Kosovë nuk ndodhi sikurse intervenimi për çlirimin e Kuwait-it, në vitin 1990-91, nga aleatët perëndimorë, të cilët përdorën trupat tokësore. Rrjedhimisht, çlirimi i Kosovës, është në radhë të parë rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës me vise (prej vitit 1912), që kulmoi me UÇK-n, e veçanërisht meritë e dëshmorëve dhe viktimave të luftës, dhe e gjithë popullit shqiptar. Duke e përfshirë mbështetjen e shtetit amë (Shqipërinë Londineze) dhe intervenimin ushtarak ajrorë të NATO-s, në krye me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe, të cilëve shqiptarët u janë përjetësisht mirënjohës.

          Tri pasojat kryesore të mungesës së ndërhyrjes tokësore, janë viktimat shqiptare, kompromisi për rezolutën 1244 dhe nisma e ndarjes së Mitrovicës. Në fakt përgjegjësinë kryesore për mungesën, së paku të një strategjie të armatosjes për vetëmbrojtje të popullatës civile shqiptare në Kosovë nga regjimi i Milosheviqit (gjatë intervenimit të NATO-s), e kishte elita politike shqiptare. Sepse, fatkeqësisht mungoi një bashkëpunim paraprak në mes LDK-s, duke përfshirë Qeverinë e Kosovës në Egzil dhe LPK-s, (sidomos pas konferencës së Dejtonit), që më pastaj i pati pasojat e veta, përveç tjerash: për nismën e ndarjes së Mitrovicës, vonesën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Trazirat e Marsit 2004, mungesën e forcimit të institucioneve të drejtësisë (shtetit ligjor), Gjykatën Speciale etj.

Pas gjithë kësaj tragjedie që ndodhi në Kosovë gjatë vitit 1998-1999. Fatkeqësisht, liderët e Kosovës, vazhduan me divergjenca gjatë dhe pas Konferencës së Rambujesë, duke mos i shfrytëzuar si duhet momentet historike. Në ndërkohë Millosheviqi, (i cili paraprakisht kishte kalkuluar se sa më shumë që zgjasin sulmet ajrore, aq më shumë rriteshin gjasat të përçahen shtetet anëtare të NATO-s), gjatë dorëzimit të tij, e shfrytëzoj situatën duke e vështirësuar perspektiven politike të Kosovës nëpërmes Marrëveshjes Ahtisaari-Çernomyrdin. Kjo marrëveshje u pranua nga Beogradi në fillim të qershorit 1999, dhe dallonte nga marrëveshja e Rambujesë, edhe pse shumë nga pikat kryesore ishin të njëjta. Për Milosheviqin, i cili duhej t’ia shiste marrëveshjen popullit të tij si një fitore, ishte më e rëndësishmja që tani OKB-ja, rezultoi si një autoritet suprem, dhe se trupat paqeruajtëse nuk ishin në emërtim trupa të NATO-s. E rëndësishme ishte gjithashtu se marrëveshja e re nuk përmendte asgjë lidhur me statusin e ardhshëm të Kosovës, tranzicionin kalimtar tre-vjeçar ose referendumin.

                                                           Përfundim

Vazhdimësia e përpjekjeve të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës me Vise dhe Bashkim Kombëtar, (pas vitit 1912), kulmoi me luftën e UÇK-s. Datë e themelimit formal të UÇK, konsiderohet komunikata e parë e lëshuar me 17.11.1994, ku u mor vendimi që organizimi i ri ushtarak të quhet Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), që në fakt bazohej në vendimin (për fillimin e kryengritjes së armatosur) të mbledhjes së IV të përgjithshme të LPK-s. Jo në kuptimin se grupe dhe struktura të armatosura që bënin përpjekje çlirimtare nuk kishte edhe më herët, përkundrazi ato ishin të shumta dhe vepronin me vite. Madje mund të thuhet se të gjithë çlirimtaret e Kosovës me vise, ndër vite (nga viti 1912, të frymëzuar nga kryeideologu, Hasan Prishtina) janë UÇK, por konkretisht data e formimit formal të UÇK-s, konsiderohet data e komunikatës së parë të UÇK-s, pas mbledhjes së kryesisë së LPK-s. Në kuptimin e unifikimit të grupeve të armatosura nën siglën e UÇK-s, të koordinuara, të mbështetura politikisht dhe me logjistik etj., nga LPK.  Me fjalë të tjera, sikurse që u unifikuan grupet klandestine më herët, nën siglën e LPK-s, ashtu u unifikuan edhe grupet e armatosura më vonë, nën siglën e UÇK-s. Rrjedhimisht pikënisja për kategorizimin formal të veteranëve të UÇK-s, do duhej të fillonte nga mbledhja e IV e përgjithshme e LPK-s, deri në rezistencën heroike dhe sakrificën sublime të familjes Jashari, me 7 mars 1998 (si kategori e parë). Ndërsa pas 7 marsit 1998, deri në fillimin e intervenimit të NATO-s, me 24 mars 1999 (si kategori e dytë), dhe pas 24 marsit 1999 deri në çlirimin e Kosovës me 12 qershor 1999 (si kategori e tretë). Njëkohësisht duhet nënvizuar se çdo ndarje e UÇK-s nga trashëgimia e saj konkrete prej vitit 1912, është më shumë ndarje analitike se sa ndarje historike dhe meritokratike. Sepse UÇK, nuk është rezultat i një vakumi socio-politik, por rezultat i një procesi konkret historik, që nuk ndahet as nga LPK, dhe as nga grupet klandestine të pas Luftës së Dytë Botërore etj. E veçanërisht nuk mund të ndahet nga fillesa e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës me vise dhe Bashkim Kombëtar, pas vitit 1912 (e inkurajuar nga Hasan Prishtina, Isa Boletini, Idriz Seferi, Bajram Curri etj.), tashmë e inkarnuar në Lëvizjen Vetëvendosje etj.

UÇK e ndihmuar nga vendi amë “Shqipëria Londineze”, dhe NATO, e çliroi Kosovën nga regjimi neofashist i Millosheviqit. Në këtë vazhdë, OKB, e morri përgjegjësinë për të organizuar bashkësinë politike në Kosovë, në mes shqiptarëve, serbëve dhe të tjerëve. Në bazë të rezolutës 1244, të datës 10 qershor 1999, të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB-ës), u themelua Misioni i Përkohshëm Administrativ i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-ës, në cilësinë e shefit të UNMK-ut, kishte autoritetin më të lartë në Kosovë, në bazë të kompetencave që përfshinin pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe administrimin e drejtësisë.  UNMIK-u, nuk kishte kompetenca që të mund të ushtronte presion të drejtpërdrejtë ndaj Serbisë, në kuptimin e ndikimit të drejtpërdrejtë në relacionin në mes shtetit serb dhe minoritetit serb në Kosovë (që shteti serb e përdor në vazhdimësi si instrument për të minuar organizimin e bashkësisë politike në Kosovë). Por kishte kompetenca të mjaftueshme që të ushtrojë ndikimin e drejtpërdrejtë (duke përfshirë mundësitë për përdorimin e sanksioneve si mjete presioni) ndaj udhëheqjes politike shqiptare të Kosovës, që vazhdonte të mbetët e përçarë dhe në “luftë për pushtet”. E vetmja gjë që i bashkonte liderët politik shqiptar, ishte kërkesa për njohjen e pavarësisë së Kosovës, që bëhej (më shumë e më pak) për konsum të brendshëm politik, sepse tashmë (pas gjithë asaj që kishte ndodhur në Kosovë), kërkesa për pavarësinë e Kosovës, nuk ishte vetëm kërkesë politike, por njëkohësisht kërkesë jetike. Me fjalë të tjera, pas gjithë përvojave të hidhura me regjimet e Serbisë, prej vitit 1912 deri në vitin 1999, ishte e pamundur të bindeshin dhe të detyroheshin shqiptarët e Kosovës, që të mbesin sërish pjesë e Serbisë, dhe liderët politik shqiptar të Kosovës, ishin të vetëdijshëm se legjitimiteti i tyre varej nga kërkesa e pakthyeshme e popullit shqiptar të Kosovës, për pavarësim nga Serbia. Rrjedhimisht, procesi i ndikimit të UNMIK-t, prej vitit 1999 e veçanërisht prej vitit 2001 deri në vitin 2008, për organizimin e bashkësisë politike në Kosovë, është i karakterizuar nga tri fazat e ndërlidhura me njëra-tjetrën, që rezultoi me organizimin e një “bashkësie politike multikulturaliste”, edhe pse mbi 90% të popullatës janë shqiptarë. Pikënisje konkrete për hyrjen në fazën e parë, në vitin 2001, ishte imponimi i rregullave konstitucionale nga ana e UNMIK-ut, përkatësisht detyrimi i liderëve politikë shqiptarë që të pranojnë kornizën kushtetuese etj. Faza e dytë filloi në vitin 2003, me kërkesën për përmbushjen e “Standardeve para statusit për Kosovën” dhe u ndikua nga trazirat e Marsit 2004 (që kanë pasur një efekt të dëmshëm dhe pothuajse të pariparueshëm për procesin e organizimit funksional të bashkësisë politike në Kosovë). Faza e tretë filloi në vitin 2005, me hapjen e negociatave për zgjidhjen e statusit final për Kosovën, dhe rezultoi me pakon e Ahtisarit dhe me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Në këtë vazhdë, Pavarësia e Kosovës u njoh nga shumica e shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB-s), dhe me 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND), me qendër në Hagë, konstatoi se pavarësimi i Kosovës ishte i ligjshëm.

Shqiptarët përkundër sfidave, me sakrifica të mëdha dhe me përkrahjen e veçantë të Austrisë (Austro-Hungarisë), SHBA-së etj., arritën të pavarsojnë Republikën e Shqipërisë (1913) dhe Republikën e Kosovës (2008), si përpjekje drejt barazisë kombëtare me kombet fqinje. Megjithëkëtë, shteti serb me përcaktimin e tij të pandryshueshëm ekspansionist, vazhdon të minojë shtetësinë legjitime të Kosovës, duke u përpjekur ose të imponojë themelimin  e një “Republika Srpska” në Kosovë (të ngjashme sikurse në Bosnje), ose të aneksojë një pjesë të territorit strategjik të Kosovës, ose mundësisht që të dyjat, me qëllimin kryesor për të destabilizuar Kosovën dhe më gjerë, në të ardhmen. Ndërsa Hashim Thaçi, edhe pas vendimit të GjND-s, vazhdoi me negociata pa kushte, pa unitet të spektrit të gjerë politik shqiptar të Kosovës, dhe në këtë vazhdë Kosova është futur në një situatë të dis-favorshme negociuese.

Sikurse qasja politike e Fadil Hoxhës etj., që u konsumua, duke konsideruar se të drejtat politike të bazuara në kushtetutën jugosllave të vitit 1974, e kishin zgjidhur çështjen politike të Kosovës në Jugosllavi, dhe sikurse qasja politike e Ibrahim Rugovës etj., që u konsumua duke konsideruar (edhe pas konferencës së Dejtonit) se çështja politike e Kosovës, zgjidhet vetëm me metoda paqësore. Ngjashëm edhe qasja politike e Hashim Thaçit, pas vendimit të GjND-s, është konsumuar krejtësisht.

Rrjedhimisht, është obligim historik që partitë politike në Kosovë, të përbashkohen në një koalicion të gjerë (qeveritar dhe legjislativ) në krye me LVV si subjekt politik i pa provuar ende në pushtet, për të forcuar shtetësinë e Kosovës. Veçanërisht për të forcuar sistemin e drejtësisë, riorganizimin e mirëfilltë të burokracisë, zhvillimin ekonomik, dhe kthimin e besimit tek diaspora shqiptare për të kontribuar në mënyrë të organizuar (nëpërmes fondeve të caktuara etj.) për mirëqenie dhe zhvillim ekonomik në Kosovë. Nuk duhet harruar kurrë, se ideal dhe postulat i UÇK-s (i heronjve, i dëshmorëve dhe i viktimave të luftës), nuk ka qenë vetëm çlirimi i Republikës së Kosovës, por njëkohësisht ndërtimi i dinjitetshëm politik dhe juridik i Republikës Kosovës, drejtë bashkimit (unionit) kombëtar shqiptar. Gjithashtu, udhëheqësit politik shqiptar në “Shqipërinë Londineze”, e kanë obligim kombëtar të ndikojnë për unifikimin e faktorit politik shqiptar të Kosovës, në lidhje me negociatat me Serbinë. Ky obligim i përfshinë edhe intelektualët dhe akademikët shqiptarë në tërë hapësirën shqiptare (dhe kudo që jetojnë). Është e domosdoshme që elitat politike shqiptare të mësojnë njëherë e përgjithmonë nga gabimet e së kaluarës, në mënyrë që në të ardhmen, veprimtaria e tyre të jetë edhe më komplementare (një kombinim më i mirë i idealizmit dhe realizmit politik) drejt qëllimit të përbashkët. Veçanërisht duke i marrë parasysh mundësitë më të favorshme në kuadër të kontekstit të tashëm politik, kulturor dhe ekonomik të shqiptarëve, në Ballkan. Përgjegjësia morale dhe politike e elitave në Ballkan është angazhimi për paqe të qëndrueshme dhe fqinjësi të mirë. Barazia kombëtare dhe respektimi i ndërsjellë-proporcional i të drejtave të minoriteteve kombëtare, përveçse është i drejtë, është edhe i domosdoshëm për paqe dhe stabilitet. Sepse ende jetojmë në epokën e nacionalizmit, dhe (pavarësisht se a e konsiderojmë nacionalizmin si “aksident historik” apo si proces historik drejt organizimit më të avancuar të shoqërisë njerëzore), kemi obligim moral dhe politik të interpretojmë nacionalizmin në mënyrën më konstruktive të mundshme: si përpjekje për barazi me të tjerët dhe jo si urrejtje ndaj të tjerëve.

Te fundit


Kthehu lart