Kush do ta mbajë bajrakun? Kurti, Konjufca e Haxhiu nuk do të jenë më në Parlament - Gazeta Express
string(80) "kush-do-ta-mbaje-bajrakun-kurti-konjufca-e-haxhiu-nuk-do-te-jene-me-ne-parlament"

Kush do ta mbajë bajrakun? Kurti, Konjufca e Haxhiu nuk do të jenë më në Parlament

Gazeta Express

29/05/2020 13:36

Pas krijimit të Qeverisë së re, Vetëvendosja do ta ketë numrin më të madh të deputetëve në Parlamentin e Kosovës, por do t’i mungojnë lojtarët kyçë, që gjithmonë i kishte aty. Albin Kurti, Glauk Konjufca e Albulena Haxhiu nuk do të jenë më pjesë e legjislativit pasi kanë hequr dorë kur janë bërë ministra. Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në shumicë përbëhet nga deputetë të rinj. Nga garda e vjetër aty do të jenë Liburn Aliu e Rexhep Selimi, që pritet t’i prijnë betejës me Qeverinë Hoti në Kuvend.  

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Fjalimet e replikat e deputetit të tri mandateve dhe ish-shefit të Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca, me kundërshtarët politikë në Kuvend, nuk do të mund të dëgjohen më nga podiumi i përfaqësuesve të popullit. Konjufca kishte marrë postin e kryediplomatit në Qeverinë Kurti dhe konsiderohet si një nga zërat më të fuqishëm të VV-së pas Albin Kurtit. Sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, secili deputet që merr post ekzekutiv është i detyruar të dorëzojë mandatin. Konjufca ka qenë dhe nënkryetar i Kuvendit dhe largimi i tij do të jetë një hendikep për VV-në. Madje, këtij subjekti do t’i hiqet edhe pjesa argëtuese në “tempullin e demokracisë”, ku Konjufca  kujdesej që t’i shkrijë së qeshuri bashkëpartiakët me fjalime dhe replika.

Albulena Haxhiu që aktualisht është ministre e Drejtësisë në detyrë, po ashtu është dashur të largohet nga Kuvendi pas marrjes së postit në Qeveri.  Zëri i saj është dëgjuar shumë shpesh në Kuvend, madje edhe kur nuk i është lëshuar mikrofoni e nuk i është dhënë fjala. 

Haxhiu ka qenë prej deputeteve më të vërejtura edhe kur VV-ja bënte opozitë duke përdorur edhe gazin lotsjellës si mjet.

Lëvizja Vetëvendosje me një humbje të tillë ishte përballur edhe pas zgjedhjeve të vitit 2017, kur ishte ndarë në dysh, kur i ishin larguar edhe ata që konsideroheshin “si bisha politike të saj”, që tashmë janë pjesë e PSD-së, siç është rasti me Dardan Molliqajn që drejton këtë subjekt. 

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili i dha të drejtë Avdullah Hotit të LDK-së, për formimin e Qeverisë, Lëvizja Vetëvendosje kthehet në opozitë edhe pa Albin Kurtin në Kuvend, që për tre muaj udhëhoqi ekzekutivin.

Bashkë me Kurtin që është edhe truri dhe motori i VV-së mungesa e të cilit do të jetë mangësi e madhe për opozitarizmin e VV-së, pozita ministrore kishin marrë edhe Arben Vitia dhe zëvendëskryeministri Haki Abazi.

LVV-ja ka në Kuvend 30 deputetë, e shumica prej tyre kanë fituar për herë të parë mandat. Në mesin e tyre, VV-ja ka edhe deputeten më të re të Kuvendit në përgjithësi, 22-vjeçaren Fjolla Ujkani.

Deputetë për herë të parë janë ekonomisti Hekuran Murati, i cili garoi për herë të parë dhe doli i pesti më i votuari në parti, gazetari Mefail Bajqinovci, ish-zëvendësministri i turizmit në Shqipëri, Hajrullah Çeku, dhe i aderuari nga LDK-ja, Shpejtim Bulliqi. /Express/