Kurti tregon pse po shtrëngohen masat anti-Covid, përkundër që Kosova qëndron mirë në statistika - Gazeta Express
string(95) "kurti-tregon-pse-po-shtrengohen-masat-anti-covid-perkunder-qe-kosova-qendron-mire-ne-statistika"

Kurti tregon pse po shtrëngohen masat anti-Covid, përkundër që Kosova qëndron mirë në statistika

Gazeta Express

04/12/2021 20:18

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrimi në facebook, i është përgjigjur disa pyetjeve, për të cilat tha se janë të shpeshta. Një ndër to është pse qeveria po ashpërson masat kundër Covid-19, përkundër që vendi me situatën epidemiologjike qëndron më së miri në rajon.

Kurti tha se nga valët e mëparshme ka mësuar se gjendja e shkëlqyeshme epidemiologjike mund të shndërrohet në gjendje të rëndë.

Lexo Edhe:

Andaj, qeveria ka vendosur të ndërmarrë cdo veprim brenda mundësive të veta për të ruajtur gjendjen aktuale epidemiologjike.

Më poshtë gjeni një nga përgjigjet e Kurtit:

Pse po shtrëngohen masat në një kohë kur gjendja epidemiologjike në Kosovë është më e mira jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimore por edhe në Evropë?

Kemi vërejtur në valët e mëparshme të kësaj pandemie se sa shpejt mund të kalojë një gjendje e shkëlqyeshme epidemiologjike në një gjendje të rëndë. Dalja jashtë kontrollit e situatës do të vinte me një çmim jashtëzakonisht të lartë, qoftë për jetën e shëndetin e qytetarëve, qoftë edhe për veprimtaritë ekonomike, kulturore dhe shoqërore të vendit, në rast të një mbylljeje eventuale. Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur që të ndërmarrë çdo veprim brenda mundësive të veta për të ruajtur gjendjen e shkëlqyeshme epidemiologjike në vend, të cilën e kemi arritur bashkë si shoqëri. Për më tepër, ka edhe dy arsye të tjera për shtrëngimin e masave pikërisht në kufi. Së pari, gjatë javëve të fundit, rastet e COVID-19 janë rritur jashtëzakonisht shumë në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor. Kjo do të thotë se, për momentin, rreziku më i madh për një përhapje eventuale të COVID-19 në Kosovë vjen nga udhëtarët prej jashtë vendit. Së dyti, shfaqja e variantit Omicron, si dhe përhapja e tij në shumë vende evropiane brenda një periudhe të shkurtër, e ka detyruar Qeverinë që të veprojë me shpejtësi dhe vendosmëri në shtrëngimin e masave në kufi. Edhe më shqetësues është fakti se, sipas të dhënave paraprake, ky variant paraqet rrezik shumë më të lartë për grupmoshat e reja, sidomos për fëmijët nën moshën pesëvjeçare, në krahasim me variantet e mëparshme të virusit Corona.a