Kurti takohet me ambasadoren e Finlandës: Për dialogun e rëndësishme përmbajtja


Gazeta Express
10 Tetor 2019 15:49

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka pritur në takim Ambasadoren e Finlandës në Kosovë Pia Stjernvall dhe këshilltaren në Ambasadën e Finlandës, Trinka Jusufi.

Sipas njoftimit nga Vetëvendosje, Stjernvall uroi kryetarin Kurti për rezultatin e arritur në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe vlerësoi me notë pozitive procesin e rregullt zgjedhor, i cili u monitorua edhe nga vëzhguesit e Ambasadës së Finlandës në Kosovë.

“Më tutje u diskutua nevoja që Qeveria e ardhshme të realizojë reforma në sektorë të ndryshëm të vendit, me theks të veçantë në sistemin arsimor. Në takim pati pajtueshmëri që përvojat dhe ekspertiza nga sistemi arsimor i Finlandës do ta ndihmonin reformën dhe përmirësimin cilësor të sistemit arsimor të Republikës së Kosovës. Në lidhje me dialogun me Serbinë, Kryetari Kurti përsëriti qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje që për dialogun më e rëndësishme është përmbajtja, sesa afatet kohore, dhe tri parimet për të shëruar pasojat e qasjes së gabuar paraprake: jo marrëveshje pa dialog; jo dialog me harta; dhe, jo presidentët e shteteve mbi harta.”, thuhet në komunikatën e VV-së.

Po ashtu bëhet e ditur se Ambasadorja Stjernvall i dhuroi Kryetarit Kurti dy libra mbi inovacionet shoqërore të Finlandës, si dhuratë për rezultatin zgjedhor dhe si ndihmë për zgjidhjen inovative të problemeve më të cilat përballet vendi.

Gjithashtu, Kurti dje ka pritur në takim Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor,  Arne Sannes Bjørnstad nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë – Departamenti i Evropës Juglindore dhe Jens Erik Grøndahl, Ambasadorin Norvegjez në Kosovë. Gjatë këtij takimi,  Albin Kurti është shprehur se i përket dialogut me Serbinë, “Duhet të nxjerrim mësime nga e kaluara”.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart