Kurti ka udhëtuar në Sllovaki, dalin fotografitë nga Forumi i Bratisllavës - Gazeta Express
string(73) "kurti-ka-udhetuar-ne-sllovaki-dalin-fotografite-nga-forumi-i-bratisllaves"

Kurti ka udhëtuar në Sllovaki, dalin fotografitë nga Forumi i Bratisllavës

Lajme

Gazeta Express

31/05/2023 10:22

Kryeministri Albini Kurti ka shkuar sot në Bratisllavë për të marrë pjesë në Forumin “GLOBSEC2023”, ndonëse dje nga Qeveria kishin thënë se ky udhëtim ishte anuluar për shkak të situatës së fundit të krijuar në veri të vendit, raporton Gazeta Express.

Megjithatë, mbërritja e kryeministrit të Kosovës në kryeqytetin e Sllovakisë u konfirmua në faqen e Forumit vjetor GLOBSEC në Bratislavë për politikën e jashtme në Facebook, ku u publikuan edhe tri fotografi të Kurtit.

Lexo Edhe:

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albini Kurti, ka mbërritur në Forumin GLOBSEC2023 në Bratislavë. Dëgjojeni atë më vonë këtë mëngjes në një bisedë me titull: Në qendër të vëmendjes: Ardhmëria e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell, ka thënë të martën se po punon që ta organizojë një takim urgjent mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq pas ngjarjeve në veri.

“Presim nga palët që të veprojnë me përgjegjshmëri dhe të angazhohen menjëherë në dialogun e lehtësuar për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme të situatës dhe të garantojnë siguri për të gjithë qytetarët. Për këtë jam duke punuar në organizimin e një takimi urgjent të nivelit të lartë”, tha ai në një konferencë për media.

Për vizitë  zyrtare jashtë vendit sot ka udhëtuar edhe presidentja Vjosa Osmani. Siç njoftoi Presidenca, ajo ka udhëtuar për në Kishinau të Moldavisë ku do ta përfaqësojë Kosovën në samitin e dytë të Komunitetit Politik Europian (EPC).