Kurti fajëson Prokurorinë dhe Gjyqësorin për vrasjen e grave, i quan "sistem padrejtësie" - Gazeta Express
string(86) "kurti-fajeson-prokurorine-dhe-gjyqesorin-per-vrasjen-e-grave-i-quan-sistem-padrejtesie"

Kurti fajëson Prokurorinë dhe Gjyqësorin për vrasjen e grave, i quan “sistem padrejtësie”

Gazeta Express

02/12/2022 22:03

Kryeministri Albin Kurti ka fajësuar drejtpërdrejtë Prokurorinë dhe Gjyqësorin për rastet e dhunës dhe vrasjes së grave. Ai ka deklaruar se përgjigja institucionale ndaj krimeve mizore e trajtimeve çnjerëzore ndaj gruas duhet të jetë e pandalshme.

Kurti në Këshillin për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, tha se kjo luftë e gruas për mbijetesë brenda mureve të shtëpisë është luftë e shoqërisë, luftë e shtetit në përkrahje të grave dhe të vajzave.

Lexo Edhe:

 “Prokuroria pasive dhe gjyqësori joefikas janë ndër shkaqet kryesore të këtij realiteti ku vrasja e grave është veçse lajm që përsëritet dhe nuk mbetet aktual mbi dy ditë. Sistemi i padrejtësisë që reagon me shpejtësi e efikasitet kur bëhet fjalë për përfitimin e tyre individual, nuk i shërben këtij shteti dhe kësaj shoqërie. Mungesa e profesionalizmit që shpërfaqet në vendime të anuara e të motivuara, vonesa të paarsyetuara për shkak të mungesës së mekanizmave të llogaridhënies, politizim i sistemit gjyqësor që u bë haptazi nga qeveritë e kaluara, prodhojnë viktima; prodhojnë dhunues; prodhojnë abuzues; dhe përçojnë mesazhin se gjithçka tjetër, përfshirë vënien e drejtësisë, vjen në trajtim pas ngopjes dhe përmbushjes së interesave personale”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka deklaruar se pengesat në sistemin e drejtësisë, nuk do t’i ndalin përpjekjet për evitimin rasteve të dhunës ndaj gruas.

“Asnjë nga këto pengesa nuk do të na e ndalë hovin tonë për t’u siguruar që nuk do të ketë as edhe një më shumë. Asnjë mos veprim nuk do të kalojë i pandëshkuar. Dua që këtë fjali ta dëgjojnë dhe ta kuptojnë mirë gjithë, ata që kërcënojnë e abuzojnë me gratë e tyre, ata që këto veprime i justifikojnë, dhe ata që nuk i trajtojnë siç duhet apo i harrojnë mbi arsyetimin e punëve të grumbulluara. As edhe një më shumë”, tha Kurti në takimin e Këshilli për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, i cili është mbajtur sot pasdite me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.