Kurti e godet edhe një herë Ramën për minishengenin: Gaboi që u nxitua drejt Beogradit


load
Gazeta Express
14 Nëntor 2019 10:55

Ideja për krijimin e një minishengeni ballkanik është shndërruar në një temë përplasjesh mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe krerëve të shtetit e të partive politike në Kosovë, shkruan Gazeta Express.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili pritet ta drejtojë edhe qeverinë e Kosovës, thotë se Edi Rama ka bërë gabim në hapa kur për partner të parë për një nismë të tillë ka zgjedhur Beogradin.

Sipas Kurtit, Serbia në iniciativa të tilla duhet të lihet e fundit, pasi që nuk mund t’i jepet prioritet, duke qenë se vazhdon të mos pendohet për krimet e bëra dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me Rusinë e Vladimir Putinit.

“Nuk nis me Serbinë kjo punë. Nis Kosovë-Shqipëri, vazhdon me Kroaci e Bullgari, vazhdon me Sarajevën zyrtare, Podgoricën zyrtare, Shkupin zyrtar. E Beogradi në fund, sepse i tillë çfarë është ai, i papenduar për luftërat e krimet e shkaktuara dhe në flirtim të vazhdueshëm me Moskën e Putinit, ai nuk mund të jetë prioritet. Rrjedhimisht, mendoj se edhe mbledhja e Novi Sadit, edhe mbledhja e Ohrit ishin gabim në hapa”, ka thënë Kurti.

Teksa ka folur për deklaratat e Edi Ramës ku kritikonte qeveritë e mëparshme të Kosovës për mospunë, Kurti thotë se kryeministri shqiptar ka mundur ta presë krijimin e qeverisë së re në Kosovë për të bashkëpunuar, duke theksuar se nuk e kupton nxitimin për mbajtjen e këtyre takimeve të shpejta.

“Tash, Shqipëria zyrtare u ankua se nuk ka pasur një qeveri të denjë në Kosovë për bashkëpunim çfarë ajo ka dashur e ka qenë i nevojshëm për të gjithë neve. Meqenëse ka pritur Shqipëria zyrtare për një qeveri të re e të denjë të Kosovës shumë vite, ka mundur të presë edhe pak javë që të formohet kjo qeveri e të bashkëpunojmë siç duam të gjithë ne. Unë nuk e kuptoj pse kjo nguti? Pse ky nxitim në Novi Sad, në Ohër e nesër në Durrës, kur jemi në prag të formimit të qeverisë së Kosovës?! Pra, nëse kanë pritur shumë vite, është dashur të presin edhe pak javë”, shton tutje Kurti.

Ndër të tjera Kurti shton se vite më parë ka promovuar idenë e një aleance ballkanike, megjithatë thotë se Serbia do të përfshihej mbase në fund të një nisme të tillë, vetëm pasi të ketë shkëputur lidhjet me Rusinë.

“Së pari, ju e dini që unë e kam afirmuar idenë e aleancës ballkanike (AB) para disa viteve. Por, kjo ide është në frymën e Rilindësve tanë. Është ide për AB e cila nis me bashkëpunimin, me afrimin, me integrimin drejt bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, ku ne, në njërën anë, e kemi Kroacinë, në anën tjetër e kemi Bullgarinë, po ashtu edhe Sarajevën zyrtare, Podgoricën zyrtare dhe Shkupin zyrtar. E, Serbia eventualisht vjen në fund, atëherë kur ta përfundojë aleancën dhe partneritetin e saj me Federatën Ruse. Prandaj, një lloj vrapi në Novi Sad e në Ohër është gabim në hapa”, është shprehur Kurti.

Kreu i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, të martën në një intervistë për Top Channel ka thënë se ia ka arsyetuar në detaje një ide të tillë Albin Kurtit, dhe sipas tij kreu i VV-së është mjaftueshëm inteligjent për të kuptuar rëndësinë e një nisme të tillë. Përveç kësaj Rama, madje, kishte thënë se Kosova po bën politikë të jashtme me Shqipërinë për politikë të brendshme.

“Ata e dinë mirë se për çfarë bëhet fjalë. E dinë shumë mirë, Albinit ia kam arsyetuar e shpjeguar gjerë e gjatë pse-në e rëndësisë madhore të këtij procesi, e nëse ai nuk e kupton do të çuditesha shumë, sepse është mjaftueshëm inteligjent, nëse bën sikur s’e kupton apo nuk do ta kuptojë kjo është zgjedhja e tij, por duket si politikë e jashtme me Shqipërinë për politika të brendshme. Nuk besoj se kjo është më e mira. Megjithatë do të kemi kohë për t’i diskutuar dhe thelluar diskutimet”, kishte thënë Edi Rama. /GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart