Reagime të shumta kanë nxitur përpjekjet për të krijuar tensione në veriun e populluar me shumicë serbe, në kohën kur vendi po përballet me përhapjen e pandemisë së koronavirusit. Pas situatës së krijuar me karantinat e komunave në veri, të koordinuar në akuza ndaj Qeverisë janë shfaqur presidenti, opozita dhe LDK-ja.
Një ditë pasi presidenti Thaçi deklaroi se Qeveria me mosveprimet e saj po u krijon terren strukturave paralele në veri, ka reaguar kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Nëpërmjet një videoje të publikuar në “Facebook”, Kurti ka porositur qytetarët që deklarimet e presidentit për veriun të merren me rezervë. Duke aluduar në Thaçin, kryeministri në detyrë ka thënë se po tentohet të shpallet gjendje e jashtëzakonshme, shkruan sot KOHA.
“Po, ka politikanë e zyrtarë të lartë në Beograd që duan konflikt në Kosovë, sidomos në veri të Ibrit. Mirëpo ka politikanë e zyrtarë të lartë edhe në Prishtinë që duan konflikt në Kosovë, sidomos në veri të Ibrit. Ata duan të provojnë tensione, sepse duan incidente. Projekti i tyre i shkëmbimit territorial sikur të realizohej do të shkaktonte konflikte e gjakderdhje të reja. Ai projekt dështoi. Tash duan konflikte e gjakderdhje në terren për t’u rikthyer te shkëmbimi territorial, përkatësisht te ndarja e Kosovës. Krejt njëjtë është edhe ajo intenca për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme me çdo kusht e çmim. Pasi që nuk arritën ta shpallin për ta bërë, duan ta bëjnë që ta shpallin”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se “atyre që kontribuuan për ndarjen e Mitrovicës dhe e lanë të pazhvilluar e në mjerim për mbi dy dekada mos ju besoni tash kur kërkojnë sovranitet e integritet nga qeveria që e rrëzuan pa i bërë as dy muaj në detyrë”.
Në fund, Kurti e ka krahasuar presidentin Thaçi me “dhelprën që kur i digjej bishti thoshte se po digjet e gjithë bota”.
“Edhe deklarimet e presidentit që po sillet si njëri nga liderët opozitarë merrni me rezervë e qetësi. E dini thënien e urtë të popullit tonë se kur dhelprës po i digjej bishti ajo thoshte se po digjet e gjithë bota. Dhelpra po e tund bishtin e djegur që të na djegë gjithë vendin tonë. Mirëpo jo nuk do ta lejojmë”, ka theksuar Kurti.
Dashamirës të kuzhinës italiane në Prishtinë, përgatituni për të shijuar pasta, pica dhe sallata të shijshme, pasi Vapiano është...