Kur ligjëron Agim Vinca


Gazeta Express
24 Gusht 2019 12:49

Togfjalëshi “Magjia e ligjërimit” është parashenja që i prin receptimit të cilitdo që i hedh sytë drejt këtij libri, duke e përmbushur kësisoj funksionin e vet thelbësor si një titull.

Shkruan: Vjollcë Berisha

Jo vetëm me përmbledhjen që ia bën duke gjetur një kryefjalë për lëndën, por edhe me nuancën e dukshme të një magjepsjeje që e ka përjetuar vetë hartuesi i pyetjeve, duke i dëgjuar përgjigjet, mënyrën e shtjellimit, vrapin herë të shpejtë e herë të ngadaltë nëpër kohë të ndryshme, nënshtrimin e kujtesës xanxare që shpesh di të bëjë gracka, gjuhën e rrjedhshme, erudicionin, ngarkesën poetike të shprehjes, digresionet e shpeshta, por që dinë ta rizënë fillin sado larg të kishte shkuar, e të gjitha tiparet e tjera që i ka një ligjërim për të qenë, tipare këto që e kanë bërë autorin Miftar Kurti ta ndjejë magjinë e ligjërimit të Profesor Agim Vincës dhe të mos hezitojë që gjithë punën e vet disavjeçare ta varë në çengelin e këtij titulli, i cili nuk është sintezë e kërkuar e ndonjë mendimi që del nga rrëfimet e profesorit apo ndonjëri nga nëntitujt e tjerë të bukur të secilës kaptinë (siç mund të ishte, për shembull, nëntitulli i ciklit Midis çizmes serbe dhe opingës maqedone,apo ajo më poetikja Gjysmë buke dhe një libër). Përkundrazi, përtej përshtypjes subjektive të hartuesit, në të mund të qëmtosh një thirrje ndërtekstuale drejt lexuesit hipotetik me fjalët: Ja si duket magjia e ligjërimit, ose edhe: Shihni ç’magji mund të japë ligjërimi i vërtetë, ai i sakti, kumbuesi, i latuari, i dalë nga goja e një mjeshtri.

Duke qenë i hartuar në formën e një interviste, me pyetje dhe përgjigje që mëtojnë t’i përfshijnë jo vetëm tërë ngjarjet e jetës së Agim Vincës, por edhe mendimet, qëndrimet, pëlqimet e mospëlqimet e tij, Magjia e ligjërimit bën pjesë te ai fond i veçantë e tepër atraktiv, që ka tërhequr shumë vëmendjen e studiuesve, sidomos viteve të fundit, e që e quajmë letërsi dokumentare. Përgjigjet e shtruara, detajet, mënyra e bukur e rrëfimit, e afrojnë këtë libër me një monografi, me një ditar, me një autobiografi, apo me një libër kujtimesh nga ato më të bukurat që i ka njohur historia e letërsisë sonë.

Ndonëse autori, apo bashkautori, siç më pëlqen t’i them në rastin e këtij libri, kur autorësia vete sa nga njëra anë te tjetra, e ka vënë si nëntitull fjalën intervistë, unë do të thosha se ky tekst i ngjet më shumë një bisede të shtruar miqsh, në një tryezë, ku ftohen një për një ndodhitë e së kaluarës, reflektimet e së tashmes dhe shpresat e frikërat për të nesërmen; një bisede inventive, si për nga formati i pyetjeve, ashtu edhe nga çiltërsia dhe bukuria e përgjigjeve, të cilat e tejkalojnë shumë herë përgjigjen e një interviste të rëndomtë.

Miftar Kurti është Virgjili që e udhëheq profesorin nëpër përjetimet jetësore që me vite e kanë ndërtuar botën e tij prej krijuesi, e kanë skalitur ndërgjegjen prej intelektuali dhe jo rrallë kanë qenë shkëndijat e para të frymëzimeve që e deshën e që u shndërruan në poezi të bukura apo në tekste të rralla publicistike.

 Kjo bisedë është e hapur. Është vendosur brenda një matrice besimi se duhet folur edhe një herë, duhet përmbledhur të gjitha gjërat e thëna e të pathëna, por kësaj radhe nga një distancë tjetër kohore, nga ajo që lejon të shihen më qartë gjërat. Profesori është i qetë tek flet. Nuk vihet re asnjë drithmë nervoze në tonin me të cilin i përshkruan edhe gjërat më makabre që i kanë ndenjur në zverk, po edhe ato që kanë të bëjnë me etninë, me gropat e zeza të ndërgjegjes kombëtare. Ai përgjigjet troç, siç i flet miku-mikut, por gjithnjë me një dritare të hapur, nga fishkëllen prania e lexuesit, sidomos atij të së ardhmes, që do të jetë duke e ngritur ngrehinën e kujtesës kolektive. I flet dhe atij të së shkuarës, bashkëkohanikut, që i di gjërat, i ka përjetuar, i ruan, s’i ka harruar, por që i pëlqen t’i dëgjojë të rrëfyera nga goja e një mjeshtri të rrëfimit, siç na pëlqen, bie fjala, t’i qëmtojmë në trajtën e një letërsie të mirë, edhe për të satën herë, gjërat e bukura a të trishta të së kaluarës.

Pata një padurim të çuditshëm për ta pasur në duar këtë libër kur dëgjova se qe në proces. Gjithnjë më kanë pëlqyer tekstet ku profesor Vinca rrëfen për jetën e vet, për ndonjë personazh nga fëmijëria, apo për ndonjë ndodhi reale në të kaluarën. Ato tekste përherë kanë diçka joshëse, siç ndodh rëndom me memoaristikën e krijuesve, të cilët, si duket, pasi krijojnë një botë të tërë e në mos më shumë, rreken të shpalosin edhe botën e tyre të brendshme, por zakonisht me tone më të buta, që dallon shumë nga fiksioni të cilin e kanë kultivuar në vazhdimësi. Duke qenë një lexuese e rregullt e krijimtarisë së Agim Vincës, nuk mendoja se do të kisha për të zbuluar shumë qëndrime të reja që s’i dija më parë, apo edhe shumë ngjarje që s’më kishte rënë rasti t’i lexoja apo të paktën t’i dëgjoja duke i rrëfyer vetë profesori. Qeshë gabuar. Libri, jo vetëm që sillte një mori ngjarjesh që s’i kisha dëgjuar dhe pozicionimin prej intelektuali të profesorit ndaj tyre, por njëkohësisht sillte edhe një sharm tjetër receptimi që mbase e siguronte edhe vetë zhanri i librit si  tillë.

Mesazhe te fuqishme intelektuale në kohë krize morale

Magjia e ligjërimit është më tepër se një jetëshkrim idividi. Ajo është dëshmi e një kohe, e një brezi dhe  jo e një kohe çfarëdo, por e periudhës më të rëndësishme të historisë sonë të re kombëtare, periudhës që i priu çlirimit të Kosovës, formimit të shtetit dhe mëtimit për konsolidim të vlerave shtetërore, kulturore e njerëzore në epokën e re. Parë nga kjo pikë, mund të kuptojmë se kur themi jetëshkrim, po i zvogëlojmë vlerat e një dëshmie  të këtillë të gjallë siç është ky libër i njërës nga penat më të fuqishme bashkëkohore shqiptare dhe po e anashkalojmë fare rolin kryesor të teksteve të këtilla e të këtij teksti në veçanti: që është formimi i mendimit të ri shqiptar, si sintezë e dijes mbi të kaluarën, reflektimin mbi të sotmen dhe vizionin për të nesërmen, bazuar hiç më shumë se në modelin e Agim Vincës, në qëndresën e tij, në reagimet e vazhdueshme kundër padrejtësisë, në dashurinë ndaj Atdheut, në përpjekjen për t’i mbrojtur vlerat tona identitare, në ëndrrën për t’i hequr kufijtë nga kokat tona etj. etj.    

Libri hapet me pyetjet që zgjaten deri te fëmijëria e profesorit. Te Veleshta, ku ngjizi atdheu si koncept naiv fëmijëror, për t’u rritur pastaj e për t’u zgjatur herë tej liqenit, tutje në breg, ku nuk soste asnjë anije, e herë në qytetin e studimeve, ku dhuna qe në proporcion të drejtë me atdhedashurinë. Sa ashpërsohej njëra, po aq rritej tjetra.

Cikli i parë i pyetjeve mban titullin kreativ Mes çizmes serbe dhe opingës maqedone. Është ky emëruesi i përbashkët i gjithë jetës së Agim Vincës, e pse jo edhe i shumë intelektualëve të brezit të tij, deri në vitin 1999. I atyre që përjetuan dhunë të dyfishtë sllave. Që e njohën mirë shtypjen e çizmes (si metaforë e shpeshtë e agresionit), e nga ana tjetër edhe shtypjen e opingës (e cila është një gjetje e llojit të vet, që ka edhe nuancën e përçmimit, apo të shikimit real mbi armikun e padenjë, duke marrë parasysh inferioritetin identitar e kulturor të tij), që duhet të kishte qenë edhe më e vrazhdë e më e padurueshme se çizmja.

 Secili cikël pyetjesh ka titullin e vet kreativ në libër, ka boshtin tematik e kohor, ku brendashkruhen qëndrimet e profesorit lidhur me ngjarje, data, personalitete të historisë, të artit e të kulturës sonë, duke përshkruar situata konkrete, në të cilat feks qëndrimi dinjitoz i Agim Vincës, arti i tij i reagimit në kohëra të vuvta, kur ata që ngrinin zërin kundër dhunës sistematike që erdhi duke shkalluar, mund t’i numëroje me gishtat e njërës dorë, zgjidhja e tij për krijimin e elitave kombëtare, për formimin e mendimit të mirëfilltë shqiptar, të ruajtjes së kujtesës kolektive dhe ndërgjegjes kombëtare, si dhe angazhimi për kultivimin e ndjenjës së përgjegjësisë ndaj Atdheut.

Duke qenë tërë jetën pedagog i përkushtuar i letërsisë, edhe kur rrëfen për veten, për ç’ka parë e ç’i ka ngjarë, është thellësisht motivues. Vetëm me jetëshkrimin e vet, për aq sa lejojnë pyetjet e intervistës, arrin të zgjojë në zemrën e akëcilit lexues një vrull e një dëshirë për të bërë diçka përtej vetes, e në mos për të bërë, të paktën për të kuptuar se i drejti nuk është i humbur, gjë kjo shumë e nevojshme, sidomos sot, në kriza morale, kur më bëhet se po rritet lakmia për të ultën e të shëmtuarën, që sjellin vetëm pasurim të përnjëhershëm material e asgjë tjetër fisnike.

Magjia e fjalës  është libri që i vë disa fusnota të rëndësishme opusit krijues të Agim Vincës si poet, profesor, studiues, përkthyes, polemist e  historian i letërsisë e që hap rrugën për daljen në dritë botimi edhe teksteve tjera të tipit të kujtimeve e ditarëve që janë me interes për lexuesin e për ekzistimin e të cilave profesori flet vetë në këtë libër bisedash sa miqësore aq edhe serioze.

Teksti shpaloset mbi një hartë rrëfimi individual efikas që adreson në disa pista leximi, duke u thelluar përkrah asaj që është dokumentare dhe nënshtresave referenciale te letërsia kombëtare dhe e huaj përmes apostrofimit të veprave, autorëve e periudhave të ndryshme.

Dialogjizimi midis dy zërave që marrin përsipër ta shenjojnë një epokë të tërë, nga më të bujshmet e historisë sonë, duke u bërë refleks i njëri-tjetrit, siç ndodh me këtë libër, paraqet një aset të veçantë në kulturën tonë të letrave.

Sikurse thuhet edhe në parathënien e librit, përpilimi i kësaj interviste ka zgjatur me vite të tëra, gjë që flet për përkushtimin e të dyja palëve për kompletimin e tekstit, biseda e të cilëve tanimë nuk është e një tavoline intime në ndonjë kafene, por një bisedë ku kanë zgjatur veshët mijëra dëgjues kureshtarë të sotëm e të nesërm.

Te fundit


Kthehu lart