Kur kosovarët improvizonin mrekullira, historia e shtëpisë ku erdhën në jetë 13 mijë fëmijë


Gazeta Express
2 Korrik 2019 17:40

Për vetëm tre vjet në një shtëpi, jo fort larg nga qendra e Prishtinës, u lindën 13 mijë fëmijë. Në vitet 90’të, kur kosovarët po e improvizonin edhe shëndetësinë si përgjigje ndaj okupimit serb, gjithçka bëhej nëpër shtëpi private. Në këtë mënyrë u krijua edhe ambulanca në Kodrën e Trimave, që u pagëzua me emrin e humanistes “Nëna Terëzë”, e që u përurua nga Anton Çeta. Ndaj pronarit, Shaban Svirca, aktivisti ikonë e asaj kohe kishte vetëm një kërkesë – të ndërtohej edhe hapësira e maternitetit. Gazeta Express, sjellë rrëfimin nga Vranjevci, nga shtëpia e kthyer në spital, që për dallim nga shëndetësia në Kosovën e pavarur, asnjëherë s’kishte mungesë të ilaçeve.

Gentiana HASANI

Dikur, shumë jetë filluan e u shpëtuan në një vend i cili në pamje të parë nuk i ngjasonte një vendi ku mund të shpëtoheshin jetët.

Pas dëbimit nga puna të mjekëve kosovarë me shumë dhunë nga ekupatori, në një shtëpi në lagjen ‘Kodra e Trimave’ në Prishtinë në vitin 1992 u hap ambulanca e parë shëndetësore, e cila u emërtua me emrin e humanistes shqiptare, “Nëna Terezë”, e që në krye të saj u emërua doktori Gani Demolli.

Stafi i mjekëve në Shoqatën ‘Nëna Terezë’

Ky institucion, i hapur në kohën kur ndaj popullatës shqiptare po bëheshin shumë presione, qëndroi  hapur për gati dy dekada, duke iu ofruar shërbime shëndetësore mijëra grave kosovare që po sillnin në jetë shumë foshnje.

Gazeta Express ka qëndruar në shtëpinë e kthyer në ambulancë. Nga aty jua sjellë rrëfimin e drejtorit të kësaj shoqate si dhe të personit i cili e ndërtoi shtëpinë që më vonë u bë strehë shëndetësore për mijëra persona.

Për një vit, në shoqatën ‘Nëna Terezë” kryheshin rreth 6 mijë lindje

Ndërtimi i shtëpisë, e cila më vonë u kthye në maternitet, filloi gjatë vitit 1992, për t’u finalizuar puna tri vjet më pas, atëherë kur në vitin 1995 edhe filloi që t’i kryente shërbimet e para shëndetësore.

Fëmijët që u lindën në këtë qendër

Por vlugu i punës në shoqatën e quajtur ‘Nëna Terezë” filloi në vitin 1996, atëherë kur u hap materniteti.

Doktor Zejdullah Hoxha ishte ai i cili e mori mbi vete barrën për ta udhëhequr këtë maternitet.  Ai pas disa viteve e ka kujtuar me nostalgji kohën kur po kryente shërbime shëndetësore.

Shteetërit ku qëndronin lehonat

Ai e shpjegon kohën kur në shoqatën ‘Nëna Terezë’ po kryheshin me dhjetëra  lindje brenda ditës.

“Me mbylljen e maternitetit për shqiptarët nga okupuesi, ne e kemi pa që ka nevojë për një maternitet alternativ, ku do të lindnin nënat tona, motrat, e ku do të jepej trajtimi për të gjithë”, shpjegon doktor Hoxha.

Ai thotë se në këtë maternitet, gratë nga e gjithë Kosova shkonin për t’i kryer lindjet.

Mjetet e punës

“Materniteti kryesisht e ka pas për qëllim që t’i kryejë lindjet. Ato nuk kanë qenë vetëm spontane, por ka pas edhe lindje me ndërhyrje të tjera. Mund të ju them se brenda këtyre viteve, nga 8 korriku 1996 e deri më 31 mars 1999, kur ka funksionu ky maternitet, pra edhe gjatë kohës së bombardimeve,  janë kryer afro 13 mijë lindje, mbi 1000 mijë ndërhyrje operative”,  shpjegon doktori.


Doktor Zejdullah Hoxha

Ai tregon se lindja e parë në këtë maternitet ka qenë më 8 korrik 1996.

“Ka qenë një paciente me mbiemrin Krasniqi. Ka vendosë që lindjen me e kry në këtë maternitet”, rrëfen me emocione doktori.

Ai thotë se raportet me kolegët e tjerë mjek i ka pasur të shkëlqyera.

“Me kolegët kemi funksionu për mrekulli. Po të mos kishin qenë ata, ne nuk do të funksionomin. Ky maternitet ia ka dhuru Kosovës 13 mijë lindje, 1 mijë ndërhyrje operative. Ka qenë edhe bazë arsimore për shkollat e mesme, fakultetin e mjekësisë. Ne këtu i kemi edukuar mjekët, qopftë edhe specializantët”, thotë doktor, Zejnullah Hoxha.

Ai shpjegon se punën e kanë kryer edhe gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë. thotë se asnjëherë nuk e kanë ndier mungesën e barnave.

“Lufta jonë ka qenë këtu. Me i kryer lindjet. Ne mburremi që mortalitetin e kemi pas  shumë të vogël. Vetëm një grua na ka vdekur në mesin e këtyre 13 mijë lindjeve. Këtu ne brenda vitit i kemi kryer 6 mijë lindje. Ne nuk kemi ditë mungesë të barnave. Ne kemi pas gjithnjë.  Kam emocione tash kur e gjejë vetën këtu”, vazhdon rrëfimin e tij, mjeku i cili mori pjesë në mijëra lindje

Svirca: Në maternitet, kam pa vetëm fytyra të gëzueshme

Materniteti nuk i mbylli dyert për askënd, shërbeu për çdokënd që e kishte jetën në rrezik. Shaban Svirca ishte personi i cili e kishte lëshuar shtëpinë në maternitet. Ai ndjehet i lumtur që kishte dhënë kontribut në atë kohë e që përurimin e shoqatës e kishte bërë Anton Çeta.


Shaban Svirca

Svirca për Express ka shpjeguar për kohen kur një mjek i kishte kërkuar atij që t’ia lëshonte dy dhoma të shtëpisë për t’i kurar pacientët.

“Në vitin 1992 ka ardhur një mjek këtu i lagjes sonë. Ka ardhë edhe më ka lutë nëse mundem me ia lëshu nja dy dhoma të shtëpisë për disa mjek që të punojnë për lagje”, shpjegon Svirca.

Ai tregon edhe se çka i tha Anton Çeta në momentin kur u hap shtëpia për spital.

“Kur ne e hapëm ambulanten, doktor nderi ka qenë Anton Çeta. Kur ma dorëzuar falënderimin Anton Çeta, më ta që e ka një porosi për mu. Më tha ‘mi ndërto edhe dy dhoma aty në fund të oborrit. Që ta kem një repart për gjinekologji. Unë i kisha mundësitë. Edhe i përfundova”, tregon ai.

Ai  tregon edhe për momentet më të gëzueshme që i kanë pasur.

“Temelin e maternitetit e kam nisë në krye të një muaji prej që i kam premtua. Në vitin 1995 u krye ndërtimi. Në vitin 1996 u funksionalizuar materniteti. Unë këtu, në këtë maternitet, kam pa vetëm fytyra të gëzueshme. Edhe në kohën e ekupimit serb kam pa njerëz të gëzuar këtu.

Në3 fund, Svica tregon se e ka liruar shtëpinë e tij për maternitet e bashkë me familjen për vite të tëra ka jetuar në një shtëpi me 8 fëmijë në 77 metra katrorë./GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart