Kur do të kryhen nga 3 mijë teste në ditë, çfarë u tha Ministri sot deputetëve? - Gazeta Express
string(77) "kur-do-te-kryhen-nga-3-mije-teste-ne-dite-cfare-u-tha-ministri-sot-deputeteve"

Kur do të kryhen nga 3 mijë teste në ditë, çfarë u tha Ministri sot deputetëve?

Gazeta Express

14/08/2020 17:51

Kosova po planifikon që të rrit numrin e testimeve për COVID-19. Prej rreth 500 testimesh sa bëhen aktualisht gjatë 24 orëve, numri i tyre pritet të rritet për rreth 2 mijë e 500 shtesë. Një gjë të tillë e ka paralajmëruar vetë Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Gjatë raportimit para Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19, Zemaj ka thënë se janë duke bërë përpjekje që të ngritin kapacitetet brenda institucioneve shëndetësore publike që t’u mundësohet qytetarëve në masë sa më të madhe qasje falas për të kryer testet.

Lexo Edhe:

Zemaj tha se po synojnë që të kryejnë deri në 3 mijë testime gjatë një dite, pa dhënë ndonjë afat konkret.

“Nëse brenda institucioneve tona shëndetësore, saktësisht gjashtë qendrave tona rajonale, si dhe në Institutin e Shëndetësisë Publike, ashtu edhe në Klinikën Infektive, ofrojmë laborator ku kryhen testime, atëherë do të arrijmë maksimumin e kryerjes së testimeve, duke mbuluar kështu nevojat e qytetarëve. Sipas planifikimeve që kemi synojmë 3 mijë teste në ditë të kryhen falas”, tha Zemaj para deputetëve.

Kritika për numrin e testimeve kanë dhënë që nga fillimi i pandemisë infektologë e deputetë të vendit.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka thënë se IKSHKP ka kapacitetet për t’i kryer nga 700 deri 1000 teste gjatë një dite.

E për të rritur numrin e testimeve, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që të licencojë edhe instucionet private shëndetësore për kryerjen e testimeve për COVID-19. Numri i laboratorëve privatë që janë licencuar deri tash për të kryer këto lloj testimesh ka arritur në 55.

Prej tyre, vetëm dy laboratorë mund të kryejnë testime molekulare RT-PCR, derisa pjesa tjetër vetëm testime serologjike.

Ndërkohë, shumë shpejt do të sigurohen shtatë aparatura për laboratorë, një në IKShPK dhe 6 në qendrat rajonale. 

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit konfirmuar 142 raste të reja me COVID-19, pas testimit të 466 mostrave.

Nga fillimi i pandemisë e deri sot janë testuar 43 mijë e 93 kosovarë të dyshuar se janë të prekur me këtë sëmundje, prej të cilëve kanë rezultuar pozitivë mbi 11 mijë. 6 mijë e 817 prej tyre e kanë fituar betejën me këtë sëmundje, derisa janë regjistruar 381 raste të vdekjes, të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

“Numri total i rasteve pozitive është 11.130 raste nga 43.093 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 381 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 201 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 6.817 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.932”, thuhet në njoftimin e Institutit. /Gazeta Express