Kur bota na befason dhe gjërat shkojnë për së mbari


Gazeta Express
12 Gusht 2019 11:23

Jo gjithçka po shkon shtrembër. Kishte të drejtë një politikan i moshuar kur tha: “Bota nuk shkon as djathtas dhe as majtas, vjen rrotull”

Sergio Romano

Jo gjithmonë lajmet na vërtetojnë bindjen se Evropa dhe bota po përshkojnë një nga krizat më të këqija të dhjetëvjeçarëve të fundit. Ka edhe çaste kur njerëzit që kanë përgjegjësitë më të mëdha sillen me arsye dhe gjërat duket se shkojnë për së mbari.

Na kishin thënë se Kina po punonte për një plan ambicioz (Rruga e re e Mëndafshit) për të zotëruar ndërmarrjet tona e portet tona. Por duket se në javët e fundit, qeveria e Pekinit ka vendosur t’i pakësojë investimet jashtë shtetit (14 miliardë dollarë në 2018-n) e t’i limojë shumë projektet për ndërtimin e infrastrukturave në Vendet në zhvillim. Duhet të shmangim faktin që Kina të bëhet shumë vërshuese. Por ajo i njeh më mirë se të tjerët caqet e fuqisë dhe të pasurisë së saj.

Ishim mësuar t’i quanim Vendet e Vishegradit (Republika Çeke, Polonia, Sllovakia, Hungaria) një “kundër-Evropë”, të rrezikshme veçanërisht për tërheqjen që ushtron mbi qeverinë austriake dhe sovranistët italianë. Por zgjedhja në kryesinë e Sllovakisë të një zonje evropeiste dhe liberale, Suzana Caputova, tregon se jo e gjithë Evropa qendër-lindore është mosbesuese. E dinim se gjigantët e informatikës kërkojnë të shmangen nga rregullat financiare t’Evropës, krijojnë parajsa fiskale në Vendet ku vendosen dhe përdorin privatësinë tonë si një të mirë tregtare. Por në Financial Times lexoj se Mark Zuckerberg, pronari i Facebook-ut, e njeh rëndësinë e rregullave. Në një bisedë të fundit ka pranuar se ka lëndë në rrjet – sfera vetjake, përmbajtja e fushatave zgjedhore dhe ruajtja e të dhënave – në të cilët rregullat publike janë të domosdoshme.

Kishim frikë se Rexhep Taip Erdogan, mbas grushtit të Shtetit të dështuar të korrikut 2016, po zbërthente copë mbas cope Turqinë demokratike dhe laike që kish krijuar Mustafa Qemal Ataturku mbas fundit të sulltanatit. Nuk besoj se ka hequr dorë nga projekti autoritar dhe kam përshtypjen se mund të besojë ende mbi miratimin e Turqisë anadolliane, në të cilën një shoqëri e kushtuar Islamit i është mirënjohëse për rritjen ekonomike të viteve të shkuara. Por humbja e dy qyteteve më të mëdha të vendit (Ankara dhe Stambolli) tregon se trashëgimia e reformuesit të madh nuk ka humbur krejtësisht.

Gjatë fushatës për kryesinë e Brazilit, Jair Bolsonaro nuk e ka fshehur mallin e tij për regjimin ushtarak: një njëzetvjeçar i filluar më 1964-n, në të cilin gjeneralët dhe admiralët lejonin qenien e një të vetme partie e qeverisnin me polici të vrazhda shtypëse (“gorillat”). Por një veteran i asaj periudhe, gjenerali Ernest Geisel, ka thënë ditët e shkuara se ishin kohë të tjera e se ushtarakët shërbejnë për të bërë luftën, nëse është e nevojshme, e jo të qeverisin Vendin. Jo gjithçka po shkon shtrembër. Kishte të drejtë një politikan i moshuar kur tha: “Bota nuk shkon as djathtas dhe as majtas, vjen rrotull”.

Corriere della sera; liberale.al

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart