“Kundërshtari i vetëm i Kosovës në Shtëpinë e Bardhë”- Pse është lajm i mirë shkarkimi i Bolton-it?


Gazeta Express
11 Shtator 2019 18:17

Ish-kryenegociatorja, Edita Tahiri, po e sheh si një lajm jashtëzakonisht të mirë, për Kosovën, shkarkimin e John Boltonit nga Administrata Amerikane, kjo pasi që ajo thotë se ai ka pasur qëndrim kundër Kosovës qysh herët dhe se fundi është angazhuar edhe për të shtyrë përpara idenë e korrigjimit të kufijve. Mirëpo, analisti Ilir Ibrahimi thotë se vendimi i Trumpit për shkarkimin e Boltonit nuk duhet të përbëjë lajm për Kosovën, pasi sipas tij Boltoni ka qenë njeriu më anti-rus në administratën e presidentit amerikan. Madje, Ibrahimi thotë se Bolton është etiketuar gabimisht si përkrahës i idesë për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Besnik VELIU

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dje ka shkarkuar nga detyra, Këshilltarin për Siguri Kombëtare, John Bolton, pasi disa ndasive të thella që ndërlidheshin me disa çështje të ndjeshme, siç është Afganistani, Koreja e Veriut e Irani.

Edhe pse shkarkimi i Bolton nuk ndërlidhet me ndonjë çështje që ka të bëjë me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, një vendim i tillë i Trumpit po shihet si mjaft pozitiv sa i përket Republikës së Kosovës. Kjo pasi që Bolton që nga fillimi ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, ndërkohë derisa ka qenë krah Trumpit, thuhet se ka mbështetur edhe idenë për korrigjim të kufijve. 

Ish-kryenegociatorja, Edita Tahiri, në një përgjigje për Gazetën Express, thotë se largimi i John Boltonit nga Shtëpia e Bardhë është një lajm shumë i mirë për Kosovën.

“Në fakt ishte një lajm i mirë shkarkimi i John Boltoni, Këshilltarit për Siguri Nacionale të presidentit Trumpt, sepse Boltoni ishte deklaruar hapur kundër pavarësisë së Kosovës dhe së fundi, pra këto dy vitet e fundit është angazhuar për prekje të kufijve në Ballkan, sidomos për këtë ide të rrezikshme për shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Tahiri për Gazetën Express.

Ish-ministrja për Dialog thotë se një angazhim i tillë i Boltonit ka qenë i gabueshëm, e mbase edhe një tregues se ai nuk e ka ditur rëndësinë e Ballkanit për sigurinë e Evropës.

“Dhe nuk ka qenë një angazhim i drejtë, në fakt ka qenë një angazhim i gabueshëm i tij. Për mendimin tim ka qenë ose mosnjohës se çfarë do të thotë Ballkani për sigurinë Evropiane e më gjerë, por mbase mund të ketë pasur ndonjë anim që nuk u takon diplomatëve ta kenë”, ka shtuar tutje Tahiri.

Përveç kësaj ish-zëvendëskryeministrja thotë se shkarkimi i John Boltonit mund të ndërlidhet në mënyrë indirekte edhe me çështjen e Kosovës. Kjo pasi sipas saj, vendimi i Trumpit për ta shkarkuar atë, vjen pak ditë pas takimit të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të cilit ia ka bërë të ditur që duhet të ndodh njohja reciproke dhe që nuk do të ketë korrigjim të kufijve.

“Nga informatat zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, ky shkarkim ka ardhur si pasojë e mospajtimeve të thella mes presidentit Trumpit dhe Boltonit, në çështjet e politikës së jashtme, dhe atë në çështje të mprehta, siç janë Irani, Koreja Veriore dhe Afganistani. Mirëpo unë siç e kam analizuar, në një mënyrë kjo në mënyrë indirekte përfshinë edhe çështjen e  Ballkanit, sepse kjo ndodhi pikërisht pasi Pompeo ia bëri të qartë Vuçiqit dhe Serbisë që duhet të ndodh njohja reciproke Kosovë-Serbi, dhe ia bëri të qartë që nuk do të ketë ndryshim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë”, potencon Tahiri.

Se është lajm i mirë për Kosovën, Tahiri thotë se e tregon edhe fakti që Serbia dhe Vuçiqi janë të zhgënjyer për vendimin e Trump që të shkarkojë, John Boltonin.

“Dhe pas kësaj ngjarje të madhe që e pamë se sa u dëshpëruar Serbia dhe Vuçiqi, mbas asaj erdhi ky shkarkim. Unë do ta ndërlidhja në mënyrë indirekte edhe me këtë, që është lajm i mirë për Kosovën, sepse Amerika e ka para që gjithë Kosova ka qenë kundër prekjes së shtetit dhe kufijve që i kemi fituar me një luftë të drejtë dhe që e kemi paguar shtrenjtë”, ka përfunduar Tahiri në një përgjigje për Gazetën Express.

Megjithatë ndryshe nga Tahiri, analisti Ilir Ibrahimi, ka qëndrim plotësisht të ndryshëm. Ai thotë që shkarkimi i tij nuk do të duhej të përbënte lajm për kosovarët.

Ibrahimi thotë se nuk janë të vërteta as lajmet që kanë qarkulluar në Kosovë lidhur me atë se Bolton ka qenë ideator për ndarje të Kosovës.

“Trump e ka shkarkuar Boltonin për një mosmarrëveshje të tijën për Afganistanin e jo për Kosovën. Kjo nuk do të duhej të ishte lajm për kosovarët. Arsyeja pse është bërë lajm është se qarqe të caktuara këtu ne Kosovë e kanë parë Boltonin si ideator për ndarje, por kjo nuk është e vërtetë”, ka thënë Ibrahimi për T7.

Sipas Ibrahimit asnjë zyrtarë në Shtëpinë e Bardhë nuk ka thënë diçka të tillë sa i përket zgjidhjes finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Asnjë zyrtarë amerikanë këtë nuk e ka thënë. Madje deklarata e senatorëve amerikanë ishin për një lloj kompromisi prej të dyja palëve, për marrëveshjen përfundimtare që do të duhet të rezultonte me me njohje të ndërsjellë, e ky është qëndrimi i secilit zyrtarë të qeverisë amerikane”, shton tutje Ibrahimi.

 Madje Ilir Ibrahimi thotë se Bolton ka qenë njeriu më anti-rus në Administratën e Donald Trumpit, duke i bërë thirrje klasës politike kosovare që të ketë kujdes se çfarë deklaron lidhur me një zhvillim të tillë.

“Ky epiteti që i është vënë Boltonit, është jo i saktë. Mund të them se Boltoni është personi më anti-rus që ka qëndruar në administratën amerikane. Dhe dikush që është i njohur si anti-rus, nuk e di si mund të bëhet anti-kosovar. Këto epitete janë të pa sakta. Bolton pikë së pari është pro-amerikan, sepse ndryshe nuk mund të marrë këtë pozitë. Ai nuk është as pro-rus, as pro-serb, as pro-kosovarë, ai është vetëm pro-amerikan. Klasa politike duhet të ketë kujdes se çka deklaron, sepse ne Amerikën e kemi mik, dhe si të tillë nuk guxojmë ta humbasim. Klasa politike duhet të gjejë konsensusin dhe të ruaj partneritetin me Amerikën”, ka përfunduar Ibrahimi në përgjigjen e tij./GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart