Kultura e turpit dhe kultura e fajit


Gazeta Express
24 Maj 2019 10:39

Filologu i gjuhës së vjetër greke nga universiteti Oksfordit E. R. Dodds, në vitin 1951 me të drejtë nënvizoi dallimin midis Kulturave të turpit dhe Kulturave të fajit, të cilat etnologjia dhe psikologjia i kanë vërtetuar në shumë raste. Në një kulturë të orientuar në turp nuk vlen një ndërgjegje e pastër, ose një karakter i ndershëm, por vlerësimi publik është vlera sipërore. Nuk është me rëndësi a është dikush i fajshëm apo i pafajshëm, por cilat do të jetë pasoja e jashtme për imazhin e tij jashtë, për namin e tij të mirë.

Dr. Thomas Schirrmacher

Në një kulturë të orientuar në faj shqetësimi i publikut nuk është në radhë të parë nderi, por shpagimi për fajin. Në botën perëndimore ne jemi duke përjetuar tani fundin më gjithëpërfshirës të kulturës së fajit të historisë dhe një rikthimin në një kulturë turpi të bazuar në përkapjen e pastër të jashtme të njeriut.

Në kulturën e fajit, ndërgjegjja si dhe një kriter i paracaktuar është vendimtar, kurse në kulturën e turpit, parim i përcaktuar qartë është shoqëria. Prestigji bëhet më i rëndësishëm, sepse aty me rëndësi është të mos koritet njeriu, por drejtësia dhe e vërteta, mbeten në gjysmë të rrugës. Aty sundon përshtatja në vend të mëvetësisë.

Edhe pse çdo Kulturë faji përmban elemente të Kulturës së turpit dhe anasjelltas, një ndarje e rreptë e të dyjave është e pamundur dhe bibla pa keqkuptime njeh turpin në fushën seksuale si një mekanizëm mbrojtës, megjithatë, etika biblike e krishterë, është qartë pikënisje për një kulturë të orientuar në faj, sepse urdhëresat e zotit, janë kritere të qëndrueshme dhe ndërgjegjja duhet të orientohet në të, në vend se t‘i përshtaten qejfit përkatës të mjedisit. Sa më shumë që Perëndimi i krishterë largohet nga kjo kulturë e fajit, aq më shumë shfaqen adaptime të pastra, thjesht reputacioni i jashtëm, për dukje, me rëndësi të mos kapet, sepse obsesioni i nderit është në plan të parë.

Deri këtu gjendet artikulli në forumin e profesorëve:

http://www.professorenforum.de/bibliothek/artikel/detailansicht/kolumne-scham-und-schuldkultur/

Në faqen e autorit shkrimi është më i gjatë:

https://www.thomasschirrmacher.info/wp-content/uploads/2009/02/q200107schamundschuldkultur.pdf, artikulli vazhdon ku sjell një aksident komunikacion dhe shqyrton qëndrimet në dy kulturat dhe shpjegon si përjetohet dhe si arsyetohet faji.

(…) “Në kulturën e fajit zgjidhja bëhet përmes pranimit të fajit dhe, nëse është e mundur, dëmshpërblimi. Konfrontimi i drejtpërdrejtë në mes dhunuesit dhe viktimës është i mundur, në të vërtetë, në rast të konfliktit, është e dëshiruar për të mbaruar procesin, por edhe për t’i dhënë fund konfliktit. “

(…)

Nga gjermanishtja, Lis Bukuroca

PS. Ky përkthim nuk u bë për të nënvizuar epërsi të një besimi mbi tjetrin, as për të theksuar se cila fe është e ngarkuar më shumë me faj në biografinë e vet, por sepse pas leximit, njeriu vjen në përfundim, se në trojet shqiptare, nuk kemi më as kulturën e turpi, as atë të fajit. Thjesht dominojnë dy kultura tjera të reja: e karrierizmit të paskrupullt dhe materializmit mafioz: pa zgjedhur mjetet dhe duke shpërfillur çdo normë morale dhe ligjore. Ky është kaos gjithëpërfshirës dhe fundi i dinjitetit njerëzor. Autori ka disa konstatime që bëjnë të mundur për të kuptuar gjendjen tonë,  por në dy raste, është tendencioz.

Sipas tij Kulturat e turpit janë më të përshtatshme për ngritjen e diktaturave: “Në kulturën e fajit, nga rasti në rast sjellja e devijuar individuale mund të tolerohet. Vendimet kanë kuptim kryesisht vetëm për individin dhe nuk fajësohen grupi, familja dhe shoqëria. Kjo është arsyeja pse kulturat e turpit janë shumë më të lehta për t‘ u manipuluar dhe kanë prirje për diktaturë.“

Thomas Schirmacher ka tre tituj të doktoratës dhe tre honoris causa. Ai ka shkruar mbi 100 libra, që janë përkthyer në 18 gjuhë. Edhe pse ka gjithë ata tituj dhe gjithë ato libra, ka trurin e kolonializuar nga dogma e krishterë. Truri i zaptuar nuk kërkon të vërtetën, por predikon besimin, domethënë, pezullimin e aftësive mendore shqyrtuese. Ai ndalon gjetjen e të së vërtetës. Sikur ai vetëm për një çast të hidhte një shikim prapa, do të shihte se diktatura fashiste dhe diktaturat komuniste, u ngritën pikërisht në atë kulturë, që ai konsideron të papërshtatshme për rende diktatoriale.

Gabimi i dytë është kur sinjalizon rrezikimin e kulturës perëndimore. Në kohën e globalizmit, kulturat do të japin dhe marrin, por nuk do të rrezikojnë njëra tjetrën! Ndryshimi i tyre kërkon disa shekuj dhe nuk bëhet brenda ditës. Ai duhet ta ketë lexuar Kantin dhe mësuar se sa zgjati iluminizmi!

Në wikipedia në artikullin mbi autorin, gjendet edhe një fotografi me ish kryetarin Bujar Nishani. Kush është Thomas Schirrmacher?

Profesor dr. i teologjisë zëvendëssekretar i përgjithshëm i “Aleancës Ungjillore Botërore” që përfaqëson 600 milionë të krishterë evangjelikë dhe kryetar i “Komisionit Teologjik të AUB.” President i “Këshillit Ndërkombëtar të Shoqatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut”, (me degë në 55 vende) dhe drejtor i “Institutit Ndërkombëtar për Lirinë Fetare!, (Bonn, Cape Town, Kolombo, Brazilia); ai është një nga ekspertët kryesorë të të Drejtave të Njeriut në botë dhe flet rregullisht si ekspert nëpër parlamentet anembanë botës dhe në tubimet e OKB-së.

Nga faqja e autorit: Schirrmacher është profesor i sociologjisë së fesë në Universitetin Shtetëror të Perëndimit “, Temishvara, Rumuni, ligjëron të Drejtat e Njeriut dhe Lirinë e Fesë në Universitetin e Oksfordit (Regents Park College). Është themelues dhe nënkryetar i “Martin Bucer Seminarit”, një kolegj teologjik për të rriturit me qendrat e studimit në Berlin, Bilefeld, Bon, Kemnic, Delhi, Hamburg, Helsinki, Insbruk, Stamboll, Izmir, Linc, Mynih, Pforchajm, Pragë, Sao Paulo, Tiranë, Cyrih, ku ligjëron etikën dhe fenë krahasuese. Schirrmacher ka dhënë ligjërata si i ftuar në universitete dhe konferenca specialistësh në më shumë se 120 vende dhe udhëton në rreth 25 vende në vit.

Ai studioi teologji në Zvicër dhe Holandë, studimet krahasimtare të fesë, etnologjinë dhe sociologjinë në Bon dhe antropologjisë kulturore në Shtetet e Bashkuara. Ai doktoroi në teologji (Holandë, 1985), në antropologjinë kulturore (SHBA, 1989 dhe për studimet Fetare Krahasuese (dr. i filozofisë, Universiteti i Bonit, 2007) . Në vitin 1996, 1997 dhe 2006, ia dhanë dhuruar tre tituj nderi të doktoratës nga SHBA-të dhe nga India.

Te fundit


Kthehu lart