Kujdes burra, SPAK-u na çon në Spaç!


Gazeta Express
15 Maj 2019 11:17

Të gjthë e dimë që me kalimin e kohës po pregatitet ndeshja më e fortë që Shqipëria ka parë ndonjëherë.  Janë dy skuadra që po stërviten fort për atë ditë.  Në njërin krah është SPAK-u e në tjetrën Politika. Është një ndeshje pa kompromis që njëra palë  veç po përpiqet ta shtyjë në kohë.

Por si po e saboton Politika SPAK-un?

Fillimisht kush është SPAK-u, ky ekip gjyqtarësh e prokurorësh që do të kalojë në sitë të gjithë politikanët shqiptarë, pa afat parashkrimi, pra të gjitha mëkatet e përfolura e të papërfolura të tyre në këto 30 vjet.

SPAK do të thotë Struktura e Posaçme Anti Korrupsion ose akronimi i tmerrit i Politikës. Veç që të mbijë SPAK-u, duhet të ushqehet me plehun dhe ujin e Politikës e këtu është krijuar një varësi e ndërsjellë.

Politikanët, nga të dy krahët, do të donin që kurrë të mos krijohej SPAK-u. E për këtë qëllim diabolik ata përdorin mjaft hile. Ta bëjmë më të thjeshtë për një publik që nuk i ka informacionet e duhura.  

Që të krijohet SPAK-u, duhet të gjenden Prokurorët e Gjyqtarët e qashtër, ndershmëria e të cilëve  do të kalojë në vrimën e gjilpërës së Komisioneve KPK,  KPA dhe pastaj KLP e KLGJ.  Pra, politika ka krijuar filtra të fortë për këta “xhahilë” të së ardhmes së vet. Dhe jo vetëm kaq.

Hileja më e madhe është standarti i lartë për ti kaluar në këtë vrimë. E kanë ngritur stekën aq lart sa e kanë futur në kolaps sistemin. Sa për ilustrim, njërën nga Prokuroret më me emër, që kishte arritur të ishte në piramidën e KLP-së, Antoneta Sevdarin, e hoqën nga sistemi vetëm se burri i saj nuk paraqiti vërtetimin e tatimit nga të ardhurat e fituara nga puna si ekspert nëArabinë Saudite. Dihej botërisht që ai person kishte punuar si ekspert në atë vend. Dihej botërisht që 20,000 dollarët që deklaronte ai ishin shumë krejt logjike si fitim vjetor nga puna në atë vend. Por jo, Antoneta sot nuk bën pjesë në sistem sepse burri nuk paraqiti deklaratën e tatimit nga Arabia! Shkarkimi i Antoneta Sevdarit nga prokurore, në fakt, ishte një mesazh për të gjithë të tjerët. Duket sikur po u thonin “ E patë se për sa pak e hoqëm Antonetën? Atëherë jini të kujdesshëm!”

Edhe prokurorët e gjykatësit norvegjezë do ta kishin të vështirë të kapërcenin këtë stekë të lartë e jo më vartësit e Tik Llallës e Artës në Shqipëri. Për pasojë, shumë nga këta prokurorë e gjyqtarë, nuk shkuan fare, as në shkallën e parë të vetingut ,në KPK (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit). Boll ia kanë parë hajrin sistemit, tani t’i gëzojmë ato të mira për të cilat “u rropatëm” deri sot. Sapo filloi gjyqi publik i rrëzimit dhe diskretitimit publik të disa emrave të spikatur të drejtësisë, numri i atyre që u tërhoqën erdhi në rritje…

Kanë kaluar 2 vite që atëherë. Ranë emra mamuthësh të drejtësisë, vërtet, por askush nuk aplikonte për t’i zëvendësuar. Dhe ky ishte suksesi më i madh i Politikës ndaj Drejtësisë, është beteja e parë e fituar. Iku Gjykata Kushtetuese e para. Pas saj edhe Gjykata e Lartë. Dosjet filluan të bëheshin mal në Gjykatat e niveleve të tjera. Gjykatësit e këtyre niveleve, në pritje për të shkuar në veting ndaheshin në dy kategori, ata që kanë shpresë për ta kaluar vetingun dhe ata që e dinë të sigurtë që nuk e kalojnë atë.  Të dy palët filluan të ndikoheshin në vendimet e tyre gjyqësore. Të parët me shpresën e kalimit filluan të jepnin vendime më të ashpra, të dytët, të sigurtë që do të binin filluan ta lëshonin dorën në këmbim të korrupsionit. Numri i çështjeve që gjykon një gjykatës i nivelit të parë shkoi nga 200 në vit në 600, 800 e deri në 1000 çështje  në vit!

 Si thotë ajo fjala “Ujku mjegull do”. Dhe mjegull si kjo nuk ka si të vijë ndonjëherë.

Ndërkohë, steka e ngritur kaq lart ka bërë prokurorët apo gjykatësit që aplikojnë për SPAK, Prokuror të Përgjithshëm, Gjykatë Kushtetuese, Gjykatës të Lartë ose Inspektorin e Përgjithshëm të Drejtësisë  janë shumë pak. Thashethemet se Politika (mazhoranca) i ka përcaktuar qysh në nisje emrat që do t’i zënë pikat kyçe i ka dekurajuar Prokurorët dhe Gjykatësit aspirantë. Emrat e Ermonela Felaj dhe Ulsi Manjës janë shumë popullorë në mes vendimmarrëve të skuadrës së Politikës.

Gjykatësit dhe Prokurorët e dalë nga sistemi janë shumë më pak sesa ata që mund të futen në sistem. Dihet që furnizuesi i vetëm, sipas ligjit, është shkolla e Magjistraturës që nxjerr një numër afërsisht 25 persona në vit. Ndërkohë që, numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve që priten të dalin nga sistemi është dhjetë herë më i madh…

Pra, duhet pritur 10 vjet për të siguruar numrin e nevojshëm të punonjësve të domosdoshëm në sistemin e Drejtësisë.

Dhe ky është kolpasi i standartit të lartë, hileja e politikës, hakmarrja e saj ndaj xhahilit të ardhshëm të saj.

Si puna e Nastradinit që e rrihte djalin përpara se ta bëntëe gabimin.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart