“Ku ma keni çuar vëllanë?” Ngarkesa e kokainës që i mori jetën Jak Prengës - Gazeta Express
string(71) "ku-ma-keni-cuar-vellane-ngarkesa-e-kokaines-qe-i-mori-jeten-jak-prenges"

“Ku ma keni çuar vëllanë?” Ngarkesa e kokainës që i mori jetën Jak Prengës

Gazeta Express

28/01/2020 18:07

Fillimisht u raportua si një rrëmbim për shkaqe të rëndomta ndodhia e 12 janarit të këtij viti në Kamëz, por shumë shpejt në skenë dolën forcat speciale RENEA, një trafik multimilionësh kokaine dhe një grup i rrezikshëm kriminal shqiptar, që duart i kishte shtrirë jo vetëm në Shqipëri, por në Britani dhe vendet latine të origjinës së drogës.

Të tjera detaje kanë dalë në dritë në lidhje me rrëmbimin e Jak (Jani) Prengës, 49 vjeçarit të rrëmbyer nga një grup kriminal i identifikuar tashmë me mbiemrin e familjes Hajri në Shijak.

Lexo Edhe:

Përgjimet e agjentëve britanik kanë zbuluar se vëllai i Jak Prengës ka telefonuar  njërin prej pengmarrësve të të vëllait dhe i ka kërkuar llogari. “Ku ma keni çuar vëllanë” i drejtohet Astrit Prenga në telefon pengmarrësve dhe i kërkon që ta lirojnë. Por ajo që Astriti nuk ka ditur në momentin e telefonatës së përgjuar, ka qenë fakti se pas rrëmbimit, i vëllai ka vdekur.

Sipas informacioneve të policisë shqiptare, Jak Prenga pas rrëmbimit dhe rrahjes në mes të rrugës është futur i gjallë në kompleksin e familjes Hajri, por prej aty ka dalë i vdekur. Hetuesit ende nuk e kanë zbuluar trupin e viktimës, teksa 49 vjeçari tashmë ka lënë jetimë 5 fëmijët e tij.

Policia ka bërë të ditur se autorët kanë përdorur  makinën e një këngëtareje, mjet i cili është vjedhur.

Por rrëmbimi, torturimi e më tutje vdekja e 49 vjeçarit nga duart e kësaj bande, nuk ka të bëjë aspak me Jak Prengën, pasi ky i fundit nuk ishte i përfshirë në trafikun e drogës.

Ndryshe mund të thuhet për të vëllanë, i cili është dhe personi i cili ka patur konflikte me shijakasit. Astrit Prenga kishte dalë garant në muajin dhjetor të vitit të shkuar, që të priste një sasi prej 280 kg drogë në Britani në emër të porositësve, por edhe pse e ka nxjerrë drogën nga porti, sasia nuk ka shkuar në destinacionin e duhur. Kësisoj në shenjë hakmarrje, banda i ka rrëmbyer të vëllanë për t’i bërë presion që të tregojë se ku e ka çuar drogën.

Ditën e djeshme forcat speciale mësynë në një hotel luksoz të familjes Hajri dhe arritën të arrestojnë Leonard Hajrin, Olsi Turjan, Elton Hajrin dhe Bajram Hajri.

Në kërkim mbetet Altin Hajri, personi i cili dyshohet të jetë dhe ‘mendja’ që kryente trafiqet e drogës./Express