Ku ishit më herët?


load
Gazeta Express
8 Nëntor 2019 10:58

Vetëm kur u shfaq problemi i quajtur “prag zgjedhor”, partive që dështuan ta kalojnë atë dhe përkrahësve të tyre iu ra ndërmend të reagojnë ndaj mënyrës se si KQZ procedonte votat e serbëve jashtë Kosovës. Në të kaluarën me ato vota nuk ishte problem të krijoheshin koalicione qeveritare, e as të priteshin me orë të tëra deputetët e Listës Serbe deri sa të kthehen nga Beogradi, pasi merrnin bekimin e Vuçiqit

Imer Mushkolaj

U desh të ndodh dështimi i Nismës Socialdemokrate dhe dy partive bashkë me të, që të bëhen pjesë e Kuvendit, për t’u rënë në mend atyre dhe të tjerëve Lista Serbe. Për t’u ardhë në mendje se ky subjekt politik, i krijuar nga Beogradi dhe në shërbim të Beogradit, qenka një ndër të këqijat në Kosovë dhe për të akuzuar KQZ’në se ka fabrikuar rezultatin e zgjedhjeve, duke i përligjur votat e ardhura nga Serbia.

Ankesat kundër rezultateve finale të zgjedhjeve të 6 tetorit po vijnë nga dy parti, të cilat kanë bashkëqeverisur mandatin e kaluar bashkë me Listën Serbe, madje duke i pasur “në pronësi” hiç me pak se shtatë ministri. Ishte qeveri pazaresh të mëdha dhe mori kush sa mundi më shumë. Por në zgjedhje nuk iu dolën llogaritë.

Qytetarët zgjodhën të mos iu japin vota as për ta kaluar pragun partive të Fatmir Limajt e Behgjet Pacollit, e as asaj të Ferid Aganit bashkë me to. Një ndëshkim ekszemplar për mendësinë dhe mënyrën e qeverisjes.

Vetëm kur dështuan vetë, zyrtarëve të këtyre partive dhe të tjerëve iu kujtua se votat për Listën Serbe ishin të jashtëligjshme, pavarësisht se institucionet përkatëse nuk i konsideruan të tilla. Kështu nuk kishin reaguar në asnjë palë zgjedhje të kaluara, në të cilat garoi Lista Serbe dhe votat për të mblidheshin e silleshin në Kosovë në mënyrë të ngjashme. Nuk kishin reaguar, sepse atëherë e kishin kaluar pragun. Madje jo që nuk kishin reaguar, por me durim e urtësi i kishin pritur me orë të tëra deputetët serbë që të kthehen nga Beogradi për ta votuar koalicionin qeveritar. Natyrisht, pasi kishin marrë bekimin e Aleksandër Vuçiqit. Për të votuar koalicionin më të përçudshëm që njeh historia e re politike e Kosovës.

* * *

Po ta kishin kaluar pragun, as Nisma as AKR nuk do të ankoheshin në votat e Listës Serbe. Siç nuk janë ankuar asnjëherë, ndonëse edhe më herët është vepruar në mënyrë të ngjashme. Kundër mënyrës së votimit dhe grumbullimit të votave në Serbi nuk reagonin as parti të tjera më të mëdha, si PDK e LDK, të cilat me Listën Serbe krijonin koalicione. E as AAK, që dha kryemnistrin mandatin e kaluar qeveritar, sepse fati i koalicionit në masë të madhe varej pikërisht nga disponimi i deputetëve serbë.

Partitë politike shqiptare që qeverisnin mandat pas mandati nuk reaguan as kur Lista Serbe iu erdhi si “dhuratë” nga procesi i bisedimeve në Bruksel, si rezultat i një ujdie të heshtur ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë. Nuk reaguan as në rastet kur kjo parti, deputetët dhe zyrtarët tjerë të saj haptazi e injoronin shtetin e Kosovës dhe përpiqeshin të sabotonin pavarësinë e saj. Nuk reaguan as në rastet kur të njëjtit merrnin paga të majme nga institucionet e Kosovës, përderisa i bojkotonin ato. Nuk reaguan as kur qindra serbë merrnin e vazhdojnë të marrin paga nga buxheti kosovar pa punuar fare ose duke punuar “prej shpisë”. Nuk reaguan as kur udhëheqës të Listës Serbe organizonin protesta në veri kundër veprimeve të institucioneve shtetërore të vendit. Nuk reaguan as kur ky subjekt vazhdoi organizmin e jetës së serbëve brenda Kosovës sikur të jetonin në Serbi. Madje nuk reaguan as kur zyrtarë dhe militantë të Listës Serbe e bënë të pamundur garën fer jo vetëm në zgjedhjet e fundit, duke kërcënuar, shantazhuar e sulmuar zyrtarë të partive të tjera serbe.

* * *

Të gjitha këto veprime destruktive të Listës Serbe ndër vite u toleruan nga liderët partiakë e institucionalë të Kosovës, sepse kjo parti iu duhej për të krijuar koalicionet qeveritare. Iu duhej për të bërë pazare me pozita shtetërore, ndonjërit i duhej mbase edhe për interesa thjesht personale.

Dhe tash, përnjëherë, kontestohet mënyra e votimit, administrimit dhe procedimit të votave të serbëve jashtë Kosovës. Sepse një koalicion i vogël nuk e kaloi pragun. Pyetja e vetme që duhet bërë atyre është: ku keni qenë më herët?

Përgjigjja mund të jetë se kishin qenë kësajde, por ishin të zënë duke keqqeverisur, duke trashur familjarizimin nëpër institucione, duke rehatuar miq e të afërm nëpër ambasada, duke bërë kokrrën e qejfit nëpër botë me para të shtetit, duke u sjellë me fodullëk, mospërfillje e arrogancë dhe duke pretenduar se do t’i fitojnë zgjedhjet teksa pijnë çaj.

Kishin qenë kësajde, por atëherë Lista Serbe nuk ishte aq e keqe, votat e serbëve isnin në rregull. Kishin qenë kësajde, por mund të mos jenë më. Qytetarët dinë të ndëshkojnë.

Te fundit


Kthehu lart