Kthimi në Ditën Zero - Gazeta Express
string(20) "kthimi-ne-diten-zero"

Kthimi në Ditën Zero

Gazeta Express

13/06/2020 11:04

Në ballafaqimin me Covid-19, duket që e kemi bërë gjithë këtë rrugë të rëndë së bashku, për tre muaj, për tu kthyer në Ditën Zero, aty ku ishim me 13 mars.

Shkruan: Blerim Shala

Lexo Edhe:

Ka qenë një lloj supozimi, i pritjeje dhe i shpresës që kjo Pandemia tek ne, në Kosovë, do të zgjatë tre muaj, dhe jo më shumë.

Nuk ka pasur këtu gjë të qëndrueshme dhe të bazuar, sepse shkenca dhe dituria për Covid-19 është tutje ‘work in progress’, si thuhet, në qendrat më prestigjoze në Perëndim, e lëre më këtu tek ne.

Por, tek e mbrama, një supozim i këtillë, e bënte pak më të durueshëm atë tronditjen e madhe kur me 13 mars, u dha ai lajmi që pritej çdo ditë  (në fakt), për dy të infektuarit e parë me këtë virus në Kosovë.

Këtë të shtune, me 13 qershor, i kemi bërë tre muaj që prej se jemi goditur nga Coronavirusi. Tri javë më parë, na thuhej, edhe bazuar në statistikat inkurajuese  (numri i të shëruarve për disa ditë ishte më i madh se i të sëmurëve), që po shkojmë kah fundi apo epilogu i Pandemisë. Tash, mund të thuhet, pa kurfarë dyshimi që e kemi bërë gjithë këtë rrugë të rëndë dhe të mundimshme së bashku, për tre muaj, për tu kthyer në Ditën Zero, aty ku ishim pra me 13 mars.

Ky është në të vërtetë një version optimist i interpretimit të situatës së tanishme në Kosovë me Covid-19.

Ai shpjegimi realist, na shfaqet në trajtë të konstatimit që Kosova sot është më keq, është më e rrezikuar, më e sfiduar me Covid-19, se sa që ishte me 13 mars.

Statistikisht dhe realisht.

Të premten u lajmëruan 58 raste të reja të infektimit, numër ky i pashoq në këtë historikun e përballjes sonë me këtë virus.

Aktualisht, në gjithë Kosovën janë 432 raste aktive. Mundësia e shumëfishimit të këtij numri është shumë reale.

Me 13 mars autoritetet e Kosovës, ato të shëndetit publik në radhë të parë, aplikuan një sërë masash restriktive, gjithsesi të domosdoshme, duke filluar me një ngujim apo izolim thuaja total të qytetarëve dhe të gjithë vendit.

Porosia kryesore e ekspertëve shëndetësor, mbase jo vetëm për të na qetësuar neve, por edhe për ta inkurajuar veten, ishte: ’Panik jo. Kujdes po’.

Sidoqoftë, çdo porosi dhe këshillë e mjekëve dhe ekspertëve mjekësor përsëritej dhjetëra herë në ditë dhe po aq përcjellej me vëmendje prej të gjithë nesh, si qytetarë të këtij vendi.

Përnatë kishte debate publike gati në të gjitha televizionet nacionale kushtuar Covid-19, si duhet ta trajtojmë ne të gjithë këtë sëmundje, si duhet ta tejkalojmë ate, etj.etj.

Tre muaj më pas, në gjysmën e qershorit të këtij viti, gjithçka, sa i përket qasjes sonë si shoqëri, si qytetarë, si vend, është ndryshe nga ajo e muajve mars dhe prill, teksa numrat e rritjes së Covid-19 janë brutalisht problematike dhe skajshmërisht kërcënuese për Kosovën.

Dihet që më nuk ka kurfarë masash restriktive në fuqi. Jemi hapur, me ka krejt  (si thuhet). Ta merr mendja që i jemi kthyer normalitetit, thuajse ky virus është zhdukur dhe ka humbur diku.

Të mjafton një ecje gjysmë orëshe rrugëve dhe shesheve të Prishtinës, në çdo kohë të ditës, për të kuptuar që thuaja askush nuk po i përmbahet rekomandimeve të ekspertëve mjekësorë. Ata që mbajnë maska janë fare të rrallë. Distancë sociale nuk ka, as në sheshe, as në kafene, as në restorante, askund.

Në ato fillimet e kësaj sëmundjeje, jo që ishim të frikësuar prej Covid-19, po njëmend ishim në panik, mbase, ishim të tmerruar.

Tash, kush më nuk frikësohet. Kush më nuk i bën hesap ato rekomandimet e përnatshme të autoriteteve të shëndetit publik, të cilat përkrahen edhe prej institucioneve qendrore të këtij vendi, për sjelljet tona kur të dalim në qytet.

Nuk ka më kund debate televizive për këtë sëmundje.

Nuk bëjnë gjë punë as këto paralajmërimet me tone të buta kërcënuese nga autoritetet qendrore, që do të mund të ndodhë edhe kthimi i mbylljes së plotë, nëse tutje vazhdojmë të sillemi në këtë mënyrë.

Teksa këtu tash, nuk po dihet më kush është më shumë i papërgjegjshëm në relacionin tonë me kërcënimin nga Covid-19: Qytetarët e këtij vendi, apo ata që janë të thirrur të na mbrojnë nganjëherë, siç është tash rasti, nga vetvetja.

Kulminacioni i shpërfilljes përbuzëse të sprovës së Covid-19, ishte protesta e Lëvizjes ’Vetëvendosje’, këtë të premte, në sheshin ’Skënderbej’, të prirë nga ish-Kryeministri Albin Kurti me gjithë kabinetin e tij qeveritar, në këtë hisen e këtij subjekti.

Nuk pati këtu kurfarë respekti për kurfarë rendi dhe kurfarë rregulli.

Nuk pati distancë sociale në mes të pjesëmarrësve në këtë ngjarje politike dhe masa të një kujdesi të shtuar për të cilat Kurti kur ishte Kryeministër dhe Ministrat e tij kur ishin në Qeverinë e tij, me të drejtë na flisni për çdo ditë të lume, nganjëherë edhe me konferenca të jashtëzakonshme për media.

Një tjetër distancë u vërejt në këtë tubim prej disa mijëra vetave. Një distancë absolute ndaj flamurit të shtetit të Kosovës. Nuk u gjet asnjë i vetëm flamur, as për ilaç, këtë të premte në Sheshin ’Skënderbej’.

Sheshi ishte i mbushur me flamurin kombëtar shqiptar i cili është njëkohësisht flamuri i Republikës së Shqipërisë.

Kurti dhe ’Vetëvendosje’ u kthyen në origjinë. Prej së cilës asnjëherë nuk kanë dalë. Në fakt.

Pushteti i Kosovës, për Kurtin dhe përkrahësit e tij, është si ai autobusi i një lideri të njohur, me të cilin ai e përshkruante demokracinë.

Demokracia është si autobusi, i cili të dërgon prej një vendi ku nisesh, tek ai ku dëshiron të mbërrishë.

Pastaj, nuk të duhet gjë më autobusi. Apo demokracia.

Sidoqoftë, nëse këtu e lëmë menjanë politikën e këtyre ditëve të fundit dhe i kthehemi Covid-19  (sepse ai as që u largua ndonjëherë), ditët dhe javët e ardhshme njëmend janë kritike për mënyrën se si do ta përmbyllim këtë rrëfimin tonë të ballafaqimit me këtë virus.

Nëse do të vazhdon shtimi dramatik i numrave të të infektuarve, jo vetëm që do të na ndodhë izolimi i sërishëm individual dhe familjar, por do të mbyllemi edhe si shtet  (siç është sot Maqedonia e Veriut), nuk do të mund të shkojmë as të udhëtojmë kund, dhe askush nuk do të mund të vi këtu.

Do të mund të jetë kjo një verë e gjatë dhe e rëndë për të gjithë ne, në këtë vend.