“Kryetari ka dashtë me m’qitë prej punës pse s’po e hjeki padinë unë”, pse u terhoq Komuna nga vërtetim i pronësisë në Gërmi - Gazeta Express
string(119) "kryetari-ka-dashte-me-mqite-prej-punes-pse-spo-e-hjeki-padine-une-pse-u-terhoq-komuna-nga-vertetim-i-pronesise-ne-germi"

Lajme

Gazeta Express

16/05/2026 20:50

“Kryetari ka dashtë me m’qitë prej punës pse s’po e hjeki padinë unë”, pse u terhoq Komuna nga vërtetim i pronësisë në Gërmi

Lajme

Gazeta Express

16/05/2026 20:50

Komuna e Prishtinës, në 2013 mori vendim për këmbimin e një pjese të pronës në Breg të Diellit, me një pronë në Parakun Nacional të Gërmisë, në pronësi të Mefail Cakollit. Por me të ardhë në pushtet atë kohë Shpend Ahmetaj, ishin ngritur dyshime se si kishte kaluar në pronësi të Cakollit prona në Gërmi për çka thuhej se kishin dëshmi që ishte eksproprijuar dhe paguar në vitet e 80’.

Për këtë, Komuna e Prishtinës kishte ushtruar kallëzim penal.

Përveç këtij kallëzimi penal, Komuna e Prishtinës, në 2016 kishte bërë edhe padi ndaj Mefail Cakollit, për vërtetim të pronësisë se tokës në Gërmi. Bashkë më padinë, Komuna kishte kërkuar edhe masën e sigurisë, të cilën e kishte aprovuar Gjykata. Vendim i fundit në fuqi për masë të sigurisë ishte i vitit 2022. Por, në shkurt 2024, Komuna me një parashtresë është tërhequr nga kjo padi. Gjykata, ka konstatuar të tërhequr padinë dhe rrjedhimisht ka anuluar edhe aktvendimin për masën e sigurisë.

Komuna e Prishtinës, për Betimi për Drejtësi, nuk ka dhënë ndonjë arsyetim për tërheqjen nga kjo padi.

“Ndërkohë personi apo zyrtari i zyrës ligjore Kuvendit komunal të Prishtinës, Arben Kqira ka bërë tërheqjen e kësaj padie nga gjykata. Në momentin që e ka tërhequr padinë nga gjykata, ka arritur që ta bëjë një marrëveshje me Komunën dhe t’i bartet pronë apo këmbehet kjo pronë e Gërmisë me pronën tonë”, ka thënë banori Xhemshit Cakolli i cili tashme me vendim të Apelit është pronar i pronës së këmbyer në Breg të Diellit.

Avokat i banorëve, Xhafer Tahiri, ka thënë se  komuna ka qenë në proces gjyqësor me personin të cilit ja ka kaluar pronën komunale pikërisht për mënyrën qysh ka kaluar pronësia atje.

“Dhe pa ndonjë shpjegim të qëndrueshëm është tërheq dhe pastaj është nënshkruar kontrata”, ka thënë ai.

Betimi për Drejtësi, ka siguruar një audio-incizim nga takimi i banorëve me Udhëheqësin e Sektorit ligjor të Komunës, Arben Kqira kur pyetet se pse është tërhequr nga kjo padi.

“Arben, e ke bo një veprim pa dijen e kryetarit, e ke tërheqë padinë, E ke tërheqë masën siguruese, na ke vu para aktit të kryer.

“Ju nuk e dini qysh ka ardhë deri të tërhejka e padisë”, shprehet në këtë bisede Kqira.

Kur pyetet nëse Kryetari ishte në dijeni për këtë vendim, Kqira shprehet:

“ Qysh s’u kanë në dijeni, Kryetari në korrik 2023 ka dashtë me m’qitë prej punës pse s’po e hjeki padinë unë, po ju nuk i dini këto”.

Në një moment tjetër, ai thotë se këtë e ka bërë, pasi ka dashur ta ruaj kryetarin Rama që mos t’i ngritët aktakuzë..

“Banori 3: Ti po thu unë s’jam më i fortë se ligji a ti ke shku e ke tërhjekë masën.

Kqira: Po.

Banori 3: E qysh s’je ma i fortë se ligji.

Kqira: Po atë e kom bo, ata e pranoj, jam tërhjekë, jam kanë i bindur që duhet me u hjek.

Banori 3: E pse nuk i thojshe Përparimit atë ditë po i thojshe po e mbroj Krytarin unë, e ti tashi neve po na thu me ka thanë Kryetari me e tërhjekë. S’the ti me ke thanë kur ta msheli gojën tha ti e ke bo pa dijeninë teme.

Kqira: Krytarin, Kryetarin e respektoj…

Banori 3: Ahh e respekton…

Banori 1: Për çka e ke tërhjekë prej Gjykatës, pa marrë vendim gjyqësor.

Kqira: Nuk ka pas vendim për shpronësim, nuk këna gjete prova që prona u kanë e shpronësuar prej Komunës.

Kqira:  Unë e kom bo për mos me i ngritë aktakuzë…

Banori 1: Kujna mos me iu ngritë, ti po e mbron Kryetarin a sa për që e mbron ti Kryetarin atij 500 herë ia lidhin duart, dije atë punë e ke bo për interes tanin, e ke bo për interesa të këtij grupi që jeni, kjo merr fund dikun.

Vendimi i 2013 që në thelb pretendohet që nuk ishte përfundimtar, zbatohet tek në 2024, kur në pushtet vjen Përparim Rama.

Komuna e Prishtinës, përkatësisht nënkryetari i Komunës Alban Zogaj në emër të Kryetarit më 10 maj 2024, nënshkruan Kontratën e Këmbimit me Mefail Cakollin.

Narracion: Edhe në kontratë, thuhet se prona në Sofali këmbehet me një pjesë të pronës 10012-1. Parcela 10012-1 ishte krijuar nga 10012-0 në vitin 2016. Por, pas kontratës, 10012-1 është ndarë sërish dhe Mefail Cakollit i është ndarë pjesa 10012-5, përkatësisht 1638 m2.

Kësaj kontrate, thuhet se i është bashkëngjitur skica e pronës e bërë në vitin 2014 si dhe vlerësimi i pronave i bërë në shtator 2013 nga Ministria e Financave.

Në skicën e bashkëngjitur, parcela mbanë numrin 10012-1, për çka avokati Tahiri hedh dyshime për falsifikim, pasi vendimi zyrtar kur parcela merr këtë numër është i vitit 2016.

“Tani është shumë interesante që kontratës ia bashkëngjisin atë skicë të vitit 2014 dhe ne e kemi parë, por ne në historiat të lëndës kemi gjetur që parcela 10012-1 ne është krijuar vetëm në vitin 2016 dhe ky është vendim i Drejtorisë së Kadastrit të Komunës së Prishtinës që vërteton se parcela 10012-1 që përmendet në kontratë në vitin 2024 është krijuar në vitin 2016. Si ka mundur me dit komuna në vitin 2014 ekzistimin e parcelës 10012-1 kur nuk ka pas vendim për ndarje? Edhe kjo e bën krejt këtë proces në vlerësimin tonë shumë të dyshimtë”, ka thënë në anën tjetër avokati Tahiri.

Për më shumë, ndiqeni hulumtimin “Skema kriminale: Si u bë kompensimi i dyfishtë i pronës në Gërmi me pronën e qytetarëve në Bregun e Diellit?”, i cili transmetohet në T7 dhe platformat online të “Betimi për Drejtësi”.

Advertisement
Advertisement
Advertisement