Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi ka takuar sot ambasadoren e Kubës, Caidad Yaira Ceto Milian, me rastin e fillimit të detyrës së saj.
Me këtë rast, kryetari i Parlamentit Shqiptar, Gramoz Ruçi, kërkoi gjithashtu që Kuba të rishikojë qëndrimin e saj dhe të njohë Republikën e Kosovës si edhe të mbështesë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.
Ndërkaq ambasadorja Milian u shpreh se çështjen e njohjes së Kosovës do t’ia paraqesë Qeverisë së Kubës.
Tutje në këtë takim, Ruçi, theksoi interesin e Shqipërisë për zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe, përmes nxitjes së procesit të konsultimeve politike dhe bashkëpunimit në fushat e ekonomisë, shkëmbimeve tregtare, turizmit, kulturës.
Po ashtu edhe kërkoi mbështetjen e Kubës për kandidaturën e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për vitet 2022-2023.