Kryetari i FBK-së jep shembull, vendos të shkojë në zgjedhje - Gazeta Express
string(59) "kryetari-i-fbk-se-jep-shembull-vendos-te-shkoje-ne-zgjedhje"

Sport

Gazeta Express

08/12/2020 11:56

Kryetari i FBK-së jep shembull, vendos të shkojë në zgjedhje

Sport

Gazeta Express

08/12/2020 11:56

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka vendosur t’iu nënshtrohet para kohe zgjedhjeve të reja për kryetar për t’i kontribuar kështu vendosjes së rregullshmërisë në sportin kosovar dhe për ta respektuar një qarkore të Ministrisë së Sportit, e cila i ka udhëzuar të gjitha federatat sportive, pa asnjë përjashtim, që t’iu nënshtrohen zgjedhjeve të reja më së largu deri në muajin mars për ciklin olimpik 2021-2024.

Presidenti aktual i FBK-së, Arben Fetahu, ka dhënë shembull, duke e pranuar sfidën dhe duke e lënë anash interesin personal. Edhe pse ka mundur ta shtyjë mandatin e tij deri në vitin që po vjen, Fetahu ka vendosur t’iu nënshtrohet zgjedhjeve të reja para kohe, gjë që po hezitojnë ta bëjnë prijësit e disa federatave tjera, siç është edhe Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), e cila e ka shtyrë për vitin tjetër edhe Kuvendin e Punës, e lëre më Kuvendin Zgjedhor të kërkuar nga shteti, shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Fetahu thotë se në zgjedhjet e reja do ta kërkojë një mandat të ri, duke mos iu frikësuar garës së mundshme me ndonjë kundërkandidat tjetër potencial. Thotë se në zgjedhjet e 18 dhjetorit do ta shpalos programin e tij me të cilin do t’ua kërkojë delegatëve të FBK-së voton për një mandat të ri.  

Këtë e ka konfirmuar vet Fetahu përmes një deklarate publike, ku thuhet:

Miq të nderuar,

Përkundër mundësisë për të shtyrë zgjedhjet në Federatën e Basketbollit të Kosovës edhe një vit, unë vendosa që ato t’i shpallim këtë vit, në pajtim me Statutin e Federatës dhe fjalën e dhënë se mandati im do përfundojë gjatë vitit 2020.

Dua të falënderoj të gjithë anëtarët e Bordit të FBK-së, bashkëpunëtorët, stafin, sponsorët dhe përkrahësit për këto dy vite e gjysmë bashkëpunim, punë, mund dhe përkushtim, si dhe klubet e shoqatat e basketbollit për punën e palodhshme anembanë Kosovës për të mbajtur gjallë dhe avancuar basketbollin tonë. Do jem përjetë krenar me arritjet tona të përbashkëta në të cilat shumë dyshonin. Na thanë se nuk mund të marrim organizimin e kampionateve evropiane e ne i morëm tri, na thanë se nuk mund të jemi pjesë e strukturave të FIBA e ne i morëm dy poste, dhe ajo që është kryesorja, na thanë që nuk do na lejohet nga armiqtë tanë krijimi i Ligës Unike, si liga e parë mbarëkombëtare, e ne e krijuam nën praninë e Kryetarit të FIBA Europe.

Që dje veç është konfirmuar, falë përkrahjes së anëtarëve të Federatës, se unë do jem kandidat për Kryetar të FBK-së për mandatin e ardhshëm olimpik. Prandaj, më 18 dhjetor 2020 do të shpalosi para delegatëve të Kuvendit të FBK programin dhe strategjinë zhvillimore për katërvjeçarin e ardhshëm dhe do të kërkoj besimin e tyre për ta shtyrë basketbollin e Kosovës drejt dimensioneve të reja.

Na priftë e mbara!