Kryetari i Dardanëve zbulon detajet: Si u sulmua tifozi kosovar në Çeki


Gazeta Express
15 Nëntor 2019 20:50

Kryetari i grupit të tifozëve “Dardanët”, Lulzim Berisha, ka konfirmuar se një tifoz kosovar u sulmua dje në Çeki, mirëpo bëri të ditur se ai nuk ka pësuar ndonjë lëndim të rëndë dhe se është në gjendje të mirë.

Çekia ia ndau Kosovës 627 bileta për ndeshjen që u zhvillua mbrëmë në stadiumin “Doosan Arena”, në kuadër të kampanjës kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020, shkruan Gazeta Express.

Kombëtarja çeke arriti ta fitojë këtë ndeshje dhe kualifikimin në EURO 2020, përderisa Kosova e humbi shansin për t’u kualifikuar në Evropian nga Grupi A. Vëmendje mori edhe një incident që ndodhi në Pilsen, para se të fillonte ndeshja.

Mediat raportonin se katër tifozë kosovarë ishin sulmuar në Pilsen të Çekisë nga tifozë çekë dhe serbë. Mirëpo, kryetari i “Dardanëve”, Lulzim Berisha, ka thënë se është sulmuar një tifoz dhe se ai është në gjendje të mirë.

“Nuk janë sulmuar disa tifozë kosovarë, është sulmuar vetëm një. Ka mbetur i vetëm në fund në një restorant dhe një grup i njerëzve të papërgjegjshëm, që s’kanë të bëjnë me sportin, e kanë gjetur tifozin tonë dhe e kanë sulmuar”, ka thënë Berisha në emisionin sportiv “Favorit” në T7.

“Ai është goditur, por gjithçka është vënë nën kontroll nga masat e sigurinë, që kanë qenë shumë… si në gjendje lufte. Ai është në gjendje shumë të mirë. Ai djali është shumë mirë, nuk ka pasur ndonjë lëndim të rëndë ose diçka”.

“Ishte shumë e turpshme që u sulmua një tifoz çek këtu, në të njëjtën formë na e kanë kthyer. Ne nuk merreni me këto gjëra, por edhe çekët e kanë sulmuar në mënyrë shumë tinëzare”.

Në shtator, kur Republika Çeke luajti në Prishtinë të Kosovës, policia i arrestoi tetë qytetas çekë – gjashtë burra dhe dy gra – para ndeshjes. Policia e kishte gjetur një dron, një flamur serb dhe një pankarte të madhe ku shkruhej “Kosova është Serbi”. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart