Kryesuesi i dialogut thotë se Kosova nuk ka plan B për vazhdimin e bisedimeve


Gazeta Express
23 Mars 2019 9:23

Dialogu tre palësh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka mbetur i pezulluar. Kjo për shkak të taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës për mallrat serbe, të cilën e ka kundërshtuar pala serbe, me kushtëzim të vazhdimit të dialogut.

Pavarësisht rëndësisë së shpërfaqur për dialog, nga i cili pritet që Kosova dhe Serbia të dalin me një marrëveshje ndërkombëtare paqësore, delegacioni kosovar në këto bisedime nuk ka një plan B për ta zgjidhur çështjen pas këmbëngulësisë së delegacionit serb.

Bashkëkryesuesi i Delegacionit Shtetërorë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Shpend Ahmeti, tha se Kosova nuk ka ndonjë plan tjetër për daljen nga situata.

Ai deklaroi se nëse dialogu nuk vazhdon Serbia duhet të negocioi, ndërsa Kosova t’i bartë pasojat.

“Jo! Vazhdojmë, jeta vazhdon nuk është që ndërprehet diçka kjo mbetet për shkak se është vendim i qeverisë mbetet që në koordinim me ekipin e dialogut te vendosim në qoftë se vendimi i qeverisë është të mos vazhdohet. Është thjeshtë ne themi nuk e heqim taksën, pastaj, mbetet Serbia të diskutojë dhe negociojë. Ndërsa Kosova t’i bartë pasojat e mos vazhdimit, çfarë do që të jenë ato”, u shpreh Ahmeti.

Kushtëzimet e Serbisë, Ahmeti i ka quajtur të panevojshme. Sipas tij, delegacioni është duke punuar me Brukselin për formimin e kornizës së dialogut dhe formatit të tij.

“Një herë për një herë qëndrimi është pa u hequr taksa nuk ka dialog. Serbia e ka mbajtë këtë. Prandaj nuk po ju përgjigjen ftesave për të vazhduar dialogu. Kanë thënë se pa u hequr taksa nuk vazhdohet dialogu, kështu që ne një herë po punojmë me ekipin e Brukselit për krijimin e kornizës së dialogut dhe formatit të dialogut në qoftë se fillon. Pra në qoftë se Serbia e hjek këtë kushtëzim, sepse ne mendojmë që kushtëzimet janë të panevojshme apo në qoftë se ndodhë diçka tjetër. Pra ne jemi duke u përgatitur thua se nesër të fillojë”, shtoi Ahmeti për Ekonomia Online.

Ahmeti theksoi se Brukseli nuk ka ndonjë kërkese konkrete ndaj Kosovës, përveç se t’i dorëzojnë të gjitha pozicionet e palës kosovare me shkrim.

“Jo! Brukseli po kërkon që të gjitha këto tema të cilat ne i kemi ngritur t’i dorëzojmë me shkrim pozicionet dhe kërkesat të cilat do t’i parashtrojmë në dialog. Jemi në shkrim e sipër të disa prej këtyre temave përfshirë edhe të pagjeturit por të gjitha këto do të jenë transparente dhe do t’i dijnë edhe shoqatat edhe do të bëhen me kohë të ditura. Pra nuk ka asgjë që nuk është e ditur sa i përket kërkesave”, tha Ahmeti.

Bashkëkryesuesi i Delegacionit Shtetëror të Kosovës për bisedimet me Serbinë, foli edhe për përfshirjen e çështjes së të pagjeturve në dialog.

Ai tha se është krijuar komisioni për çështjen e të pagjeturave si pjesë e delegacionit dhe ajo do të bëhet funksionale brenda kësaj jave.

Te fundit


Kthehu lart