Në muajin kur pritet të ngrihen aktakuzat e para nga Prokurori i Specializuar në Hagë, është paralajmëruar dorëheqja e kryeprokurorit të Dhomave të Specializuara, Jack Smith, raporton Gazeta Express.
Ish-këshilltari i Kadri Veselit, Blerim Latifi, ka thënë se amerikani Smith pritet të japë dorëheqje që t’i bashkohet fushatës elektorale të presidentit Donald Trump.
Ai thotë se nuk pritet emërimi i kryeprokurorit të ri deri pas përfundimit të zgjedhjeve në Amerikë.
“Para disa kohësh ishte paralajmëruar se akuzat e para nga Gjykata Speciale do të mund të shpalleshin gjatë kësaj vere! Gjërat, siç duket, kanë ndryshuar.Kryeprokurori i Dhomave të Specializuara Jack Smith pritet të japë dorëheqje nga posti i tij, mbase për t’iu bashkuar fushatës elektorale të presidentit Trump. Meqë zgjedhjet në SHBA po afrohen, nuk pritet të emërohet një kryeprokuror i ri deri pas përfundimit të tyre.Rrjedhimisht akuzat eventuale, në mungesë të kryeprokurorit, me gjasë do të shtyhen për në vitin tjetër”, ka thënë ai. /Express/