Kryeministri çek i përgjigjet presidentit të tij për pavarësinë e Kosovës


Gazeta Express
12 Shtator 2019 15:39

Kryeministri i Republikës së Çekisë, Andrej Babish, teksa ka komentuar deklaratat e bëra nga presidenti i Çekisë rreth mundësisë së heqjes së njohjes për pavarësinë e Kosovës, ka thënë se nuk sheh asnjë arsye që Çekia të ndryshojë qëndrim sa i përket çështjes së pavarësisë së Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Këto deklarata Babish i ka bërë gjatë një konference për media, pas përfundimit të takimit të Grupit të Vishegradit, ku ishin të ftuara edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Politika e jashtme e Çekisë, është gjithmonë në duar të qeverisë. Nuk shoh asnjë arsye, që Çekia të ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës”, ka thënë Babish, raporton Gazeta Express.

Babish ka thënë se deklaratat e Zemanit nuk janë të reja, pasi ai ka pasur qëndrime të ngjashme edhe gjatë vitit 2013.

“Deklarata të bëra nga presidenti, opinioni i Zemanit është gjithmonë i njëjti. Nuk është asgjë e re”, ka thënë Babish në konferencë për media, pas pyetjes së gazetares serbe, se si i komenton deklarimet e presidentit Zeman për heqjen e njohjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Babish përveç tjerash ka folur edhe për mospjesëmarrjen e Ramush Haradinajt në këtë takim. Ai ka thënë se ka pranuar letrën e kërkim faljes nga Haradinaj, dhe se kryeministrin e ka përfaqësuar ambasadori i Kosovës në Pragë, Arbër Vllahiu. /GazetaExpress/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart