Kronologjia e “Luftës së Ftohtë” mes opozitës dhe SHBA-ve


Gazeta Express
20 Prill 2019 16:16

Prej dy muajsh, që nga protesta e fuqishme opozitare të mes shkurtit, gjithçka shkon keq mes diplomacisë amerikane dhe opozitës. PD dhe LSI po marrin goditje të ashpra dhe të herëpshershme, të së njëjtës forcë dhe të së njëjtës ashpërsi siç morën socialistët e Ramës në janarin e 2011.


Opozita pretendon se Shqipëria qeveriset nga një pushtet i vjedhur, amerikanët e quajnë atë legjitim, opozita ka djegur mandatet, amerikanët e konsiderojnë këtë një thyerje të besimit të zgjedhësve, opozita i quan lolo të Ramës Murrizin, Hajdarin me shokë, amerikanët i konsiderojnë si minorancë konstruktive, opozita këkron çlirimin nga një regjim autarkik, amerikanët i përgjigjen se po minon ardhmërinë e vendit. Nisur nga kjo beteje që ka marrë nota që e kapërcejnë cakun e gjuhës diplomatike, Lapsi.al ka bërë një kronologji të qëndrimeve amerikane të dy muajve të fundit që kur PD dhe LSI nisën aksionin radikal.

Po të kthehemi pas, protestës së mes shkurtit i priu një debat mes aktorëve politikë që kaploi dhe studio televizive, nëse dhuna është një mjet për të mbrojtur të drejtat qytetare dhe politike, apo nëse i duhet përgjigjur me dhunë, dhunës që ushtron një qeverisje.


Në këtë debat të nxhehtë nuk përtoi të përveshë llërët edhe selia e rrugës së Elbasanit. Në 14 shkurt ajo doli me një deklaratë: “Dhuna kundër njerëzve ose pronës është e papranueshme. Ne iu bëjmë thirrje të gjithë atyre që janë përfshirë në protestën e së shtunës, dhe të gjithë udhëheqësve politikë shqiptarë, të refuzojnë dhunën”.


Protesta e mes shkurtit pati disa përplasje me policinë dhe ajo përfundoi me shkuljen e kërpudhës që qëndronte në oborrin në të majtë të kryeministrisë. Amerikanët reaguan përsëri duke bërë në 16 shkurt thirrje për qetësi: “dëmtimi i pronës publike dhe dhuna nuk janë të pranueshme”.

Por, tonet do të ashpërsoheshin shumë më tepër pasi Lulzim Basha u shfaq beftas të dielën pas protestës për të bërë thirrje për djegjen e mandateve opozitare. Nga ambasada amerikane, në 19 prill, do të vinte një nga mesazhet më të forta që janë dëgjuar ndonjëherë. Ajo akuzonte se kërcënimet e PD- LSI “po minojnë të ardhmen e Shqipërisë”, dhe u bënte apel deputetëve të mos i bindeshin lederëve partiakë: “Shtetet e Bashkuara iu bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të ngrihen mbi sherret politike, të refuzojnë kërkesat për të braktisur mandatet e tyre”

Më kot Lulzim Basha nga protesta e parë para parlamentit i sfidoi partnerët ndërkombëtarë: “Unë jam i gatshëm të bëj për ju ç’do gjë që më kërkoni , por mos pretendoni nga unë asgjë që nuk e pranojnë dot popujt tuaj”.

Kundër goditjet do të qenë edhe më të forta. Madje në fillim atyre iu duk se i printe vetë selia e rrugës së Elbasanit që shpesh ishte edhe më e ashpër se partnerët europinanë. Nëse, përshembull, ambasadorja Gjermane në Tiranë Susanne Schütz (poshte), fliste edhe për dhunë të ushtruar nga policia dhe e quante djegjen e mandatit të drejtë personale, amerikanët as nuk donin t’ia dinin për këto nuanca.

Pas akteve radikale të opozitës duket se interesi amerikan e kaloi selinë diplomatike të Tiranës. Vetë zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit për Evropën, Mattheë Palmer, pas protestës të opozitës dhe bërjes publike të vendimit për të “djegur mandatet”, ngriti telefonin për të folur me Bashën e Kryemadhin.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha pas këtyre bisedave Zërit të Amerikës se zoti Palmer “i këshilloi” dy kryetarët e partive “kundër dorëheqjeve të koordinuara dhe në masë të deputetëve të opozitës nga parlamenti, pasi kjo do të dëmtonte përpjekjet për reforma dhe do të dëmtonte një institucion të rëndësishëm të demokracisë” si dhe të hedhin poshtë dhe të dënojnë publikisht gjithë dhunën.

Por, opozita vazhdoi në rrugën e saj të protestave dhe mosbindjes civile, gjë që e përballi me një furi më të egër përpara manifestimit të madh të 16 marsit. Ndërsa PD dhe LSI e kishin një nga argumentet e tyre kryesore në këtë rrebelim, zgjedhjet e trukuara, për të cilat kishin raportuar përpos mediave vendase edhe Zëri i Amerikës, nga ambasada u vinte si përgjigje një rrotullim i thikës mbi plagë. Ajo pohonte në 16 mars se: “njeh zgjedhjet e vitit 2017” dhe për rjedhojë dhe parlamentin e qeverinë e dalë prej tyre.

Madje si të mos mjaftohej me këto dukej se selia e rrugës së Elbasanit kërkonte ti thyene hundët argumentave të kësaj opozite që po luante rolin e nxënësit të padëgjueshëm. Duke u sugjeruar atyre që dogjën mandatet “të lejojnë ata që duan të punojnë për të ardhmen e vendit të bëjnë punën e tyre”, ajo vlerësonte punën e mirë të bërë për reformën në drejtësi si dhe “përparimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Më kot raporti i Departamentit të Shtetit raportin për strategjinë e luftës ndërkombëtare kundër narkotikëve e fshikullonte Shqipërinë si vend burim për kanabisin dhe si një vend ku qe shtuar tranzitimi i drogërave të forta, ambasada i konsideronte këto si hapa para. Sepse kështu i duhej për strategjinë politike që ka zgjedhur.

Ndërkohë që kronika që çdo aksioni të opozitës i përgjigjej një deklaratë e ashpër e amerikane vazhdonte me të njëjtat tone, në Tiranë mbërriti në kuadër të një vizite rajonale Zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit për Evropën, Mattheë Palmer. Prej bisedës telefonike që ai pati me Bashën dhe Kryemadhin në shkurt, në fillim të prillit kishte ndrshuar vetëm një element. Përpos djegjes së mandateve, PD-LSI kishin hedhur në treg edhe idenë e shkatërrimit të zgjedhjeve lokale. Gjatë një bashkëbisedimi “ON” me reporterë të shtypit shqiptar, Palmer do ta godiste fort edhe këtë opsion: “Unë do t’i nxisja të gjitha partitë politike të marrin pjesë në zgjdhjet lokale, është diçka për të cilën partitë politike i detyrohen mbështetësve të tyre, i detyrohen votuesve të tyre, që të hyjnë në arenën politike, që të garojnë fort, të fitojnë zgjedhjet dhe të përdorin fitoren si një mjet për të përmbushur premtimet dhe vizionin e tyre për të ardhmen” tha ai.

Pa kaluar as dhjetë ditë nga ky mesazh, e ngarkuara me punë Leyla Moses-Ones, që kryen përkohësisht rolin e drejtueses së ambasadës, vazhdoi linjën paralele të shantazhit ndaj PD -LSI. Vetëm 24 orë pasi e përkëdheluara e amerikanëve, Rudina Hajdari që po kryen role që më parë nuk kanë nguruar ti juajnë Eduart Selami apo Genc Pollo, tha në parlament se opozita e re do të hynte në zgjedhje, diplomatja mbështeti në një intervistë për Zëri i Amerikës, krijimin e grupit paralamentar të opozitës së re duke thënë se “Formimi i grupeve parlamentare do të forcojë më tej aftësinë e tyre për të përfaqësuar zgjedhësit e tyre si anëtarë aktivë të parlamentit” që ajo e çertifikoi si stabil.

Ajo e nxiti opozitën e re të konkurojë në zgjedhjet e ardhshme me një gamë sa më të gjërë kandidatësh që të përfaqësojnë sa më gjerësisht elektoratin kundërshtar me qeverinë.

Pra sikurse shihet nga kjo kronikë, në dy muaj, diplomatët amerikanë i janë qepur me bukë në trastë opozitës. Ata nuk kanë lënë pa përgjigje të ashpër, asnjë nga aksionet apo aktet e saj, nga protestat, djegja e mandateve e deri tek përligjja e secilit prej veprimeve që i shkojnë kundër PD dhe LSI, që nga mbështetja e formacioneve të reja që mund të marrin pjesë në zgjedhje e deri tek lavdërimet që i janë bërë përparimeve në luftën për krimin dhe korrupsionin. Duket sikur selia e rrugës së Elbasanit po përdor çdo mjet, qoftë edhe nga ato që mund të shihen me rezervë nga publiku, për të thyer një opozitë që është bërë e padëgjueshme në veprimet e saj./lapsi

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart