Kriza në Kushtetuese, flet Rama: Meta e ka humbur! Jemi dakortësuar 100% me SHBA për Gjykatën


Gazeta Express
15 Nëntor 2019 11:29

Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë në lidhje me përplasjen institucionale mes shumicës qeverisëse dhe Presidentit Meta për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

Nga seanca e jashtëzakonshme e parlamentit, Rama u shpreh se Presidenti Ilir Meta e ka humbur plotësisht busullën dhe se e ka kthyer presidencën në një frëngji që sulmon këdo nga të katra anët. Rama theksoi se para se parlamenti të votojë dy anëtarët e Kushtetueses dhe të miratojë emrin e Arta Vorpsit për të qenë po ashtu anëtare, është “rakorduar 100%” me aleatët kryesorë amerikanë dhe të BE-së.

Rama: Jemi mbledhur për shkak të një historie të zakonshme me Ilir Metën. Edhe njëherë tjetër përplasja është jo mes nesh dhe Metës, por mes Ilir Metës dhe Drejtësisë. Edhe njëherë tjetër, për këdo që do të kuptojë pa hyrë në të thella, jemi përballë si kuvend i Shqipërisë, me njeriun që e ka humbur busullën dhe e ka kthyer Presidencën në një frëngji prej ku sulmon nga të katra anët. Duke qenë ne këtu, 100% në të njëjtën linjë me SHBA-të dhe BE-në dhe natyrisht pastaj është e lehtë të kuptohet se përse Meta nuk kursen as partnerët dhe as dy aleatët e mëdhenj të Shqipërisë… na vë të gjithëve në një pozitë jo komode dhe të turpshme, për ta thënë me të gjitha fjalët deri në fund, sepse insinuon haptas se këto përfaqësi të nderuara të shteteve që janë qysh në ditën e parë promotorë e mbështetëse të reformës… sot akuzohen si të korruptuara. Nuk ka më turp dhe pas kësaj, besoj që nuk ka as nevojë të zgjatemi për të shpjeguar arsyet që na sjellin këtu dhe drejtësinë e vendimmarrjes sonë. Prandaj unë këtë herë nuk do të merrem me Ilir Metën, por me drejtësinë, e cila është ende në ardhje dhe që ende kërkon shumë vullnet, shumë durim dhe shumë mbështetje nga ana jonë.

Për të gjithë ata që e ndjekin këtë episod të ri të historisë së vjetër, dua të them se përpara se ne të vendosnim dhe të bënim atë që kuvendi bëri duke zgjedhur dy anëtare të Kushtetueses dhe duke marrë të mirqënë zgjedhjen e një anëtareje tjetër si rezultat i mospërzgjedhjes se Metës brenda afatit, ne jemi dakortësuar 100% me aleatët strategjikë. I jemi referuar 100% opinioneve të dhëna nga ekspertët e tyre.

A ështe e mundur që SHBA e BE i janë vënë në shërbim ndonjë axhende tjetër? Besoj se për çdo mendje të arsyeshme përgjigja është e thjeshtë, nuk është e mundur. Episodi është një shprehje kuptimplotë e gjithë vështirësisë që ka kjo reformë, por jam në pozitë të vështirë me njerëzit dhe pritshmëritë e tyre për të, pasi siç thash drejtësia e re është ende në ardhje, pra nuk është aty për njerëzit ende. Sot ajo që duhej të ishte drejtësi është rëndom padrejtësi, si rezultat i një numri që i përkasin organizatës kriminale “Kap Ça të kapësh”. Beteja jonë sot nuk është me Ilir Metën, por me “KÇK-në”.

Ne sot bëjmë detyrën tonë karshi parlamentit e opinionit, por s’ka asnjë dyshim se kjo është nje detyrë e lehtë në raport me detyrën për të vepruar një orë e më parë ndaj “KÇK-së”.

Kryeministri Edi Rama gjithashtu premtoi se në 25 nëntor do të paraqesë në parlament platformën e goditjes së drejtësisë së korruptuar dhe krimit të organizuar nën nofkën e “KÇK”

Rama: Proçesi që jemi mbledhur për këtë rezolutë është shumë më i thjeshtë dhe shumë i më qartë. Bëjmë detyrën tonë para popullit shqiptar. Është një detyrë shumë e lehtë se sa verpimi i një ore e më parë ndaj KÇK-së për të nxjerrë në pah gjithë përmasën e llumit që është kthyer në shtup dhe që pengon më shumë se asnjëherë tjetër. Përshkallëzimi i luftës ndaj KÇK-së mos ta lëmë vetëm në radhën e pritjes së vettingut, por ta nisim e ta vazhdojmë si përshkallëzim ndaj krimit të organizuar. Ata që kanë kryer krime të rënda nga njëra anë, dhe KÇK-ja nga ana tjetër nuk mund ta gëzojnë pasurinë e tyre. Ofensiva ndaj pasurisë e tyre ëshhtë një ofensivë pa kthim që duhet të nisë një orë e më parë. Kam folur këtu për rastin e Durrësit dhe premtova se do t’i sjell parlamentit një platformë ligjore për ta kthyer në platformë lufte ndaj KÇK-së. Nuk është më çështje muajsh, por thjesht disa ditë. Në 25 nëntor do të prezantoj këtë platformë.

Do të ndajmë njëherë e mirë historinë e vjetër të të njomit me të thatin. Një armik të përbashkët që e kanë kthyer në një aleat poliitik që kanë hedhur krimin si mish të ngordhur në oborrin tonë. Kjo është koha kur i gjithë ky proçes, dhe kriza të sajuara nga Ilir Meta dhe nga ata që kanë qenë kundër që nga fillimit të reformës. Të tunden themelet e ngrehinës së krimit të organizuar.

Te fundit


Kthehu lart