Kriza energjitike në Shqipëri, KESH: 1410 Gwh energji më pak se vjet


Gazeta Express
21 Prill 2019 23:18

Prodhimi i energjisë elektrike nga Korporata Elektro-energjetike Shqiptare ka rënë ndjeshëm në 6 muajt e fundit, si pasojë e mungesës së reshjeve.

Sipas të dhënave zyrtare të gjeneruesit më të madh të energjisë në vend, në 3-mujorin e parë të këtij viti në 3 hidrocentralet e kaskadës u prodhua 694 Gwh energji, apo 1410 Gwh energji më pak, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkaq, prodhim i ulët raportohet edhe në 3-mujorin e fundit të 2018-ës, ku sipas Bilancit të Energjisë të publikuar nga INSTAT, u prodhua 12.5% energji më pak se e njëjta periudhë e një vitit më parë. “Situata hidroenergjetike, e krijuar si pasojë e kushteve të pafavorshme klimaterike, pritet të ketë impakt të madh në gjenerimin e KESH, i cili në 6-mujorin e parë të këtij viti do të jetë rreth 1033 Gwh ose 52% më pak se prodhimi mesatar shumëvjeçar për të njëjtën periudhë”, thotë KESH për TV SCAN.

“Ndodhur në këto kushte, KESH po operon në nivele prodhimi, që i mundësojnë administrim të kujdesshëm të rezervës hidrike, duke i paraprirë kërkesës në rritje për energji elektrike në muajt e verës”, shtohet në përgjigje. Në fillim të muajit prill, niveli i liqenit në hidrocentralit e Fierzës ishte në kuotën 272.89 metra mbi nivelin e detit, ndërsa prurjet 80 m3/s, ose 74% me të ulta se prurjet mesatare shumëvjeçare për të njëjtën periudhë të vitit.  “KESH është duke prodhuar rreth 4.500 Mwh/ditë, ndërsa rezerva energjetike është 565 Gwh me tendencë në rritje për shkak të prodhimit të ulët nga hec-et e kaskadës.

“Ky trend parashikohet të ruhet edhe për periudhën në vijim, me qëllim konsolidimin e mëtejshëm të rezervës energjetike të kaskadës”, sqaron KESH.

Te fundit


Kthehu lart